Lidhje

Polemika për ligjin e nëpunësit civil


Ligji pjesë e paketës së kërkuar nga Brukseli. Basha: Qeveria kërkon të shtyjë hyrjen në fuqi. Rrezikohet statusi. Atentat konsensusit. Celibashi: Opozita është ftuar të gjejë zgjidhje

Në Shqipëri opozita kundërshtoi sot me forcë një vendim që sipas saj pritet të marrë qeveria e kryeministrit Edi Rama për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Ky ligj i miratuar me konsensus në muajin maj, ishte një ndër tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat. Kryetar demokrat Lulzim Basha tha sot se një vendim i tillë do të rrezikonte statusin dhe do të ishte një goditje e konsensusit politik. Por ministri për Marrëdhëniet me parlamentin, Ilirjan Celibashi shpjegoi se ligji nuk do të kishte efekt pasi nuk janë miratuar aktet për vënien në zbatim të tij, dhe se për këtë cështje do të kërkohej bashkëpunimi i opozitës për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje

Polemika për ligjin e nëpunësit civil
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00
Pas një beteje të gjatë politike, parlamenti shqiptar u thirr në një seacë të jashtëzakonshme në fund të muajit maj, për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga Brukseli si kusht që vendit t’i jepej statusi kandidat. Palët arritën kompromisin duke pranuar që hyrja në fuqi e tyre të bëhej më 1 tetor. Mes këtyre tre ligjeve ishte edhe ai për nëpunësin civil, i cili rikthehet si pjesë e polemikave politike.

Sot demokratët në opozitë u shprehën të alarmuar rreth një vendii të mundshëm të qeverisë sipas të cilit do të kërkohej shtyrja e zbatimit të tij. Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha paralajmëroi rrezikun e dështimit në marrjen e statusit dhe goditjen e konsensusit ndërpartiak për të cilin vendi do të ketë nevojë edhe në të ardhmen tha ai duke ftuar kryeministrin Rama të tërhiqej: “Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë: Pasi e bllokuan sa deshën marrjen e statusit kandidat në opozitë, Rama me të tijtë nuk kanë asnjë punë tjetër për të bërë tani që kanë ardhur në pushtet, përveç se të shkojnë në Bruksel e ta marrin këtë status në emër të Shqipërisë.
Ua kemi bërë gati ne. Ua kemi lënë punët të kryera të gjitha. Por t’i thërrasë mendjes se tashmë si qeveritar po rrezikon me këtë që ka në mendje me administratën publike. Ky do të ishte një ekzekutim i pafalshëm dhe pa kthim i konsensusit, pasojat e të cilit do të bien mbi të gjithë shqiptarët por përgjegjësi do të ketë një dhe vetëm një emër”.

Por ministri për marëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi, tha se problemi qëndron te fakti se për këtë ligj, “mungojnë aktet e nëvojshme nënligjore që do ta bënin atë efektiv, ndryshe, edhe nëse hyn në fuqi më 1 tetor ai do të mbetej i pazbatueshëm. Edhe nëse aktet nënligjore do të ishin gati, sërish ato do të kërkonin kohën e tyre për të hyrë në fuqi, e për pasojë, rrezikohet të mbetet një periudhë vakuumi”, shpjegon zoti Celibashi, i cili shton se ende qeveria nuk ka vendosur përfundimisht se si do të duhet të veprohet. Ministri Celibashi tha se opozitës parlamentare i është bërë ftesë për të diskutuar rreth këtij problemi dhe rrugëzgjidhjeve të mundshme.

Polemikat mbi këtë ligj vijnë në një moment kur opozita përditë e më shumë po ngre zërin ndaj asaj që e konsideron si një revansh të së majtës ndaj administratës publike, që po shoqërohet, sipas saj, me largime masive të punonjësve në institucionet shtetërore.
XS
SM
MD
LG