Lidhje

Ligji i ri i Arizonës, hyn në fuqi pa klauzolat e debatueshme


Një ligj i ri i imigracionit hyri në fuqi në shtetin jugperendimor të Arizonës sot por pa disa nga klauzolat e tij të debatueshme. Një gjykatëse amerikane vendosi një pezullim të përkohshëm dje ndaj një pjese të ligjit që do ti kërkonte policisë të kontrollonte statusin e imigracionit të çdo personi që do të ndalonin për një shkelje dhe që dyshohet se është në këtë vend ilegalisht. Megjithatë guvernatorja e Arizonës Jan Brewer tha se kjo betejë nuk ka përfunduar.

Gjykatësja federale i bllokoi pjesët më të debatueshme të ligjit të ri të Arizonës mbi imigracionin vetëm disa orë para se ai të hynte në fuqi.
Vendimi i gjykatëses Susan Bolton e ndryshon drejtimin e debatit tani në gjykata dhe vendos një betejë të gjatë ligjore që mund të mos vendoset deri me ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë.
Guvernatorja republikane Jan Brewer tha se do ta apelojë vendimin.
“Ne e dinim edhe para se të ndodhte kjo sigurisht se njëra palë apo tjetra do të apelonte. Pra procesi ka filluar,” tha guvernatorja.

Klauzolat që i nervozuan më shumë kundërshtatërt nuk do të hyjnë në fuqi, përfshi ato pjesë që u kërkojnë oficerëve të policisë të kontrollojnë statusin e imigracionit të një personi.

Gjykatësja pezulloi përkohësisht gjithashtu ato pjesë të ligjit që u kërkojnë imigrantëve të mbajnë dokumentat me vete gjatë gjithë kohës dhe që e bën të paligjshme për punëtorët pa dokumenta të kërkojnë punësim në vendet publike.
Gjykatësja bllokoi gjithashtu atë pjesë të ligjit që kërkonte arrestimin e imigrantëve të dyshuar ilegalë.
“Duke u kërkuar zyrtarëve të rendit dhe agjencive në Arizona të përcaktojnë statusin e imigracionit të çdo personi që arrestohet vë ngarkesë mbi imigrantët e ligjshëm pasi liria e tyre do të kufizohet ndërsa kontrollohet statusi i tyre”, tha gjykatësja në vendimin e saj.
Ajo tha se pjesët e debatueshme të ligjit duhet të pezullohen derisa gjykatat ta zgjidhin çështjen.

Klauzola të tjera të ligjit, shumë prej të cilave janë një rishikim i statutit ekzistues të imigracionit në Arizona hyn sot në fuqi.

Avokatët e shtetit thonë se ligji është kushtetues dhe se Arizona nuk duhet të vuaj nga sistemi i çalë i imigracionit në Amerikë kur ka 15 mijë oficerë policie që mund të arrestojnë imigrantët e paligjshëm.
Vendimi për pezullimin erdhi ndërsa policia po bënte përgatitjet e minutës së fundit për të filluar zbatimin e ligjit dhe protestuesit po planifikonin demonstrata madhore kundër tij.

Kundërshtarët e ligjit argumentojnë se ai do të çojë në dallime raciale. Përkrahësit e ligjit gjetën ngushëllim në faktin se gjykatësja nuk preku disa pjesë të tij përfshi atë që pengon qeveritë lokale të kufizojnë zbatimin e ligjeve federale të imigracionit. Të tjerë vazhdojnë të jenë optimist pavarësisht kësaj sprapsjeje.
“Asgjë nuk do të ndryshojë nesër apo ndërsa ne vazhdojmë luftën tonë kundër imigracionit të paligjshëm. Ne do të vazhdojmë", tha sherifi Joe Arpaio i distriktit Maricopa.
Ndërkohë protestuesit e mbledhur në qëndër të qytetit brohoritën kur dëgjuan lajmin.
"Jam e çliruar nga ky vendim si shumë të tjerë që po prisnin të shihnin çdo të ndodhte. Ata ishin gati të paketonin e të largoheshin. Tani nuk kanë përse të ikin kështu që jemi shumë të lumtur për ta".
Shteti mund ta apelojë vendimin e gjykatëses Bolton në gjykatën e apeleve në San Francisco.

XS
SM
MD
LG