Lidhje

Lidhja Arabe kërkon legjitimitet në “Pranverën Arabe”


Lidhja Arabe kërkon legjitimitet në “Pranverën Arabe”
Lidhja Arabe kërkon legjitimitet në “Pranverën Arabe”

Siria ka hedhur poshtë kritikat e Lidhjes Arabe rreth shtypjes së protestave në këtë vend anëtar, dhe vendet e tjera të Lidhjes Arabe thuhet se nuk janë të sigurtë nëse Damasku duhet pezulluar nga kjo organizatë. Siç njofton nga Kajroja korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabet Erot, rebelimi në Siri është vetëm një nga shumë rebelimet në rajon që kanë ngritur dyshime mbi rëndësinë Lidhjes Arabe gjatë këtyre ngjarjeve të cilat analistët i quajnë “Pranvera Arabe”.

I dërguari i Sirisë në Lidhjen Arabe thotë se kritikat ndaj vendit të tij ishin të pa balancuara dhe tregojnë një mosnjohje për “komplotet e huaja” që siç tha ai, fshihen pas trazirave.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Musa është shprehur kohët e fundit se Lidhja është e shqetësuar rreth situatës në Siri, por nuk konfirmoi njoftimet se disa anëtarë kanë kërkuar pezullimin e Sirisë nga kjo organizatë.

“Po ndjekim me shqetësim situatën në Siri, ka patur shumë konsultime dhe biseda telefonike nga shumë zyrtarë arabë, por deri tani nuk kemi marrë kërkesë zyrtare për organizimin e një takimi urgjent”.

Siria ka arsye të shqetësohet se mund të pezullohet nga organizata arabe. Në muajin mars, Lidhja Arabe izoloi Libinë, pastaj bëri rekomandime të rëndësishme për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit të mbështetur nga OKB-ja. Megjithëse shumë shpejt Lidhja Arabe u pendua për dhënien e këtyre rekomandimeve, duke thënë se NATO-ja ka shkelur mandatin e saj, kjo organizatë mbetet një zë i rëndësishëm rajonal në vendimet ndërkombëtare.

Por në janar të këtij viti, 22 anëtarët e këtij grupi duket se ishin në prag të humbjes së legjitimitetit. Selia e organizatës ndodhet pranë Sheshit Tahrir të Kajros, që ishte qendër e kryengritjes në Egjipt, dhe Lidhja Arabe ishte distancuar nga ndryshimet që kërkoheshin në shesh. Për protestuesit në Egjipt dhe në rajon, njerëzit e sallave prej mermeri të selisë përfaqësonin pikërisht qeverinë e korruptuar që ata kundërshtuan.

Analisti egjiptian Fahmi Houeidi thotë se elementi kryesor që krijon këtë shkëputje mund të shihet në emrin zyrtar të grupit-Lidhja Arabe e Shteteve, me asnjë pretendim për të përfaqësuar popullin arab, veçanërisht ata që janë ngritur në protesta.

“Ata nuk biseduan për atë që po ndodh në Bahrein. Pra mund ta imagjinoni se, për aq kohë sa Lidhja Arabe përfaqëson qeveritë dhe udhëheqësit arabë, ata do të flasin për të gjitha ndryshimet në rajon në mënyrë të kujdesshme dhe me mesazhe jo të drejtpërdrejta pozitive ose negative”.

Ky hezitim ka hapur rrugë për krijimin e konkurrencës. Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik ka qenë aktiv në Jemen, vend anëtar i Lidhjes Arabe, duke ndërmjetësuar një marrëveshje tranzicioni mes opozitës dhe qeverisë e cila ende nuk është nënshkruar.

Monzer Sleiman është drejtor i Qendrës për Studime Amerikane dhe Arabe me seli në Uashington.

“Ka shenja se ndoshta vendet e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik mund të zgjerojnë ndikimin e tyre për t’u bërë zëvendësues jo zyrtarë të Lidhjes Arabe dhe në këtë mënyrë ata do të kontrollojnë pozitën zyrtare arabe. Natyrisht, Arabia Saudite do të dëshironte të luante një rol me të madh, duke përdorur “ndikimin e saj financiar” sepse ata nuk kanë ndikim politik ose fuqi ushtarake për të projektuar në rajon”.

Siria përbën një sfidë të veçantë për organizatën Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik si dhe për Lidhjen Arabe.

Siria ka mbështetje të fuqishme nga Irani, vend anëtar i këtyre dy aleancave. Zoti Sleiman beson se disa personalitete në Arabinë Saudite nuk dëshirojnë largimin e qeverisë së tanishme në Siri, por me dobësimin e pozitës së tyre ata do të kërkojnë ndihmë nga Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik, veçanërisht në Rijad.

Ky është një skenar që mund të dëmtojë edhe më tej Lidhjen Arabe. Por sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Musa është optimist për organizatën dhe të ardhmen e rajonit.

“Ne po bëjmë shumë punë. Ne jemi në mesin e këtyre ngjarjeve dhe besoj se ndryshimet do të jenë pjesë e rregullit të sotëm. Ky rajon dhe bota arabe po përjeton një lëvizje të madhe drejt një të ardhme që në përbërje ka ndryshimet dhe modernizimin. Nuk do të ketë kthim nga kjo rrugë”.

Zoti Musa mund të ketë një pikpamje më optimiste se sa zyrtarët tjerë të organizatës. Së shpejti ai do të largohet nga posti dhe ka në plan të marrë pjesë në garën për president të Egjiptit. Egjipti dhe Tunizia janë të vetmet vende që kanë përmbushur premtimet e menjëhershme të protestave në vended arabe të cilat analistët i quajnë “Pranvera Arabe”.

XS
SM
MD
LG