Lidhje

Lidhjet midis shërbimeve sekrete ndihmuan në zbulimin e komplotit


Komploti i fundit i dështuar i al-Kaidës për të hedhur në erë një aeroplan me destinacion SHBA-në u bllokua për shkak se, sipas njoftimeve të shtypit, personi që do të duhej të shërbente si autor i sulmit vetëvrasës ishte një agjent i dyfishtë që punonte për shërbimin e zbulimit të Arabisë Saudite. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Gary Thomas, bashkëpunimi mes shërbimeve të zbulimit të Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara është bërë gjithmonë e më i ngushtë gjatë viteve të fundit.

Objektivi më i lartë për çdo agjenci zbulimi është futja e një agjenti të saj brenda rradhëve të armikut, për të siguruar informacione dhe madje për të prishur planet. Kjo duket të jetë ajo që arritën të bënin shërbimet saudite dhe amerikane të zbulimit kundër degës më të rrezikshme të al-Kaidës, asaj të Gadishullit Arabik, ose siç njihet ndryshe AQAP.

Sipas njoftimeve të shtypit, njeriu i rekrutuar nga al-Kaida për të kryer sulmin me një version të ri, e më të sofistikuar bombe, ishte një agjent i dyfishtë që punonte për shërbimin saudit të zbulimit me mbështetjen e CIA-s. Agjenti, i cili mbetet i paidentifikuar, u largua nga Jemeni duke ia dorëzuar bombën oficerëve të zbulimit arab dhe amerikan.

Ish Drejtori i CIA-s Michael Hayden thotë se operacione të tilla janë jashtëzakonisht të vështira dhe duan shumë kohë për t’u realizuar.

"Duhen krijuar rrjete, duhet bërë i mundur depërtimi në brendësi. Kjo kërkon durim të madh. Mendoj se rezultatet që pamë ditët e fundit janë një përmbushje e përpjekjeve tona që filluan disa vjet më parë, duke arritur kështu të bëhemi po aq të aftë dhe efikasë kundër al-Kaidës në Gadishullin Arabik e në Jemen sa jemi edhe në Azinë Jugore."

Gjatë operacioneve të tilla, CIA shpesh mbështetet tek partnerët e saj që njohin territorin dhe që të kanë njerëz të cilët mund të depërtojnë më lehtë në rradhët e kundërshtarit.

Sebastian Gorka, një analist ushtarak i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, me qendër në Uashington, thotë se shërbimi i zbulimit i Arabisë Suadite nuk ka qenë gjithmonë një partner i besueshëm, sidomos në vitet menjëherë pas sulmeve të al-Kaidës në Shtetet e Bashkuara, në shtator të vitit 2001. Por, ai thotë se al-Kaida bëri që agjencitë e shërbimeve sekrete të të dy vendeve të bashkëpunonin më ngushtë, kur ajo filloi sulmet edhe kundër Arabisë Saudite.

"Në fillim, ata premtonin vërtetë shumë, por realizonin shumë pak. Dhe kjo është e kuptueshme, po të merret parasysh se sa anëtarë të qeverisë dhe zyrtarë të lartë arabë ishin në fakt mbështetës të Osama bin Ladenit dhe organizatave të tjera ekstremiste. Kjo situatë ndryshoi në vitet 2004-2006, kur al-Kaida vendosi të vinte në shënjestër forcat saudite të sigurisë. "

Ish Drejtori i CIA-s Michael Hayden thotë se udhëheqja saudite u zemërua shumë, sidomos zëvendësministri i Brendshëm dhe shefi i antiterrorizmit Princi Muhamed bin Nayef.

"Kjo u bë puna numër një për Princin Muhamed në vitin 2003 dhe 2004, kur al-Kaida shkeli një armëpushim të nënkuptuar me mbretërinë dhe filloi të kryejë sulme në Arabinë Saudite, duke vrarë qytetarë perëndimorë dhe duke zemëruar kështu mbretin dhe shërbimet e tij të sigurisë. Gjatë asaj kohe Princi Muhamed bin Nayef, ose si e quajmë ne MBN, filloi një fushatë shumë agresive kundër al-Kaidës në Arabinë Saudite. "

Goditja e Arabisë çoi në largimin e shumë udhëheqësve të al-Kaidës drejt jugut, në Jemen, ku formuan degën AQAP. Ish-agjenti i FBI-së Ali Soufan, autor i librit "The Black Banner", mbi rolin e tij si një agjent i fshehtë kundër al-Kaidës, thotë se tashmë dega e Gadishullit Arabik, kryesisht në Jemen, është më e rrezikshmja e të gjithë rrjetit të al-Kaidës.

"Ajo që e bën al-Kaidën e Gadishullit Arabik të veçantë është se këta individë, pra pjesëtarët kryesorë të grupit, përbëjnë në të vërtetë versionin më të afërt me al-Kaidën e Bin Ladenit që ne kemi sot në botë. Ka shumë degë të al-Kaidës, dhe ato janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe punojnë së bashku. Por shumë prej tyre u bashkuan me al-Kaidën pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001. Ndërsa al-Kaida në Gadishullin Arabik ishte një grup njerëzish të cilët ishin anëtarë të al-Kaidës dhe që punonin për Bin Laden, dhe që ishin trajnuar në kampet e stërvitjes së al-Kaidës."

Siç ve në dukje ish-agjenti i FBI-sëm, Ali Soufan përpjekjet kundër terrorizmit duhet të jenë përherë të suksesshme për të zbuluar komplotet, ndërsa terroristëve u mjafton një rast i vetëm për të qënë të suksesshëm që të kenë ndikim të madh.

XS
SM
MD
LG