Lidhje

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”

  • Zamira Edwards

Të hënën në Universitetin Georgetown u zhvillua një diskutim me temë, Kosova – drejt historisë bashkëkohore. I ftuar ishte eksperti i çështjeve të Ballkanit jugor, autor i një numër librash rreth rajonit, James Pettifer, mes të cilëve më i fundit ai me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës - lufta sekrete deri në kryengritjen në Ballkan”, mbulon një periudhë mbi 50 vjeçare nga viti 1948 deri në vitin 2001. Profesori Pettifer thotë se historia bashkëkohore ndikon një numër subjektesh, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por në gjithë botën. Por kjo, thekson ai ndoshta është më e rëndësishme për rajonin e Ballkanit për shkak të konflikteve shkatërrimtare të viteve 90-të deri në vitin 2001, që u pasuan me vdekjeve e mijëra njerëzve.



Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që filloi si një lëvizje e fshehtë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët jetonin në disa vende të Evropës, kishte në rradhët e saj një numër të vogël njerzish dhe deri në përfundim të luftës UÇK ishte një ushtri masive me rreth 18 mijë anëtarë, të cilët luftonin për pavarësinë e Kosovës.

Profesor Pettifer është përpjekur të analizojë në librin e tij se si lëvizje të caktuara mund të transformohen në kryengritje të sukseshme, nëpërmjet një kombinimi të fatit, punës së madhe, rrethanave të favorshme dhe angazhimit shumë të guximshëm nga grupe të vogla njerëzish. Më shumë se 10 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovës dhe shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Profesor Pettifer tha për Zërin e Amerikës se është me rëndësi që historia të shkruhet e saktë, ashtu siç ndodhi.

“Siç shkruaj edhe në librin tim shumë njerëz luajtën rol në UÇK dhe u bë një lëvizje shumë e madhe popullore rezistence për t’iu kundërvënë politikave të asaj kohe të Beogradit. Shpresoj që libri im të shikohet si një libër historik. Është me shumë rëndësi që historia të shkruhet ashtu siç ndodhi, kam intervistuar një numër të madh njerzish, kam studjuar shumë dokumenta dhe shpresoj që ai të shërbejë të paktën si një fillim për ta vënë historinë dhe luftën e Kosovës në bazat e duhura profesionale dhe akademike”.

Eksperti i çështjeve ballkanike vlerëson përparimin që ka bërë Kosova gjatë gati 5 vjetëve që prej shpalljes së pavarësisë, por ai thekson se ende mbetet punë për t’u bërë.

“Gjatë 5 vjetëve të fundit shihet qartë përparimi që është bërë. Në vend janë hapur biznese të reja, ka aktivitete të reja, jeta universitare është përmirësuar shumë dhe unë këtë e pashë nga afër në Kosovë. Ajo që mbetet për t’u përmirësuar janë faktorët strukturorë rreth shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Dhe ajo që më shqetëson më shumë është besimi i tepruar nga ana e disa prej udhëheqësve të Kosovës tek Evropa sepse askush nuk e di fatin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, madje do të ishte më mirë sikur Kosova të kishte monedhën e saj lokale përveç euros”.

Një aspekt tjetër që e shqetëson analistin është papunësia e lartë mes të rinjve; shoqëria, thotë ai ka nevojë që të rinjtë të punojnë dhe të kontribuojnë me talentin e tyre. Por ai është shumë optimist rreth tregëtisë, që zhvillohet mes shqiptarëve pa pengesa kufitare, për të cilët ai thotë se kanë krijuar Shqipërinë e Madhe në aspektin ekonomik.

Ndërsa Prishtina dhe Beogradi janë angazhuar përsëri në mundësinë e fillimit të një raundi të ri bisedimesh, profesor Pettifer thotë se, pavarësisht se cila do të ishte tema e diskutimit, nuk duhet pritur shumë nga bisedimet.

“Mendoj se ato nuk kanë asnjë vlerë dhe jam dakord me vlerësimin e kreut të K-FOR-it, se nuk pritet shumë nga këto bisedime dhe çdo njeri i llogjikshëm do të ishte dakord me një vlerësim të tillë. Nuk shikoj ndonjë arsye se pse duhet të zhvillohen bisedime të tilla sepse serbët duhet të pranojnë realitetin dhe të njohin pavarësinë e Kosovës dhe deri sa kjo të ndodhë bisedime të tilla nuk kanë asnjë dobi”.

Historiani shpreh pesimizëm për këtë edhe për vetë faktin se disa prej politikanëve të sotëm në Serbi ishin pjesë e ministrisë së brendshme në atë kohë, prandaj edhe mundësitë për ndryshime të politikave janë shumë të vogla.

“Problemi qëndron në faktin se komuniteti ndërkombëtar mbivlerësoi perspektivat për ndryshime në Kosovë, pas rëzimit të Millosheviçit dhe përfundimit të tij në Hagë. Fatkeqësisht disa prej sistemeve dhe strukturave të Millosheviçit janë ende në fuqi edhe sot”.

I pyetur se ç’mendon rreth kërkesës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u përfshirë në bisedimet Prishtinë-Beograd, ai thotë se përfshirja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të ishte një hap pozitiv se pari sepse problemet e tyre janë të ngjashme me ato të serbëve të veriut, por edhe sepse Presheva është neglizhuar për shumë vite, që në kohën e Titos dhe u trajtua shumë keq nën regjimin e Millosheviçit dhe vuajti gjatë luftës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG