Lidhje

Dinamika mes lirisë së fjalës e lirisë së besimit

  • Elisabeth Arrott

Dhuna e ditëve të fundit në Libi, Egjipt dhe Jemen ka sjellë përsëri në qendër të vëmendjes tensionet që ekzistojnë mes fjalës së lirë, sado ofenduese dhe dinjitetit fetar. Disa analistë politikë në Kairo thonë se e vetmja kurë për këtë situatë është zgjerimi i dialogut:

Sulmet ndaj misioneve diplomatike amerikane në Libi, Egjipt dhe Jemen tregojnë se sa e lehtë është të ndizen emocionet kundër një vendi aleat të këtyre popujve. Një realizim filmik amator, thuajse i panjohur, që vë në lojë Profetin Muhamet, u prit me revolta dhe përfundoi me vrasje.

Said Sadek është professor i Sociologjisë Politike në Universitetin Amerikan në Kairo:

“Ky është çmimi që paguhet për ekstremizmin. Nëse ata që realizuan filmin kërkonin një reagim ekstremist, e arritën me sukses”.

Profesor Sadek arsyeton se ekstremistët në të dyja skajet arritën atë që deshën: për njërën palë - të provonin se Islami është i dhunshëm dhe për palën tjetër se Amerika është armiku i fesë së tyre. Ata shënuan pikë në kurriz të atyre që janë në qendër të spektrit, përfshirë ambasadorin që u vra Chris Stevens:

“Shumica e njerëzve, myslimanë dhe të krishterë nuk janë ekstremistë, por janë pengje të ekstremistëve në të dyja skajet. Secila anë po provokon diçka dhe pala tjetër përgjigjet duke u përpjekur të shtyjë shumicën drejt ekstremizmit dhe dyshimeve e intolerancës”.

Profesor Sadek thotë se kjo është një axhengë anti-perëndimore që vihet me lehtësi në zbatim:

“Ekziston një keqinterpretim në vendet myslimane lidhur me marrëdhënien mes qeverisë dhe medias. Në këto vende njerëzit ende mendojnë se gjërat janë si në regjimet autokratike: Qeveria i jep urdhëra medias për të bërë njërën apo tjetrën. Presidenti Obama nuk dha urdhër që të realizohej filmi kundër Islamit. Në fakt ai akuzohet në Amerikë se është pro-myslimanëve”.

Qeveria libiane e dënoi haptazi sulmin në Bengazi. Përgjigja fillestare e Egjiptit nuk përmendte vdekjen e ambasadorit Stevens, megjithëse një ditë më pas Egjipti dënoi “aktet e jashtëligjshme” kundër ambasadave të huaja.

Ziad Akl Moussa është analist politik në Kairo:

“Nuk mendoj se qeveria ka kapital të mjaftueshëm politik që t’i kundërvihet atij vizioni. Ata nuk mund të thoshin se thjesht bëhej fjalë për një film ofendues që nuk ka ndonjë rëndësi dhe nuk përfaqëson administratën amerikane dhe që bëhet fjalë thjesht për lirinë e fjalës”. Nuk kishte si ta thonin këtë”.

Kjo dinamikë është vërejtur disa herë gjatë viteve të fundit, si në rastin e karikaturistit danez i cili tallej me Profetin Muhamet si dhe me imazhe të tjera perëndimore që konsiderohen si ofenduese dhe shkaktuan revolta të hapura.

“Është tensioni që ekziston mes krijimtarisë që Perëndimi e vë në piedestal dhe caqeve që ekzistojnë në Lindje. Nuk do të thotë që njëra është mirë e tjetra është gabim, është thjesht një mospërputhje pikëpamjesh të cilën nuk e kemi analizuar kurrë”.

Ai argumenton se deri kur qeveritë të arrijnë ta parashtrojnë bindshëm këtë çështje si diçka që lidhet me lirinë e fjalës dhe jo me sulme kundër fesë, akte të tilla dhune do të vazhdojnë të shfaqen.
XS
SM
MD
LG