Lidhje

Ligjvënësit amerikanë diskutojnë rreth marrëdhënieve me Pakistanin, pas vrasjes së bin Ladenit

  • Cindy Saine

Ligjvënësit amerikanë diskutojnë rreth marrëdhënieve me Pakistanin, pas vrasjes së bin Ladenit

Ligjvënësit amerikanë diskutojnë rreth marrëdhënieve me Pakistanin, pas vrasjes së bin Ladenit

Ligjvënësit amerikanë po ngrenë pyetje se si udhëheqësi terrorist i al-Qaidës bin Laden ishte në gjendje të jetonte në një kompleks të fortifikuar në një qytet të Pakistanit për gjashtë vjet pa dijeninë e qeverisë pakistaneze, zbulimit apo ushtrisë. Disa ligjvënës po thonë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Pakistanin janë në udhëkryq.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit Leon Panneta njoftoi anëtarët e Kongresit në një sesion me dyer të mbyllura të martën mbi detajet e aksionit që çoi në asgjësimin e Osama bin Ladenit. Pas takimit, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë, Peter King, republikan nga New Yorku, u tha gazetarëve se administrata e presidentit Obama dhe Kongresi duhet të rishqyrtojnë marrëdhëniet e Washingtonit me Pakistanin.

"Vendndodhja e bin Ladenit krejt afër akademisë ushtarake, krejt afër zyrave qendrore të zbulimit pakistanez, ISI, duke banuar në një zonë shumë të pasur ku jetojnë zyrtarë ushtarakë dhe të zbulimit të dalë në pension, e bën shumë të vështirë të besosh se disa elementë të qeverisë pakistaneze, qofshin të ushtrisë apo zbulimit, nuk kishin dijeni mbi këtë."

Kongresmani King tha se marrëdhëniet e Amerikës me Pakistanin kanë qënë të trazuara më parë, por tani gjenden në udhëkryq.

"Padyshim kjo është një marrëdhënie shumë e rëndësishme, por kjo marrëdhënie ka ndryshuar, mendoj që nga e diela. Kjo tashmë do të jetë pjesë e negociatave, pjesë e takimeve mes pakistanezëve dhe administratës së presidentit Obama dhe Kongresit."

Ligjvënës të tjerë po shtronin të njëjtën pyetje rreth asaj çfarë dinte qeveria pakistaneze mbi vendstrehimin e bin Ladenit. Në një seancë dëgjimore të caktuar më parë të Komisionit për Sigurinë e Vendit mbi kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara që burojnë nga Pakistani, ligjvënësja demokrate Jackie Speier e Kalifornisë u shpreh kështu:

"Bin Laden nuk u gjet në një shpellë, kompleksi i tij ishte më pak se tre kilomtra larg një akademie elitë ushtarake të Pakistanit. Ne duhet të pyesim se si ishte e mundur që ai të fshihet aty ku e shihnin të gjithë për një periudhë kaq të gjatë kohore."

Kongresmeni republikan Patrick Meehan i Pensilvanisë shtroi pyetjen nëse fakti që bin Laden ishte në gjendje të strehohej për gjashtë vjet tregon ndarje të besnikërisë apo bashkëpunim mes disa pjesëtarëve të ushtrisë apo zbulimit pakistanez.

Një prej ekspertëve në seancën dëgjimore, Seth Jones, analist me përvojë me Korporatën Rand, tha se gjatë ditëve menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, autoritetet pakistaneze bënë disa arrestime të udhëheqësve të lartë të al-Qaidës në zonat urbane, përfshi organizatorin e dyshuar të sulmeve, Khalid Sheikh Mohammed. Por ai tha se arrestime të tilla nuk kanë ndodhur më gjatë viteve të fundit.

"Nëse ka patur bashkëpunim apo paaftësi, të paktën nuk ka patur prioritet të lartë në goditjen e udhëheqësve të lartë të al-Qaidës në Pakistan."

Disa ligjvënës ngritën pyetjen nëse udhëheqës të tjerë të lartë të al-Qaidës mund të jenë duke u strehuar po ashtu në Pakistan. Ekspertët e sigurisë kombëtare në senacën dëgjimore u pajtuan se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Pakistanin janë thelbësore për të dy vendet. Ata thanë se të dy vendet duhet të jenë të ndershme me njëri-tjetrin tani e tutje, të paktën me dyer të mbylluara.

XS
SM
MD
LG