Lidhje

Ligjvënësi Rohrabaker propozon shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës


Ligjvënësi Rohrabaker propozon shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës
Ligjvënësi Rohrabaker propozon shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher thotë se shkëmbimi i territoreve mes Sërbisë dhe Kosovës është zgjidhje e mirë, nga e cila dyja palët do të përfitonin. Në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, ligjvenësi amerikan thotë se hapja e çështjes së kufijve nuk do të ndikojë në çështjet e tjera në rajon, sepse bëhet fjalë për shkëmbim territoresh mes dy vendeve sovrane.

Ligjvenësi republikan Dana Rohrabacher thotë se në dhjetë vitet e fundit Shtetet e Bashkuara janë përqëndruar në Afganistan dhe Irak, por se ende ka çështje të pazgjidhura në Ballkan ku Shtetet e Bashkuara kanë përdorur forcën në vitet 1990 për të parandaluar vrasjen masive të popullit të Kosovës nga diktatura sërbe. Ai thotë se duhet të ketë një plan të ri, i cili do të shmangte një luftë tjetër në Ballkan. Ligjvenësi Rohrabacher thotë se një luftë tjetër mes këtyre dy vendeve do të ishte e tmerrshme për popujt e rajonit dhe do të krijonte paqëndrueshmëri në mbarë botën, veçanërisht në Evropë.

Ai thotë se për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare konflikteve të vazhdueshme mes popullit të Kosovës dhe fqinjit të tyre serb duhet të ndryshohen kufijtë aktual që janë vendosur në vitet 1950 nga regjimi i Titos.

“Unë mendoj se për t’i dhënë fund këtij konflikti të hidhur dhe urrejtjes mes popullit të Kosovës dhe serbëve ne duhet të pranojmë kufij realistë, në vend që të imponojmë kufijtë e vjetër, të cilët janë vendosur nga Titua”.

Zoti Rohrabacher thotë se nëse e Kosovës i njihet e drejta për vetëvendosje, edhe sërbëve në veri të Kosovës duhet t’u njihet e drejta për vetëvendosje. Por ai thotë, se ekziston një zgjidhje shumë e lehtë për këtë, sepse në Luginën e Preshevës 90 përqind e popullsisë janë kosovarë, të cilët nuk duan të jenë pjesë e Serbisë.

“Kështu që një shkëmbim territoresh, në këtë rast, nuk do të rezultonte në humbje të madhe të popullsisë ose territorit për këto dy vende. Do të ishte një zgjidhje nga e cila të dyja palët do të fitonin”.

Ligjvenësi Rohrabacher thotë se kjo zgjidhje do të ulte tensionet dhe do të rriste mundësinë për bashkëpunim mes këtyre popujve. Lidhur me shqetësimet se hapja e çështjes së kufijve mund të ketë ndikim negativ në rajon, zoti Rohrabacher thotë se frika nga kjo zgjidhje nuk është e arsyeshme. Ai thotë se bëhet fjalë për shkëmbim reciprok të territoreve dy vendeve sovrane.

“Pra, ne po flasim për një përfitim reciprok të shkëmbimit të territoreve. Kjo nuk do të shkaktojë hapje të çështjeve tjera. Kjo do të krijojë mundësi për fillimin e negociatave për shkëmbimin e dyanshëm të territoreve, që do ta përmirësonte situatën atje”.

Ligjvenësi Rorhabacher thotë se për shkak të armiqësive dhe situatës së tensionuar është e vështirë që njerëzit të jenë të arsyeshëm. Por, duhet të binden kosovarët dhe sërbët se kjo është zgjidhje e mirë për të dyja palët. Kosovarët në veçanti mund të përfitojnë nga kjo zgjidhje sepse 90 përqind e popullsisë në veri të lumit Ibër është e përkatësisë sërbe. Dhe nëse situata vazhdon të injorohet dhe nuk bëhet asgjë, ata do ta humbasin atë pjesë të territorit. Ai tha se trupat amerikane do të largohen nga Kosova brenda disa vitesh për shkak të problemeve financiare në Amerikës. Pas largimit të trupave amerikane nga Kosova, nëse problemin në veri të vendit nuk zgjidhjet, shton ai, kriza dhe konflikti mund të shpërthejë përsëri.

“Kriza dhe paqëndrueshmëria do të minonte shanset e të dyja vendeve për paqe dhe begati. Kështu që ata duhet të ballafaqohen me faktet dhe të bëjnë kompromis”.

Edhe diplomatët amerikanë dhe evropianë duhet të ballafaqohen më këto fakte, thotë ligjvenësi amerikan.

Ai shton se kjo është ideja e tij, për të cilën në fillimi analistët kanë thënë se është e parealizueshme. Por, sipas tij, kjo fazë është kapërcyer dhe tani ka njerëz në Kosovë dhe Serbi të cilët po e shqyrtojnë me seriozitet këtë ide. Qëndrimi i qeverisë amerikane është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Shtetet e Bashkuara e njohin Kosovën si një shtet sovran me kufijtë e tanishëm. Ligjvenësi Rohrabacher tha se shpreson që diplomatët amerikanë do ta shqyrtojnë me seriozitet këtë ide sepse, sipas tij, ose do të lejohet të vazhdojë përkeqësimi i situatës atje, ose duhet ofruar një plan, që do ta qetësonte situatën dhe do të krijonte marrëdhënie paqësore mes sërbëve dhe kosovarëve.

XS
SM
MD
LG