Lidhje

Lidhja Arabe vendos t'i vërë sanksione ekonomike Sirisë


Lidhja Arabe vendos t'i vërë sanksione ekonomike Sirisë
Lidhja Arabe vendos t'i vërë sanksione ekonomike Sirisë

Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe vendosën në takimin e djeshëm në Kajro për t’i vënë një sëri sanksionesh të rënda ekonomike Sirisë, pasi Damasku nuk pranoi planin arab për të dërguar vëzhgues në përgjegje të goditjes vdekjeprurëse ndaj kryengritjes së opozitës. Ministrat do të takohen përsëri të shtunën e ardhshme për të parë efektin e veprimit të tyre.

19 nga 22 ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe votuan për t’i vënë sanksione Sirisë. Ky ishte një vendim i jashtëzakonshëm kundër një vendi anëtar.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive të udhëheqësve sirianë në shtetet arabe, ndërprerjen e investimeve dhe tregtisë arabe në Siri, ndalimin e transaksioneve me bankën qendrore të Sirisë dhe ndalimin e zyrtarëve sirianë në vendet arabe.

Pëfaqësuesi i Lidhjes Arabe për Sirinë, ministri i Jashtëm i Katarit Hamad bin Jasem bin Jaber al Thani, tha se votimi për t’i vënë sanksione Sirisë do të ketë efektin e dëshiruar, edhe nëse sanksionet nuk zbatohen kurrë, pasi Siria më në fund mund të bjerë dakord të ndalë dhunën ndaj civilëve.

Ministrat e Lidhjes Arabe do të mbajnë takimin e radhës një javë më pas për të vlerësuar efektet e sanksionve dhe nëse afati i tyre duhet të zgjatet.

Vëzhguesit thonë se Siria mund të vendosë të pranojë planin arab në javët e ardhshme si kusht për heqjen e sanksioneve.

Sheikh Hamad shprehu acarimin e tij për zgjatjen e diskutimeve politike, duke theksuar se Lidhja Arabe mund “të vazhdojnë diskutimin e çështjes edhe për një vit tjetër dhe mund të lëshojë një dekret të ri”, por ndërkohë “sirianët do të vazhdojnë të vdesin”.

Kryetari i Lidhjes Arabe Nabil al Arabi u tha gazetarëve se do të tregohet kujdes i madh që sanksionet e reja të mos rëndojnë mbi popullin sirian apo vendet fqinje.
Ekonomia siriane po dëmtohet nga pasojat e kryengritjes popullore tetë mujore, si dhe sanksionet ekonomike të vëna nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Televizioni Al Arabia njoftoi se vendimi i Lidhjes Arabe për ngrirjen e pasurive të zyrtarëve sirianë në shtetet e Gjirit është sanksioni që ka më shumë të ngjarë ta bëjë Damaskun të ndjejë presionin. Udhëheqësit sirianë thuhet se kanë pak pasuri në vendet e Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara, por ata kanë pjesën më të madhe të investimeve të tyre në vendet e Gjirit Persik.

XS
SM
MD
LG