Lidhje

Libi: Prodhimi i naftës i paqëndrueshëm


Trazirat e viteve të fundit janë ndjerë së tepërmi tek prodhimi i naftës

Ndërsa vazhdojnë luftimet mes forcave qeveritare rivale, prodhimi i naftës në Libi ka shënuar luhatje të vazhdueshme, me ulje dhe rënie. Në shtator u njoftua se prodhimi i naftës ishte 900 mijë fuçi në ditë, por në nëntor kjo shifër ra në 500 mijë fuçi. Libia ka sasi të mjaftueshme naftë bruto për të plotësuar nevojat botërore.

Nafta bruto e Libisë është më e mira në botë, sepse ajo mund të rafinohet në shumë nën-prodhime të tjera. Por ajo nuk ka më të njëjtën pjesë të tregut siç kishte më parë.

John Kingston është drejtor global i lajmeve për firmën Platts, një nga firmat kryesore në botë për informacione nga sektori i energjisë.

"Nafta e Libisë është një lloj nafte bruto shumë e lehtë. Bota sot ka shumë naftë të tillë, për shkak të shtimit të madh të prodhimit në Shtetet e Bashkuara. Nga nafta bruto e lehtë, sigurohen sasi më të mëdha karburanti për transport, se sa nga nafta e rëndë, dhe ky produkt sjell edhe përfitimet më të mëdha krahasuar me nën-prodhimet e tjera të naftës. Nafta libiane konsiderohet si shampanja e naftës bruto."

Zoti Kingston thotë se prodhimi i naftës në Libi, thuajse u ndërpre pas rënies së udhëheqësit Moammar Ghadafi. Niveli i pordhimit ra nga më tepër se një milionë e gjysëm fuçi në ditë, në vetëm 50 mijë.

"Më pas prodhimi qëndroi në shifrën e rreth 100-150 mijë fuçive të ditë. Pastaj, duke filluar nga vera, prodhimi u shtua dhe nga fundi i tetorit, arriti deri në një milion fuçi në ditë. Kjo është një rritje tepër e lartë. Nuk kam parë në ndonjë vend tjetër të ketë një rritje kaq të shpejtë të prodhimit të naftës. Kjo si të thuash shënoi një pikë kthese në treg, që solli uljen e tanishme të çmimit, sepse tregu nuk ishte i përgatitur të thithte gjithë atë naftë nga Libia."

Zoti Kingston thotë se nafta libiane shkoi në treg kur në të kishte një sasi të mjaftueshme nafte bruto, prandaj ishte e vështirë që Libia të kapte pjesësn që kishte më parë në treg.

"E vetmja mënyrë për ta arritur atë që donte Libia, do të ishte që sauditët të tërhiqeshin dhe të pakësonin prodhimin e naftës. Por ata nuk do të hiqnin dorë nga pjesa e tyre e tregut, që është 800-900 mijë fuçi nafte në ditë, vetëm për t'i hapur vend Libisë. Pra, unë mendoj se prodhimi i madh i naftës nga Libia destabilizoi tregun, që tani është i mirë për konsumatorët. Ditët e fundit ka patur një rënie të prodhimit. Ka patur probleme në fushat naftëmbajtëse [El] Sharara dhe në atë të Elefantit. Të dyja ato janë të lidhura me njëra tjetrën, prandaj kur prodhimi bie tek njëra, bie edhe tek tjetra."

Trazirat në Libi i vështirësojnë shumë parashikimet për të ardhmen e tregut botëror të naftës.

Por megjithë kaosin në vend, zoti Kingston thotë se Libia ka mundur ta shesë naftën me pak probleme.

"Libia e shet naftën e saj përmes Korporatës Kombëtare të Naftës. Dikush komentoi disa vjet më parë, se në kushtet e trazirave të mëdha në Libi, Korporata ishte në një farë mënyre institucioni i vetëm racional me pamje perëndimore në të gjithë vendin. Trazirat duket se nuk paraqitën probleme për Korporatën."

Ai thotë se megjithë luftimet, firmate huaja nuk janë tërhequr ngë Libia.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, takohet në Vienë më 27 nëntor. Takimi mbahet mes parashikimeve se kërkesat globale për naftë vitin e ardhshëm do të jenë nën parashikimet e prodhimit që priste OPEC-u.

Drejtori global i firmës The Platts thotë se kjo mund të krijojë një luftë mes vendeve prodhuese për të patur pjesë në treg dhe rënien e madhe të çmimit të naftës. Megjithatë, ministri i naftës i Kuvajtit thotë se nuk pret që vendet e OPEC-ut ta pakësojnë prodhimin.

XS
SM
MD
LG