Lidhje

Nënshkruhet ligji për amnistinë në Kosovë


Presidentja Atifete Jahjaga nënshkroi Ligjin për Amnistinë, që synon të lehtësojë integrimin e strukturave serbe në veriun e Kosovës

Dy muaj pas miratimit në Parlamentin e Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga, nënshkroi sot Ligjin për Amnistinë. I paraparë më marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ligji synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Nënshkrimi i këtij ligji që është miratuar më 11 korrik të këtij viti, u vonua për shkak se lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton marrëveshjen Kosovë Serbi, kërkoi mendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth tij.



Më tre shtator Gjykata shpalli vendimin se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit, është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, duke përjashtuar disa nene të tij, të cilat janë larguar nga ligji i nënshkruar sot nga presidentja e Kosovës.

Por, cilat mund të jenë ndikimet e këtij ligji? Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ligji duket i pa ndikim në veriun e Kosovës, për integrimin e të cilit ishte konceptuar fillimisht...
Betim Musliu
Betim Musliu


Më katër korrik të këtij viti, janë themeluar institucionet e reja në atë pjesë të vendit duke e kundërshtuar prapë rendin kushtetues e juridik të Kosovës sepse është themeluar Kuvendi i Kosovës nga përfaqësues serb të cilët janë mbledhur në pjesën veriore të Kosovës. Dhe është pak sa e palogjikshme që të njëjtat krime t'i amnistosh deri më datën 20 qershor dhe të njëjtat krime tashmë duhet t'i ndjekesh pas datës 20 qershor sepse janë kryer pikërisht nga këto struktura ilegale. Kjo do të pamundësojë çështjen e integrimit të këtyre strukturave në institucionet e Kosovës”, tha zoti Musliu.

Ndërsa Fisnik Korenica nga Grupi për studime juridike dhe politike tha se politikisht ligji mundëson transformimim e strukturave paralele në veri në kuadër të sistemit institucional të Kosovës, por të kontrolluara sërish nga Beogradi.

Dhe në këtë formë, Beogradi do të jetë më prezentë se kurrë në mënyrë institucionale në veriun e Kosovës, ku ligji për amnistinë në fakt do të pamundësoj që qeveria dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë që të hetojë dhe procedoj penalisht ato struktura që deri vonë e kanë kundërshtuar shtetin e Kosovës dhe kanë bërë veprime penale kundër Republikës së Kosovës”, tha zoti Korenica.

Miratimi i ligjit kishte nxitur shumë debate edhe në shoqërinë civile rreth gamës së veprave që përfshinë ai dhe mundësinë që për amnistimin edhe të individëve apo strukturave tjera që mund të jenë të përfshirë në vepra kriminale në gjithë Kosovën - e jo vetëm në veriun e saj. Por, zoti Musliu thotë se me ndryshimet që i janë bërë ligjit, kjo është pamundësuar.

Nuk është shumë problematike sepse do të amnistohen të gjitha ato krime të cilat janë kryer me një kusht, nëse ato janë kryer në kuadër të veprës penale thirrjes për rezistencë, pra të gjitha krimet si shmangja nga tatimi apo veprat tjera për të cilat është bërë shumë jehonë, do të ketë amnisti vetëm nëse janë kryer pasi është kryer vepra penale thirrje për rezistencë, në të kundërtën nuk do të kryhet këto vepra penale dhe nuk do të falen në pjesën jugore që e ka pranuar realitetin e Kosovës dhe i ka pranuar këto institucione”, tha zoti Musliu.

Por, për zotin Korenica, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të interpretohet drejt nga zbatuesit e ligjit në Kosovë.
Fisnik Korenica
Fisnik Korenica


Sistemi gjyqësor në Kosovë, prokurorët duhet të kenë kujdes që në zbatimin e ligjit për amnistinë të njëjtën kohë të zbatojnë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e bënë të qartë se një amnisti e tillë është kushtetuese vetëm nëse e përfshinë strukturat paralele serbe dhe pjesëtarët e tyre, por asgjë jashtë këtyre strukturave që tregon se nëse do të ketë zbatim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga kjo amnisti nuk guxojnë të përfitojnë asnjë pjesëtar apo asnjë individ në Kosovë i cili nuk ka vepruar nën drejtimin e strukturave paralele serbe në Kosovë”, tha zoti Korenica.

Beogradi e kishte vënë si kusht për transformimi e strukturave paralele në veriun e Kosovës ligjin për amnistinë i cili do të duhej të ndihmonte përfshirjen e strukturave të sigurisë dhe të drejtësisë në sistemin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG