Lidhje

Lindja e Mesme mirëpret lajmin e vrasjes së Bin Ladenit

  • Elizabeth Arrot

Kompleksi ku u vra udhëheqësi i al-Qaidës, Osama bin Laden

Kompleksi ku u vra udhëheqësi i al-Qaidës, Osama bin Laden

Në Jemen, ku al-Kaida u themelua dhe morri hov, zyrtarët qeveritarë përshëndetën lajmin si një pikë kthese në luftën kundër terrorizmit. Të njëjtën gjë bënë edhe qytetarët e thjeshtë jemenas.

Banori i Sanës, Mortada Abed Al Kader thotë se bin Ladeni ishte i lidhur me shumë keqbërje kundër Islamit dhe se vdekja e tij ishte e drejtë.

Shprehje të ngjashme u dëgjuan edhe nga udhëheqës dhe qytetarë në mbarë rajonin.

Presidenti turk Abdullah Gul tha se veprimi tregon se terroristët në fund kapen, gjallë ose të vdekur.

Në Izrael ku qeveria ishte një nga objektivat kryesor të bin Ladenit, udhëheqësit shprehën gëzim ndaj lajmit. Kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti këtë një fitore të drejtësisë. Por, grupi islamik palestinez Hamas e dënoi vrasjen, duke e quajtur bin Ladenin një luftëtar të shenjtë arab.

Një objektiv tjetër, Arabia Saudite, vendlindja e bin Ladenit dhe vendi që i hoqi atij qytetarinë në vitin 1991, ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare. Qeveria saudite ka luftuar për sprapsjen e sulmeve terroriste për vite të tëra dhe është përpjekur të rehabilitojë pasuesit e udhëheqësit të al-Kaidës.

Trashëgimia e lënë nga Bin Ladeni në rajon përbëhet nga një numër i vogël por vdekjeprurës grupesh të frymëzuara nga taktikat e tij terroriste dhe lufta e tij kundër të gjitha gjërave të konsideruara jo-islamike. Një brez i ri i ka përkrahur këto ide dhe i ka shpërndarë ato, kryesisht të pavarura, duke tërhequr pasues nga një rrjet i gjerë në mbarë botën. Një nga pasuesit e bin Ladenit në Jemen thotë se vdekja e tij vetëm shton devotshmërinë ndaj kauzës së tij.

Përkrahësi i Al Kaidës Mohammed Alwatari thotë se në se bin Laden ka vdekur vërtet, një mijë Osama bin Laden të tjerë do të shfaqen me ndihmën e Zotit.

Në rrugët e Kajros, banori Mohamed Rashad thotë se dhuna e vazhdueshme në vende si Marroku tregon se al-Kaida mund të jetë ende aktive në rajon.

Ai thotë se al-Kaida nuk është një person, dhe megjithëse bin Ladeni ka vdekur, popullariteti i grupit të tij në vendet arabe vazhdon.

Por përveç atyre që e panë bin Ladenin si udhëheqës shpirtëror apo simbolik, ka shumë të tjerë që u tmeruan nga përcaktimi i pabesisë nga Al-Kaida. Në Irak, ku është parë dhuna më e rëndë sektare e kryer nën parrullën e grupit të al-Kaidës, kishte optimizëm rreth lajmit se bin Ladeni kishte vdekur, edhe ndërsa një bombë shpërtheu në një lagje shiite të Bagdatit disa orë pas njoftimit.

Abdul Zahra Muttar, banori i Bagdatit tha se al-Kaida ndihmoi për të përgojuar figurën e vërtetë të Ismalit dhe ka shkaktuar shumë dëme për popullin mysliman në Irak dhe në botë.

Por ndoshta aspekti më i dukshëm në rajon për vdekjen e bin Ladenit mund të jetë moslidhja me realitetin e atjeshëm. Vizioni i dhunshëm dhe puritan i shefit të al-Kaidës për Islamin ka qënë pothuajse i padukshëm në valën e protestave popullore që kanë tronditur botën arabe. Said Sadek është profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Kajros.

Lëvizja e tanishme demokratike në botën arabe udhëhiqet kryesisht nga të rinjtë, klasa e mesme dhe ata nuk duan një teokraci. Parrullat e tyre janë shumë të qarta, ata kërkojnë një shtet civil, një shtet demokratik dhe të përgjegjshëm. Kështu që bin Laden nuk ishte një figurë popullore apo dikush me ide për reforma.

Profesori thekson se edhe grupi Vëllazërimi Mysliman në Egjipt, i cili kishte rrënjë të ngjashme në politikën islame, e ka dënuar islamizmin militant dhe vrasjet. Sadek beson se vetëm një grupi i vogël njerëzish që urrejnë Perëndimin dhe përqasjen e moderuar ndaj politikave do të ndjehet “si jetim” nga vdekja e bin Ladenit.

XS
SM
MD
LG