Lidhje

SHBA: Ligjvënës hedhin poshtë kërkesën e Pakistanit për ndaljen e sulmeve pa pilot


Të martën, një komision qeveritar i Pakistanit kërkoi dhënien fund të sulmeve ushtarake amerikane me aeroplanë të telekomanduar . I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara duhet të plotësojë kërkesën e Pakistanit, senatori i pavarur Joe Lieberman foli shkoqur.

“Jo. Sulmet me aeroplanë të telekomanduar janë të rendësishëm për sigurinë kombëtare të Amerikës. Ndaj, nuk mendoj se duhen ndaluar.”

Sulmet me aeroplanë të telekomanduar kanë eleminuar dhjetëra terroristë dhe militantë radikalë në territorin pakistanez pranë kufirit me Afganistanin. Programi filloi në kohën e ish presidentit George W. Bush dhe është zgjeruar dramatikisht nën presidentin Barak Obama.

Në një raport të lexuar para parlamentit të Pakistanit, një komision qeveritar i përshkroi sulmet me aeroplanë të telekomanduar si antiproduktiv, duke pretenduar se sulmet radikalizojnë popullsinë lokale, krijojnë mbështetje për terroristët dhe nxisin ndjenjat anti-amerikane. Por sulmet me avionë të telekomanduar janë si rezultat i mungesës së përpjekjeve më agresive të Pakistanit për të mposhtur terroristët dhe militatët radikalë, thotë senatorja demokrate Dianne Feinstein, kryetare e Komisionit të Senatit për Zbulimin.

“Mendoj se çelësi është nëse Pakistani do të ndërhyjë në Waziristanin Verior dhe vende të tjera dhe mposhtë udhëheqësit terroristë që po nxisin dhe drejtojnë sulmet kundër trupave tona në Afganistan. Mendoj se kjo është çështja e cila përcakton nëse Pakistani do të ndërmarrë veprime dhe mbyllë fabrikat e bombave dhe ndjekë udhëheqjen terroriste. Nëse bëhet kjo, aeroplanët me telekomandë do të ishin të panevojshëm.”

Pakistani prej kohësh është ankuar se sulmet me avionë të telekomanduar shkelin sovranitetin kombëtar. Megjithëse Pakistani asnjëherë nuk i ka dhënë Shteteve të Bashkuara leje zyrtare për sulmet, ato besohet se ndërmerren me njëfarë bashkëpunimi nga agjencia e zbulimit pakistanez. Senatori republikan Lindsey Graham thotë se ai është i ndërgjegjshëm për kundërshtimet e Pakistanit.

“Besoj se sovraniteti është një çështje e madhe për çdo vend. Por do të dëshiroja të shikoja Pakistanin të përqafojë idenë se ekstremizmi nuk është i mirëpritur në Pakistan. Ditën që populli pakistanez u thotë ekstremistëve përmes qeverisë se ju nuk jeni të mirëpritur këtu, do të jetë një arritje e madhe për popullin e pakistanit.”

Zoti Graham thotë se sulmet me aeroplanë të telekomanduar kanë qënë të efektshëm dhe sikurse u shpreh ai, nuk është në interesin afatgjatë të Pakistanit që të shikohet nga bota si një strehë e sigurtë për terroristët.

XS
SM
MD
LG