Lidhje

Maqedoni, debati mbi ligjin për mediat


Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ka thënë të martën se qeveria e tij do të pranojë çfarëdo ligji për median që e dëshiron Bashkimi Evropian, por jo diçka që nuk ekziston askund. Mbi reformat e në ligjin për median, po bisedojnë grupet e punës së katër partive kryesore, me ndërmjetësimin e ekspertit evropian Peter Van Houtte, por bisedimet që po zgjasin me javë, ende nuk kanë dhënë rezultate. Ndërkaq, në këtë kuadër, shoqatat e gazetarëve në vend kërkojnë reformimin e shërbimit publik të Radio-televizionit të Maqedonisë.

Kryeministri maqedonas vlerëson se ligji aktual përmbush standardet evropiane dhe se ai ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës, por se qeveria e tij është e gatshme të bëjë reforma, me që kjo po kërkohet.

Shoqatat e gazetarëve, ndërkohë vërejnë mungesën e pjesëtarëve të medias në bisedimet mbi çështjen, që më së shumti i prek ata. Ka vlerësime, nga ana tjetër, se draftit do t’i bëhen obstruksione dhe se një marrëveshje nuk do të mund të arrihet lehtë pa trysninë ndërkombëtare.

Ndërmjetësi Van Houtte ua ka paraqitur palëve politike draftin, i cili parashikon reforma, mes tjerash, në radiotelevizionin publik të Maqedonisë, por dhe ndryshime në aspektin e ndëshkimeve për median që nuk i përmbahet kritereve për paanshmëri, transparencë, etj.

XS
SM
MD
LG