Lidhje

Reagime ndaj artikullit për Bengazin

  • Michael Bowman

Një ligjvënës me influencë ka hedhur poshtë përfundimet e një artikulli në New York Times ku thuhet se nuk janë zbuluar lidhje mes al-Qaidës dhe sulmit ndaj konsullatës amerikane në Bengazi në shtator 2012, ku mbetën të vrarë 4 amerikanë.

Kaosi dhe dhuna që pushtuan kompleksin amerikan në Bengazi dhe lanë pas katër amerikanë të vrarë, përfshirë ambasadorin Christopher Stevens, ka qenë në qendër të vëmendjes për Kongresin dhe jaanë bërë burim akuzash të vazhdueshme nga republikanët se administrata u tregua e paaftë dhe u përpoq të mbulonte të vërtetën. Tani një proces hetimor prej disa muajsh nga gazeta The New York Times arrin në përfundimin se administrata kishte deri diku të drejtë kur u shpreh se sulmi ishte një akt spontan, rezultat i një revolte lokale lidhur me një video që ofendonte fenë islame.

Gazeta pohon se luftëtarë lokalë islamikë morën pjesë në sulm, pa pasur lidhje me al-Qaidën, apo me ndonjë grup tjetër terrorist.

Në komentet për rrjetin televiziv Fox, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, republikani Mike Rogers tha se gazeta e kishte interpretuar gabim incidentin:

“Kishte synime për sulm nga al-Qaida dhe bashkëpunëtorët e saj në Libi. Këtë e dimë. Individët në terren folën për një veprim taktik ndaj kompleksit amerikan. E gjitha kjo bie direkt në kundërshtim me përfundimet që botoi gazeta”.


Po në komentet për rrjetin Fox, ligjvënësi demokrat Adam Schiff tha se artikulli pasqyron një realitet të ndërlikuar, por nuk përpiqet të justifikojë mangësitë në procedurat e sigurisë për kompleksin amerikan në Bengazi:

“Nuk mendoj se artikulli në gazetën The New York Times u shkrua në mënyrë që të justifikonte dobësitë në punën e Departamentit të Shtetit që lanë katër amerikanë të pambrojtur si duhet. Por mendoj se ofron hollësi me vlerë. Shërbimet e zbulimit kanë zbuluar se al-Qaida ishte e përfshirë, por ka plot grupe të tjera, plot individë që nuk kanë lidhje me al-Qaidën, por kishin gisht në këtë sulm. Sipas analizës së shërbimeve të zbulimit, disa individë erdhën me synimin për të kryer vrasje, disa erdhën për vandalizëm, disa erdhën për të plaçkitur dhe disa erdhën thjesht të motivuar nga këto video”.

Gazeta thotë se “fiskimi” i Shteteve të Bashkuara pas al-Qaidës ndoshta u bë shkak që zyrtarët e zbulimit të mos kapnin kërcënime më të pranishme, përfshirë grupe të armatosura anti-perëndimore në Bengazi. Artikulli bazohet në intervista të shumta me libianë në Bengazi.
XS
SM
MD
LG