Lidhje

Ndalohet libri i Malalës


Drejtorët e shkollave private në Pakistan kanë ndaluar të përfshihet në bibliotekat e tyre librin e Malala Yousafzai, duke pretenduar se pjesë të librit nuk respektojnë fenë islame dhe se adoleshentja pakistaneze ka vepruar si mjet propagande për perëndimin për të diskredituar vendin e saj. Nga ana tjetër, kritikët e këtij akti besojnë se ky është rezultat i intolerancës dhe ekstremizmit fetar në rritje në Pakistan.

Libri autobiografik i aktivistes pakistaneze Malala Yousafzai “Unë jam Malala” doli në treg në tetor. Ai është shkruar së bashku me gazetaren britanike, Christina Lamb.
Libri mbetet një nga më të shiturit në botë, por është kritikuar nga grupe të djathtë në Pakistan, ku shkollat private kanë vendosur mos ta lejojnë të lexohet nga nxënësit e tyre.

Adeeb Javedani është president i Shoqatës të Menaxhimit për të Gjithë Shkollat Private në Pakistan, e cila përfshin më shumë se 40,000 institucione elitare kudo në vend. Ai e mbrojti vendimin për ta ndaluar librin.

Zoti Javedani këmbëngul se është përtej konceptimit të çdokujt se pse një vajzë në moshën e Malalës mund të shkruajë fjalë të tilla si: "anëtarët e lëvizjes Ahmadi janë deklaruar të pafe në Pakistan", ku në fakt një lëvizje e tillë nuk po ndodh. Ai beson se Malala nuk e ka shkruar vetë këtë libër dhe se këtë e ka bërë dikush që përfaqëson perëndimin duke përdorur emrin e Malalës.

Ai thotë se autoritetet pakistaneze të arsimit e kanë siguruar organizatën e tij se ata nuk do ta përfshijnë librin e Malalës në shkolla publike dhe private.
Nën trysninë e islamistëve, pakica Ahmadi u deklarua jo-myslimane në fillim të viteve ‘70. Malala shkruan në librin e saj se Ahmadët thonë se janë myslimanë, por ligjet nuk i lejojnë ta thonë hapur.

Zoti Javedani dhe të tjerë si ai shtojnë se Malala e ka përmendur emrin e Profetit Muhamet pa përfshirë shkurtimin PUH (paqja qoftë me të), gjë që konsiderohet e detyrueshme në vendet myslimane.

Por aktivistët si profesor Pervez Hoodbhoy i Universitetit prestigjoz Quaid-e-Azam në Islamabad, thonë se elementët pro-talebanëve në shoqëri po shtrembërojnë faktet qëllimisht për të ndëshkruar Malalën.

“Ajo nuk thotë në librin e saj se Ahmadët janë myslimanë. Ajo thjesht thotë se ky është një grup i persekutuar, dhe ai është fakt. Asnjë nuk mund të mohojë se Ahmadët janë një nga pakicat më të persekutuara në Pakistan.”

Malala bëri fushatë kundër përpjekjeve të Talibanit për të shkatërruar shkollat dhe ndalimin e shkollimit të vajzave në distriktin e Suatit, vendlindjen e saj, në vitin 2009, deri sa një sulm ushtarak i nxorri islamistët nga ky rajon veri-perëndimor. Ajo tërhoqi vëmendjen e botës vitin e kaluar kur militantët u përpoqën ta vrisnin atë ndërsa ajo po kthehej nga shkolla.

Malala u transferua në Britani me ndihmën e autoriteteve pakistaneze për t’iu nënshtruar kujdesit shëndetsor, dhe tani jeton atje me familjen e saj.
Profesor Hoodbhoy thotë se teoritë konspirative rreth ngjarjes së Malalës janë një shenjë shqetësuese se influenca e Talebanit dhe njerëzve që mendojnë si Talebani është rritur në mënyrë të ndjeshme në Pakistan.

“Kjo është një vajzë e re e cila duhet të konsiderohet një heroinë për njerëzit kudo në Pakistan, e megjithatë vetëm një pakicë e mbështet atë. Nga ana tjetër, një vrasës si Hakimullah Mehsud shihet si martir.”

Mehsud ishte kryetari i Talibanit në Pakistan, përgjegjës për vrasjet e mijëra pakistanezëve. Javën e kaluar, ai u vra nga një sulm i një mjeti ajror amerikan pa pilot në rajonin verior të Vaziristanit. Talibani ka emëruar Mullah Fazlullah-in për kryetar të ri, i cili ishte organizatori i sulmit kundër Malalës.
XS
SM
MD
LG