Lidhje

Tiranë: Diskutohet 138-vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe demarkacioni me Malin e Zi


Një grup studiuesish nga Shqipëria dhe Kosova zhvilluan të premten një tribunë shkencore me temë “138 vjetori i Lidhjes së Prizrenit - kufijtë e trevave shqiptare”.

Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, historisë, filozofisë, shkencave politike, gjeografisë dhe hartografisë diskutuan mbi këtë ngjarje me rëndësi historike, si një organizim kombëtar për mbrojtjen e trevave shqiptare.

Konfereca u mbajt në Bibliotekës Kombëtare, e cila çeli ekspozitën arkivore me materiale mbi Lidhjen e Prizrenit.

Në këtë përvjetor të Lidhjes së Prizrenit oratorët trajtuan çështjen e kufijve të trevave shqiptare dhe dëmet e pësuara gjatë shekullit XIX dhe XX.

Prof. Ksenofon Krisafi shpjegoi qëllimin e Lidhjes së Prizrenit pikërisht në kohën kur në Kongresin e Berlinit u përgatit kompensimi i Malit të Zi me toka shqiptare.

Ndërsa prof. Pëllumb Xhufi tha se Lidhja e Prizrenit, organizimi politik i saj, la si trashëgimi vetëdijen kombëtare për vendin, historinë, territorin, luftën për mbrojtjen e kufijve dhe kërkesën e pandërprerë të organizimit kombëtar.

Studiuesit sollën disa punime shkencore mbi problemin e demarkacionit kufitar të Kosovës me Malin e Zi.

Prof. Zymer Neziri trajtoi temën e kufijve të trevave shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë detaje nga të dhënat për kufirin Kosovë-Mali i Zi në këtë periudhë.

Ndërsa prof. Myslim Pasha solli të dhëna shtesë me punimin e tij sa i takon hartografisë për problemin e demarkacionit.

Profesorë e studiues nga Prishtina midis tyre Prof. Zejnullah Gruda, Prof. Zymer Neziri, Prof. Florim Isufi dhe Prof. Shpejtim Bulliqi kanë punuar prej më shumë se një viti për të vërtetuar shkencërisht rrezikun për humbjen e më shumë se 8000 hektarëve nga territori i Kosovës.

Prof. Florim Isufi i paraqiti këto rezultate në Tribunën e 138 vjetorit të Lidhjes, nëpërmjet hartave, që dëshmojnë këtë humbje, ku midis të tjerave ishte dhe harta e Kushtetutës së Malit të Zi, që konfirmon se demarkacioni është në dëm të Kosovës.

Ndërsa prof. Zejnullah Gruda trajtoi çështje të së drejtës ndërkombëtare sa i takon dëmeve nga kufijtë që kanë pësuar shqiptarët.

Studiuesit pohuan se ky riaktualizim i problemit të dëmtimit të trevave shqiptare kërkon po ashtu një riaktualizim të reagimit kombëtar.

XS
SM
MD
LG