Lidhje

Shqipëri - Ndryshime të forta në listat e kandidatëve


Dy partitë më të mëdha lënë jashtë emra të njohur. Arben Malaj i pavarur në Vlorë, me ish kryetarin socialist Fatos Nano në krah.

Në Shqipëri dy partitë e mëdha i bënë ndryshime të forta listës së kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit të ardhshëm. Në partinë demokratike u lanë jashtë disa emra që kontribuojnë prej vitesh ndërsa të tjerë janë lënë në zonën e rrezikut. Po ashtu edhe në partinë socialiste, ku ish ministri i Financave Arben Malaj, një kritik i kryetarit Edi Rama vuri kandidaturën si i pavarur dhe sot u shfaq me në krah ish udhëheqësin historik të së majtës Fatos Nano

Që prej mesnatës së mbrëmshme përplasja për 23 qershorin ka nisur me forcat e rreshtuara në fushën e betejës. Të dy partitë kryesore kanë rifreskuar ndjeshëm përfaqësuesit që do të hedhin në garën duke ndryshuar gati mbi 40 përqind të emrave që në këto katër vite i kanë përfaqësuar në parlament. Në radhët e demokratëve nuk do të jenë figura që kanë shoqëruar historinë e kësaj partie prej shumë vitesh, si Fatos Beja, Jemin Gjana, Ilir Bano, por edhe të tjerë që kanë spikatur për nga angazhimi si Enkelejd Alibeaj, apo edhe zoti Ilir Rusmali I vendosur në pjesën e ftohtë të listës së Tiranës. Në sy bie edhe mungesa e zotit Selami Xhepa apo dhe Mark Marku, nga zërat e pakët që kanë folur për problemet në partinë demokratike. Ndërkohë që demokratëve u kërkohet të votojnë per socialistin Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani në Tiranë dhe Gjovalin Kadelin në Lezhë e po ashtu edhe për kryetarët e partive aleate që kanë zgjedhur të lënë siglat e tyre për të patur të sigurt vendin e ardhshëm në parlament.

Të shumta edhe ndërhyrjet e kryetarit socialist Edi Rama në listën e partisë së tij e cila, ashtu si dhe në kampin tjetër, vetëm mbrëmë ju bë e njohur kryesisë. Lista paraqitet me lëvizje të shumta nëpër qarqe ndërsa jashtë saj u lanë po ashtu emra jo pak të njohur mes të cilëve edhe dy anëtarët e kryesisë Arben Isarai dhe Arben Malaj, ky i fundit i njohur për qëndrimet kritike ndaj zotit Rama. Sic njoftoi që mbrëmë, zoti Malaj u regjistrua si kandidat I pavarur në qarkun e Vlorës. Sot ai u shfaq në krah të ish udhëheqësit historik të së majtës Fatos Nano.

“Marrja e këtij vendimi është një ndjenjë përgjegjësie dhe koha do të jetë gjykatësi më I marrë. Mandati I fituar nga ky angazhim do të jetë në shërbim vetëm të socialistëve, sigurisht për ta bërë PS-në fituese, por edhe për të mbrojtur nga tendencat neodiktatoriale në organizmin dhe drejtimin e saj, që I ka kushtuar rëndë në 8 vite opozitë”, tha zoti Malaj. Ndërsa zoti Nano ironizoi me përfshirjen në listën e partisë socialiste të botuesit dhe sipërmarrësit Koco Kokëdhima, I njohur për miqësinë e ngushtë me zotin Rama: “Nëse votat e socialistëve të Vlorës do të shkojnë te Arben Malaj e jot e Koco Kokëdhima, kjo është përgjegjësi e Ramës jo e jona”.

Përvec debateve për emrat e rinj, rasti i zotit Malaj por edhe të tjerë, si ai i zotit Agron Duka, dëshmuan në një farë mënyre një dobësi të zotit Rama për të evituar hemorragji të panevojshme përpara një sfide ku sistemi elektoral i jep vlerë të artë ndonjëherë edhe një grushti votash. Sepse sipas të gjitha gjasave fituesi do të përcaktohet nga rezultatet në tre ose katër qarqe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG