Lidhje

Ligjvënësit reagojnë ndaj sulmeve


Ligjvënësit amerikanë reaguan ndaj sulmeve të para ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri, ku disa udhëheqës të kongresit përshëndetën veprimin e ndërmarrë nga Presidenti Barack Obama. Por disa ligjvënës të tjerë thonë se natyra e misionit të Shteteve të Bashkuara po ndryshon, dhe se Kongresi duhet të debatojë dhe të votojë për autorizimin e një fushate më të gjerë dhe më të qëndrueshme ushtarake kundër grupeve terroriste në Irak dhe Siri.

Anëtarët e Kongresit janë kthyer në shtetet e tyre për një pushim shtatë javësh dhe shumë prej tyre po bëjnë fushatë për zgjedhjet e 4 nëntorit. Por një numër i ligjvënësve i dhanë mbështetje të fortë sulmeve të para ajrore amerikane kundër pozicioneve të grupeve militante brenda Sirisë.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Karl Levin tha se është historike që në këto sulme janë përfshirë vende si Bahreini, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner tha se ai mbështet sulmet ajrore të urdhëruara nga presidenti, nëse ato janë vetëm një hap në atë që duhet të jetë një përpjekje më e gjërë për mposhtjen e organizatës terroriste.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti Obama nënvizoi mbështetjen dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat për misionin amerikan kundër ekstremistëve islamikë.

Por disa ligjvënës shprehën shqetësimin e tyre mbi sulmet ajrore duke thënë se natyra e veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara është duke ndryshuar. Senatori demokrat Tim Kaine foli në një diskutim në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington.

"Unë mendoj se presidenti nuk duhet ta bëjë këtë pa miratimin e Kongresit. Në qoftë se do të ketë një llogaridhënie për këtë, Kongresi nuk duhet të lejojë që ajo të ndodh pa përfshirjen e tij".

Para se të largohej nga qyteti për pushime, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votoi një masë për të autorizuar Departamentin e Mbrojtjes që të trajnojë dhe pajisë rebelët sirianë që po luftojnë kundër grupit të Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS. Senatori demokrat Bill Nelson, tha se kjo është e nevojshme për momentin.

"Siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara është duke u kërcënuar nga ISIS. Siç e kam thënë pa pushim, unë besoj se presidenti ka autoritetin kushtetues për të kryer sulme kundër ISIS-it në Siri, ashtu siç ka bërë në Irakun verior. Kjo është detyra e tij kushtetuese si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura".

Kongresi kthehet nga pushimet më 12 nëntor, dhe më pas do të ketë një muaj për të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal. Disa ligjvënës thonë se Kongresi duhet të autorizojë fonde shtesë për fushatën ajrore kundër Shtetit Islamik, dhe se miratimi i fondeve duhet të jetë pjesë e një debati më të gjerë për autorizimin e misionit në tërësi.

XS
SM
MD
LG