Lidhje

Ligjvënësit republikanë hedhin poshtë buxhetin e presidentit Obama për vitin 2013

  • Cindy Saine

Ligjvënësit republikanë hedhin poshtë buxhetin e presidentit Obama për vitin 2013

Ligjvënësit republikanë hedhin poshtë buxhetin e presidentit Obama për vitin 2013

Republikanët në Kongres po hedhin poshtë propozimin e presidentit Barak Obama për buxhetin fiskal për vitin 2013, duke thënë se ai tkurr përgjegjësitë e tij për të bërë shkurtime të theksuara të nevojshme për të reduktuar defiçitin amerikan prej 15 trilion dollarësh. Por demokratët e zotit Obama në Kongres po e mbështesin buxhetin si një balancë mes taksave të mëdha për amerikanët e pasur dhe shkurtimet pragmatike të shpenzimeve.

Ligjvënësit republikan e kritikuan menjëherë buxhetin e propozuar nga presidenti Obama si një dokument politik në vitin zgjedhor që menjanon shkurtimet e ashpra të shpenzimeve qeveritare, për të cilat thonë se janë shumë të nevojshme për të trajtuar problemet fiskale të vendit. Senatori republikan John Barraso nga shteti Wyoming.

“Mendoj se presidenti e ka braktisur rolin e tij si udhëheqës i këtij vendi duke mos qënë i ndershëm me popullin amerikan rreth rendësisë së borxhit kombëtar. Për këtë arsye dikush më pyeti nëse buxheti ishte i pashpresë qysh në mbërritje. Unë thash jo, thashë se është borxh.”

Disa senatorë republikanë e akuzuan presidentin për lojë politike, duke thënë se ai kërkon të shkojë në mbarë vendin për të promovuar pjesën popullore të buxhetit të tij, për të cilën ata thonë se presidenti e di që nuk do të miratohet kurrë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët dhe mesa duket nuk ka gjasa të dalë për votë në Senatin e kontrolluar nga demokratët.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell nga shteti Kentucky e kritikoi atë që e quajti reagim të presidentit ndaj krizës së borxheve të vendit dhe papunësisë.

“Cili është reagimi i presidentit? Një buxhet për të cilin e di që as partia e tij nuk e mbështet, ky është reagimi ndaj borxheve prej 15 trilion dollarë. Kjo është maskaradë.”

Ligjvënësit demokrat e vlerësuan presidentin për caktimin për siç thanë ata të përparësive afatgjata. Disa demokratë thanë se një trajtim me dy hapa është i nevojshëm së pari të nxisë ekonominë ende të dobët me investime në infrastrukturë dhe arsim, dhe së dyti, të kufizojë shpenzimet më vonë kur vendi të ketë një ekonomi më të fortë. Demokrati Chris van Hollen nga shteti Maryland u shpreh kështu.

“Buxheti i presidentit është i mirë për vendin. Është i mirë për vendet e punës; është i mirë për të nxitur një ekonomi të dobët. Është i mirë kur flitet për investimet afatgjata në arsim, në shkencë dhe kërkime, në novacione dhe gjerat që ne kemi nevojë për themele të forta për ekonominë në vitet që vijnë.”

Buxheti i presidentit Obama do të rrisë taksat për ata që kanë të ardhura të mëdha dhe do të shtojë financimet për infrastrukturën amerikane, përfitimet për të papunët dhe ndihmën federale për shtetet e goditura rëndë nga renia ekonomike.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të propozojnë legjislacionin e tyre për buxhetin muajin që vjen, i cili mesa duket do të hedhë poshtë rritjen e taksave duke favorizuar shkurtime të thella në shpenzimet sociale.

Por me Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët dhe Senatin nga demokratët, analistët thonë se të dy dhomat mesa duket nuk do të miratojnë buxhetin fiskal për vitin 2013, dhe ndoshta do të pezullojnë çdo veprim buxhetor deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

XS
SM
MD
LG