Lidhje

Liria e besimit dhe radikalizimi i myslimanëve në Federatën Ruse

  • Peter Fedynsky

Liria e besimit dhe radikalizimi i myslimanëve në Federatën Ruse

Liria e besimit dhe radikalizimi i myslimanëve në Federatën Ruse

Farkhat Faizulin është një nga 12 myslimanët e Tatarstanit, burgosur për përpjekjen e dhunshme për ta rrëzuar qeverinë e kësaj republike. Ai gjithashtu akuzohet për anëtarësim në Hizb ut-Tahrir, një organizatë e cila kërkon bashkimin e të gjitha vendeve myslimane.

Prokurorët nuk paraqitën ndonjë provë për mbajtje armësh ose eksplozivësh në gjyqin e të akuzuarëve të mbajtur më 2007. Ata vunë në dukje konfiskimin e literaturës islamike, përfshirë literaturën e organizatës Hizb ut-Tahrir. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se mendimi i prokurorëve se grupi në fjalë kishte qëllime të dhunshme bazohet në literaturën e organizatës Hizb ut-Tahrir. Të akuzuarit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Bashkëshortja e Faizulin-it, Gulnara Faizulina, i tha Zërit të Amerikës se apeli i gjykatës së lartë merret me çështje proceduriale.

Faizulina thotë se të akuzuarëve u është mohuar e drejta për gjykim me juri dhe mbrojtje, identiteti i dëshmitarëve është mbajtur sekret dhe të akuzuarit nuk mund t’i marrin në pyetje siç duhet.

Duke folur gjatë një konference për shtyp në Moskë, drejtori i Institutit Rus për të Drejtat e Njeriut, Valentin Gefter tha se çështja që është në rrëzik në kët apel nuk është lufta e shtetit kundër terrorizmit por lufta kundër ideve të pavarura.

Gefter thotë se lufta në Rusi në këtë rast specifik dhe në Kaukaz nuk është kundër ideve ose njerëzve të cilët mund të kenë ide radikale ose të dhunshme, por kjo është një luftë kundër gjithë atyre që kanë mendime të ndryshme me autoritetet lokale dhe ato federale.

Alexei Malashenko, ekspert i Islamit në qendrën Karnegi në Moskë, thotë se nuk ka një kuptim të qartë në Rusi mbi përkufizimin e Islamizmit radikal. Ai vë në dukje se mosmarrëveshjet teologjike janë të zakonshme në të gjitha fetë. Ai gjithashtu përmendi rastet kur autoritetet civile ruse janë përfshirë në çështjet e besimit.

Malashenko thotë se duhet përmendur se një gjykatës, pra një autoritet civil, ofron udhëzime mbi ritualet e duhura apo të paduhura fetare. Malashenko e quan të pakuptimtë këtë veprim, duke shtuar se një kryebashkiak i një qyteti të vogël në natën e disa ngjarjeve tragjike në Kabardino-Balkaria publikoi një orar që përcakton kohën se kur duhet të shkojnë njerëzit në xhami.

Elena Ryabinina nga Instituti për të Drejtat e Njeriut thotë se operacionet anti-terroriste të shtetit kanë shkaktuar një numër viktimash të pafajshme të cilët janë të bindur se nuk mund ta mbrojnë veten përmes mënyrave të ligjshme.

Ryabanina thotë se me rritjen e grupeve që bien pre e shtypjes, rritet edhe numri i grupeve që kritikojnë qeverinë. Ajo thotë se megjithëse grupet janë tërësisht të ndryshme, ato i bashkojnë dy faktor të fuqishëm, feja e përbashkët dhe shqetësimi që vjenë nga fushatat shtypëse.

Valentin Gefter thotë se ndërhyrjet civile në çështjet e fesë po e kthejnë Islamizmin në hero në mesin njerëzve të zakonshëm. Ai thotë se fushatat e pamëshirshme kundër ekstremizmit islamik në Çeçeni janë shoqëruar me urdhëresa mbi kodin veshjes për studentet femra në shkollë. Gefter thotë se veprimet e tilla nxisin pakënaqësi.

Gefter në vazhdim thotë se agjencitë ruse të sigurisë vitin e kaluar i kanë bërë presion parlamentit dhe presidentit Dimitri Medvedev për eliminimin e jurisë në sistemin gjyqësor në rastet e terrorizmit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kjo i ka ofruar mundësi jo vetëm për manipulime, trysni, dhe kryerjen e gjërave të papranuaeshme gjatë hetimeve, por kjo ka çuar edhe në diktimin e verdikteve të gjykatës nga autoritetet.

Alexei Malashenko thotë se nuk dihet numri i saktë i njerëzve që po radikalizohen nga lufta e shtetit kundër terrorizmit. Siç tha ai, numri i ekstremistëve islamikë është i barabartë me numrin të cilin autoritetet kërkojnë kur u duhen atyre, nganjherë ata kanë nevojë për shumë eskremistë, nganjëherë atyre u duhen vetëm disa ekstremistë. Ai vuri në dukje se presidenti çeçen Ramzan Kadyrov ka thënë se në republikën e tij nuk kanë mbetur më shumë se 500 rrebelë. Më vonë ai u kishte thënë forcave të sigurisë se në të vërtetë çdo familje çeçene ka një rrebel, gjë që do të çonte numrin e tyre në mijëra.

Gulnara Faizulina thotë se ajo nuk pret që gjykata e lartë ruse të marrë vendim në favor të burrit të saj. Vendimi do të merret pas rreth tre javësh. Ai tanimë ka shërbyer tre vjetë e gjysmë nga katër vjetë e gjysmë të dënimit të përgjithshëm. Ai mund të ishte dënuar me 20 vjetë burgim. Ajo vuri në dukje se gjithë të akuzuarit janë dënuar me më pak se 10 vjetë burgim, që sipas saj tregon se autoritetet nuk kanë patur prova të mjaftueshme.

Nëse është e nevojshme, të akuzuarit planifikojnë të bejnë një apel në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

XS
SM
MD
LG