Lidhje

Ushtria Kombëtare Libiane thotë se rimori kontrollin e dy objektesh nafte


Në Libi, forcat e komanduara nga ish-gjenerali Khalifa Haftar thonë se kanë marrë nën kontroll dy objekte të rëndësishme nafte që ishin kapur nga një forcë islamiste në fillim të marsit.

Një zëdhënës i gjeneralit Haftar tha se portet Ras Lanuf dhe al-Sidra u rimorën pas një sulmi njëditor nga ajri, toka dhe deti. Ato ishin pushtuar nga milicia xhihadiste Brigadat e Mbrojtjes së Bengazit.

"Deri tani nuk është përcaktuar dhe ne nuk mund të japim asnjë informacion, derisa forcat të marrin kontrollin ose rojet libiane të naftës të hyjnë dhe të marrin kontrollin dhe forcat e armatosura të dorëzojnë përgjegjësinë. Vetëm atëherë do ta dimë se cili do të emërohet për të marrë kontrollin e porteve", tha zëdhënësi i Ushtrisë Kombëtare Libiane, kolonel Ahmed al-Mismari.

Në vitin 2011 në Libi u shfaqën rivalitete politike dhe fraksione të armatosura, pasi qeveria e Moammar Gadhafit u përmbys dhe vetë Gadhafi u vra.

Haftar dhe e ashtuquajtura Ushtria Kombëtare Libiane mbështesin një administratë që operon nga qyteti lindor i Tobrukut dhe që refuzon të dorëzojë pushtetin tek Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare në Tripoli që mbështetet nga OKB-ja.

Kriza e ka lënë shtetin e Afrikës Veriore pa një qeverisje të efektshme për gati gjashtë vjet. Shumë diplomatë dhe aktivistë e përshkruajnë Libinë pas Gadhafit si një nga vendet më të paqendrueshme në botë.

Kombet e Bashkuara thonë se po shqyrtojnë provat për shkelje të të drejtave të njeriut në luftimet e fundit përgjatë bregdetit naftëmbajtës të Libisë ndërsa paralajmëron se gjendja mund të përkeqësohet në ditët në vazhdim.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG