Lidhje

Libi: U vihet zjarri godinave qeveritare, përshkallëzohen protestat


Libi: U vihet zjarri godinave qeveritare, përshkallëzohen protestat
Libi: U vihet zjarri godinave qeveritare, përshkallëzohen protestat

Njoftimet nga Libia lënë të kuptohet se regjimi mbi 40 vjeçar i udhëheqësit Moamar Gadafi po vihen në shënjestër nga një kryengritje popullore e përshkallëzuar që po bëhet e dhunshme dhe shkatërruese.

Dëshmitarët në kryeqytetin Tripoli thonë se krahu legjislativ i vendit është mes godinave qeveritare që kanë marrë flakë, ndërsa aktivistët e opozitës u përleshën me forcat e sigurimit dhe përkrahësit e qeverisë. Ka pasur njoftime për goditje me armë zjarri.

Njoftimet nga Tripoli flasin për një përshkallëzim të kryengritjes orë pas ore. Ka njoftime që disa zyrtarë kanë lënë vendin. Disa nga qytetet njoftohet të jenë nën kontrollin e protestuesve anti-qeveritarë. Informacioni është I vështirë për t’u marrë pasi nuk ka organe të huaja të medias në Libi dhe televizioni libian është nën kontrollin shtetëror.

Dëshmitarët thanë se disa godinave qeveritare iu vu zjarr sot pas të shtënave të zjarrit në Tripoli për herë të parë mbrëmë vonë, kur protestuesit anti-qeveritarë morën nën kontroll qendrën e qytetit nga besnikët e Gadafit. Ata thanë se policia libiane përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.

Sot, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me qendër në Paris tha se të paktën nëntë qytete libiane ishin në duart e protestuesve, ndërsa Human Rights Watch tha se numri i të vdekurve vazhdon të rritet. Organizata tha se të paktën 233 vetë kanë humbur jetën gjatë pesë ditëve dhunë.

Ndërkohë, djali i Gadafit, Saif al-Islam doli dje në televizion, duke thënë se babai i tij është në krye të vendit me mbështetjen e ushtrisë. Libia përballet me revoltën më të rëndë anti-qeveritare që kur Moamar Gadhafi mori pushtetin me grush shteti në vitin 1969. Saif al-Islam Gadhafi u zotua se qeveria e babait të tij do të luftojë deri në "burrin e fundit, gruan e fundit dhe plumbin e fundit" për të qëndruar në pushtet.

Saif al-Islam paralajmëroi libianët që të ndalojnë kryengritjen përndryshe mund të fillojë një luftë civile, që do ta zhysë vendin në "lumenj gjaku" dhe do ta kthejë vendin në pushtetin kolonial. Ai këmbënguli se Libia "nuk është as Egjipti e as Tunizia", ku pushtetarë të fuqishëm u rrëzuan nga pushteti gjatë javëve të fundit.

XS
SM
MD
LG