Lidhje

Kundërshtime për alternativën e sulmit amerikan në Libi


Shtetet e Bashkuara po analizojnë alternativat për një goditje ajrore si reagim ndaj sulmit në konsullatën libiane muajin e kaluar. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott nga Kajro, disa libianë thonë se reformat e brendshme do të ishin një rrugë më efektive pasi druhen se hakmarrja nga jashtë do t’i forcojë edhe më shumë ata që përpiqet t’i frenojë.

Zyrtarë të lartë amerikanë i kanë thënë medias se administrata po shqyrton mundësinë për një goditje ushtarake në Libi, kundër personave përgjegjës për sulmin e 11 shtatorit në misionin diplomatik të Bengazit.

Një nga pengesat e para me të cilën ata përballen është identifikimi i autorëve të sulmit që shkaktoi vdekjen e ambasadorit amerikan Christopher Stevens dhe tre diplomatëve të tjerë amerikanë.

Të dyshuarit kryesorë, grupi i militantëve Ansar al Sharia ka mohuar përgjegjësinë, pavarësisht nga dëshmitë për rolin e tyre. Por disa analistë paralajmërojnë për pasojat që do të kishte shteti i brishtë libian nëse Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë. Ish zëdhënësi i opozitës gjatë kryengritjes së vitit të kaluar Mustafa Gheriani argumenton se drejtësia duhet të vihet në vend nga vetë Libia.

“Nëse do që të jesh vend i ligjeve dhe jo si Afganistani apo Pakistani, duhet që çështjet të trajtohen përmes kanaleve të duhura. Ndoshta gjërat mund të ecin më ngadalë, por pa dyshim nuk duam që ngjarjet të dalin jashtë kontrollit në këtë moment”.

Sulmi ndaj konsullatës po bëhet temë kryesore në fushatën presidenciale, duke shtuar shqetësimet për një veprim të shpejtë të Shteteve të Bashkuara. Por Uashingtoni ka edhe plane afatgjata për Libinë, përfshirë trainimin e një grupi ushtarak libian për të vënë nën kontroll grupet paraushtarake.

Analisti politik Said Sadek i Universitetit Amerikan në Kajro thotë se rreziku i një taktike të tillë është se mund ta bëjë qeverinë libiane të duket si qeveri kukull në duart e amerikanëve. Po ashtu mund të binte ndesh me një pikë kyçe të misionit të NATO-s që ndihmoi për sjelljen në pushtet të qeverisë aktuale, mungesën e trupave të huaja në territorin libian.

Zoti Sadek argumenton se një zgjidhje më e shpejtë dhe praktike do të ishte përpjekja politike për të bashkuar milicitë e ndryshme kundër ekstremistëve, e ngjashme me praktikën që u ndoq në Irak.

“Do të duhet një kohë e gjatë për përgatitjen e një force profesionale që të vendoste stabilitet në vend. Prandaj e vetmja alternativë aktualisht është të përdoret kjo praktikë që u ndoq në Irak”.

Kryeministri i emëruar i Libisë ka premtuar se do ta zgjidhë problemin e sigurisë, duke e quajtur më të rëndësishmin në vend. Por milicitë islamiste nuk janë të vetmet grupe, roli i të cilave po kërcënon të minojë të ardhmen demokratike të Libisë.

Organizata Human Rights Watch paraqiti këtë javë prova për një masakër vitin e kaluar ndaj personave të kapur me Moammar Gadhafin nga milici rebele të asaj kohe.
Human Rights Watch thotë se megjithë premtimet e qeverisë libiane, nuk ka pasur prova që janë bërë hetime për këtë rast.

Sipas organizatës, sfida më e madhe në çdo situatë pas konfliktit është që të lihet pas regjimi i armëve dhe të vendoset shteti ligjor. Një vit pas vdekjes së Gadhafit, kjo sfidë mbetet po aq e madhe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG