Lidhje

Operacionet ndaj Sirisë; Lindja e Mesme reagon

  • Edward Yeranian

Reagime të përziera erdhën nga Lindja e Mesme pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hapur një debat në Kongres lidhur me sulmin me armë kimike për të cilin akuzohet qeveria siriane.

Televizioni shtetëror sirian tregonte përkrahës të qeverisë që shprehnin mbështetje për ushtrinë ndërsa prezantuesit e emisioneve folën me tone sfiduese kundër Shteteve të Bashkuara pasi u njoftua se veprimet ushtarake u shtynë për të lejuar një debat në Kongresin amerikan.

Zëvendës Ministri i Jashtëm i Sirisë Faisal Mekdad foli për Presidentin Obama duke thënë se ai dukej se “po nguronte dhe ishte i konfuzuar” për vendimin e tij për t’i kërkuar Kongresit miratim për një goditje ushtarake kundër Sirisë.

Një professor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Damaskut tha për televizionin sirian se Siria kishte shënuar një triumf tentativ mbi vendet që “po përpiqeshin të kryenin akte agresore kundër saj”, por tha se inspektorët e OKB-së për armët nuk ishin lejuar të kryenin misionin e tyre origjinal:

Ai tha se inspektorët e armëve ishin ftuar për të hetuar nëse ishin përdorur armë kimike nga opozita në Khan al Assel pranë Alepos, por nuk ishin lejuar të përmbushnin këtë mision nga kriza në periferi të Damaskut që synonte të largonte vëmendjen nga sulmi i kryengritësve me armë kimike.

Në një konferencë për shtyp në Damask, Shefi i Komisionit për Cështje të Jashtme në Parlamentin iranian, Ala'a Eddin Borojurdi, këmbënguli se Teherani “dënon përdorimin e armëve kimike” por akuzoi kryengritësit se kishin përdorur këto armë.

Zoti Borojurdi akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuarsa se po luajnë me zjarrin duke mbështetur ato që i cilësoi si “terroristë islamistë suni” në radhët e kryengritësve sirianë.

Ai shprehet se Presidenti Obama dhe aleatë të tjerë të Amerikës po mbështesin terrorizmin në rajon dhe tani do të duhet të japin llogari para popujve të tyre.

Në Kajro, ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe zhvilluan takime zyrtare e jozyrtare dje për të diskutuar krizën në Siri. Ministri i Jashtëm saudit al Faisal tha në një konferencë për shtyp se kishte ardhur koha që t’i jepet fund konfliktit në Siri:

Ai tha se ka ardhur koha që Lidhja Arabe dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë ç’është e nevojshme për të ndihmuar popullin sirian me të gjitha mjetet e mundshme për të ndalur gjakderdhjen. Presidenti Obama, tha ai më tej, do të “kërkojë autorizim nga Kongresi” për “përdorimin e kufizuar të forcës” pa dërguar trupa tokësore, për të mbrojtur popullin sirian.

Ministri i Jashtëm egjiptian Nabil Fahmy tha se vendi i tij është kundër përdorimit të forcës dhe bëri thirrje për shtimin e presionit për të zhvilluar një konferencë për paqe në Gjenevë si dhe për të lejuar që gjykatat ndërkombëtare të japin opinionin e tyre për përdorimin e armëve kimike.

Ai thotë se përdorimi i armëve kimike është një çështje që prek normat morale dhe ligjore dhe duhet trajtuar nga ligji ndërkombëtar dhe institucionet përkatëse të OKB-së. Egjipti është kundër përdorimit të forcës në këtë rast.

Kanalet satelitore arabe njoftuan se Presidenti sirian Bashar al Assad tha në një takim me një delegacion të parlamentit iranian se “kërcënimet kundër Damaskut nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do ta dekurajonin atë në betejën e tij kundër terrorizmit” siç u shpreh ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG