Lidhje

Ekspertët mbi shanset e TAP-it dhe Nabuccos

  • Julian Zyla

Pas disa muajsh pritet të merret vendimi për rrugën përmes së cilës do të kalojë gazi i rajonit të Kaspikut për në Evropë. Shqipëria është një prej vendeve të shumta të interesuara për këtë burim të ri energjitik. Në lojë janë dy projekte konkurrente TAP-i dhe Nabucco West. Por cili prej tyre i ka shanset më të mira për t’u zgjedhur? Cilët faktorë do të ndikojnë në vendim-marrje? Kolegu Julian Zyla bisedoi me dy ekspertë, një në Itali dhe një këtu në Shtetet e Bashkuara, për të marrë mendimet e tyre.



Në këtë përballje interesash, është sikur të kishim dy skuadra: në njërën anë janë Greqia, Shqipëria dhe Italia, ndërsa në tjetrën Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Austria. Për çfarë konkurrojnë? Secili grup shtetesh kërkon që gazsjellësi i Korridorit të Jugut – i cili do të shkojë nga vendburimi Shah Deniz i Azerbajxhanit deri në Evropë – të kalojë nëpërmjet territorit të tyre. Për pjesën e gazsjellësit nga Azerbajxhani në Turqi palët kanë rënë dakord, dhe në qershor pritet një vendim për vazhdimin e tij. Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, parashikon që pas Turqisë gazi i Azerbajxhanit të kalojë në Greqi dhe Shqipëri për të përfunduar në Itali. Nëse do të zgjidhej projekti konkurrent Nabucco West gazsjellësi do të ndiqte trajektoren më në veri (Bullgari, Rumani, Hungari, Austri).
Gianfranco Lizza është profesor i Gjeopolitikës në universitetin Sapienza të Romës. Gjatë një bisede përmes Skypit, ai tha se i ashtuquajturi Korridori i Jugut është rrjedhojë e disa dinamikave historike të nisura dekada më parë.

“Çështja filloi pas rënies së Murit të Berlinit, kur Shtetet e Bashkuara tentuan të thyenin monopolin e Rusisë mbi transportimin e rezervave energjitike të detit Kaspik dhe të rajonit të Kaukazit. SHBA-ja tentoi, pra, të shmangte kalimin mbi territorin rus të naftës dhe gazit, duke kërkuar që ato të transportoheshin nëpërmjet territoreve të vendeve të tjera. Rusët, në të kundërt, kanë kërkuar të rrisin në maksimum vlerën e rrjetit që ekziston që në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, duke u përpjekur edhe ta integrojnë atë me linja të reja transporti që duhet të kalonin gjithmonë në territorin rus. Me këtë ata donin të shmangnin hapësirat e ish republikave sovjetike, të cilat kanë ushtruar shpesh presion mbi Rusinë përsa i përket të drejtave të tranzitit dhe kanë shfrytëzuar politikisht pozicionet e tyre ndaj saj. Pra, këto dy qëndrime krejtësisht të kundërta kanë krijuar situata të ndryshme si dhe struktura të reja për transportimin e rezervave energjitike.”

Edhe sipas profesorit të universitetit Columbia në Nju Jork, Jenik Radon, interesimi për projektin e Korridorit të Jugut erdhi si pasojë e suksesit të projekteve të mëparshme për transportimin e rezervave nga Azerbajxhani për në Perëndim. Zoti Radon ka shërbyer si këshilltar i huaj dhe negociator kryesor për Gjeorgjinë në projektet me vlerë prej disa miliardë dollarësh për tubacionet e gazit dhe naftës, që nëpërmjet kryeqytetit gjerogjian, Tbilisi, shkojnë nga Azerbajxhani në Turqi. Gjeorgjia i ka dhënë atij Urdhrin e Nderit, çmimi më i lartë civil në vend. Ai thotë se të dy projektet, TAP dhe Nabucco West, janë shumë të besueshëm dhe konkurrues.

“Këto dy projekte konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe unë mendoj se është diçka e shëndetshme, pasi konkurrenca është gjë shumë e mirë. Azerbajxhani (SOCAR) dhe partnerët e tjerë dëshirojnë të fitojnë sa më shumë prej gazit, kjo është e natyrshme. Evropa nga ana e saj dëshiron të paguajë sa më pak të jetë e mundur për gazin që do të blejë, që gjithashtu është diçka e natyrshme. Çmimi përfundimtar që Azerbaixhani do të përfitojë për gazin e tij do të duhet të marrë parasysh dy faktorë të rëndësishëm: një, koston e tranzitit nëpërmjet Turqisë, dhe dy, koston e tranzitit nëpërmjet gazsjellësit që duhet ende të përcaktohet: TAP ose Nabucco West. Në rastin e këtyre dy alternativave, kostot për partnerët kanë të bëjnë me ndërtimin e vetë tubacionit që do zgjidhet, por gjithashtu edhe me tarifat e tranzitit direkte apo indirekte, të cilat do të ndikojnë tek çmimi neto që ata do të përfitojnë. Pra, siç kuptohet, do të jetë kryesisht një llogaritje ekonomike...”

Zoti Radon thotë se edhe qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara – të cilat shprehen se nuk kanë asnjë preferencë lidhur me çështjen e zgjedhjes midis TAP-it dhe projektit Nabucco West – ka të bëjë me vlerësime ekonomike e tregtare.

“Unë them se është e qartë që Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë interes në vetvete. Mjafton të shohim ku shkon gazi. Gazi shkon në Evropë, pra Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë blerës, dhe si rrjedhojë përbëjnë një pjesëmarrës neutral ose vëzhgues të procesit.”

Profesor Lizza mendon gjithashtu se aspektet ekonomike do të jenë vendimtare, pasi, sipas tij, interesat gjeopolitike të përfshira nuk do të jenë në gjendje të kenë shumë ndikim tek vendimi i kompanive partnere.

“Projekti Nabucco West ... duket një projekt pak më “i pjekur” dhe më i realizueshëm se projekti TAP. Megjithatë vendimi lidhur me zgjedhjen e njërit prej projekteve do të jetë vendim ekonomik, sepse kjo konkurrencë mes TAP-it dhe Nabuccos është një ndeshje gjeopolitike që luhet kryesisht në Evropë. Pra nuk kemi të bëjmë më me çështjen: brenda apo jashtë territorit të Rusisë. Dhe meqënëse pesha gjeopolitike e vendeve të përfshira në dy projektet në fjalë është e vogël, për mendimin tim “ndeshja” do të luhet midis kompanive ndërkombëtare. Nuk do të jenë qeveritë e vendeve ato që do të përcaktojnë vendimin, por do të jenë pikërisht kompanitë e mëdha ndërkombëtare.”

Për sa i përket shanseve të secilit projekt për t’u zgjedhur, të dy ekspertët janë të mendimit se Nabucco West ka avantazhe ndaj TAP-it. Profesori Radon, i Universitetit Columbia, thotë se ende nuk është e qartë se cila nga dy alternativat do të fitojë, por sipas tij vendet e projektit Nabucco West kanë përparësi, sepse kërkesa e konsumatorëve në atë zonë është më e lartë.

“Është e qartë se rruga veriore (Nabucco West) shkon në “zemër” të Evropës, që ekonomikisht është pjesa e shëndetshme e kontinentit në këtë moment dhe përbën pjesën dinamike të tij. Gjermania është duke u kthyer shumë më tepër drejt gazit nga çka bërë në të kaluarën, pasi kjo do të ulte varësinë e saj ndaj energjisë bërthamore dhe qymyrit. Pra vendet me kërkesëm më të lartë të gazit janë Gjermania, Austria dhe në një shkallë më të vogël Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria. Këto vende përbëjnë zona shumë të qëndrueshme ekonomike. Kjo do të thotë se kërkesa atje do të rritet me kalimin e kohës. Rruga jugore, TAP, nuk ofron konsumatorë me të njëjtin potencial. Pra, nëse do të pyesnim se ku gjendet tregu më premtues, përgjigja është në Evropën Qendrore. Ky është njëri aspekt. Aspekti tjetër që duhet të merret parasysh është kostoja e dy projekteve në fjalë. Unë deri tani nuk kam parë shifra të sakta të publikuara që të krahasojnë kostot e ndërtimit dhe pagesat e tjera midis TAP-it dhe Nabuccos, por është e qartë që TAP-i është më i shkurtër, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik për të përfunduar në Itali. Megjithatë, ndërtimi nën det mund t’i rriste shpenzimet për projektin. Pra, ende nuk është ende e qartë se cila nga dy alternativat do të fitojë, por unë mendoj se rruga veriore ka një avantazh, sepse atje kërkesa e konsumatorëve është më e madhe, edhe pse ka konkurrencë në ofertë nga gazi rus. Pra, në qoftë se unë do të përpiqesha të parashikoja të ardhmen, do të thoja se Nabucco West ofron më shumë potencial për të tashmen dhe për të ardhmen dhe kjo është diçka shumë tërheqëse dhe stimuluese për partnerët e gazit të Shah Denizit. Pra, nëse do të ishim objektivë, Evropa veriore ka një avantazh.”

Profesor Gianfranco Lizza përqëndrohet tek veprimet tregtare të mundshme të kompanive të Shah Denizit dhe tek problemet me të cilat përballen vendet e TAP-it.

“Besoj se projekti Nabucco West ka më tepër shanse për t’u realizuar sepse konsorciumi që po administron vendburimin e Shah Denizit po konsideron t’iu shesë një pjesë të paketës së aksioneve kompanive ndërkombëtare që menaxhojnë projektin Nabucco West. Për këtë arsye mendoj se shtetet në të cilat kalon Nabucco West mund të veprojnë më konkretisht. Ndërsa shtetet e përfshira në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik – Greqia, Shqipëria dhe Italia – kanë disa pengesa, përveç se dhe një peshë gjeopoltike të vogël. Duhet patur parasysh se Greqia, ekonomikisht, po kalon një moment mjaft të vështirë. Megjithatë qeverinë greke e lehtëson fakti se nuk do t’i duhet të financojë projektin, pasi ai do të mbulohet në pjesën më të madhe të tij nga grupe private apo nga organizma ndërkombëtarë, si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Përsa i përket Shqipërisë, do të thoja se vendit i intereson shumë që gazsjellësi të kalonte në territorin e tij pasi do të hapte vende të reja pune, do të sillte një qëndrueshmëri më të madhe ekonomike dhe ndoshta do të mund të përgatiste vendin për hyrjen e pritshme në Bashkimin Evropian. Prandaj, besoj se qeveria do të bëjë gjithçka të mundur për realizimin e projektit TAP. Në rastin e Italisë, problemi ynë është ngadalësia burokratike për shkak të procedurave të gjata administrative. Por duhet parë edhe se si do të ndikojnë zgjedhjet e sapozhvilluara, sepse, për shembull, dimë që Lëvizja me Pesë Yje është kundër projektit ‘Trans-Adriatic Pipeline’ (TAP), ashtu siç ishte kundër projektit TAV, për trenat me shpejtësi të lartë. Në një situatë të tillë, është e vështirë të parashikohet se sa shumë presion do të ushtrohet nga Italia për realizimin e këtij gazsjellësi nëpërmjet detit Adriatik.”

Profesor Lizza nuk përjashton as mundësinë e realizimit të të dyja projekteve në të ardhmen.

“Për mendimin tim, po të hedhim një vështrim pak më larg, duke patur parasysh faktin që konsumi i gazit në Evropë do të rritet, këto projekte gazsjellësish mund të realizohen të dyja, të paktën pjesërisht. TAP-i është një zgjatim prej vetëm rreth 800 kilometrash i Korridorit të Jugut, i cili praktikisht ka filluar të ndërtohet. Por edhe Nabucco West mendoj se do të realizohet në të ardhmen pasi shtetet në të cilat ai do të kalonte janë të “etura” për gaz. Dhe kompanitë e përfshira do të kujdesen patjetër për përfitimet dhe interesat e tyre ekonomike.”

Eksperti i çështjeve të energjisë Janik Radon thotë se në rastin konkret të Shqipërisë mund të luajë rol garancia që vendi do të arrijë t’i japë partnerëve të Shah Denizit lidhur me kuadrin ligjor mbi të cilin do të mbështetej realizimi i projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik.

“Gjëja më e rëndësishme është fakti se Shqipëria nuk është anëtare e BE-së dhe nuk është ende as vend kandidat. Prandaj, ajo duhet të japë garanci të forta që sistemi i saj ligjor – i cili do të lejojë ndërtimin e tubacioneve dhe kalimin tranzit të gazit përmes Shqipërisë – është po aq i fortë sa sistemet ligjore që garantojnë vendet anëtare të BE-së; pasi Nabucco West kalon vetëm në vendet e Bashkimit Evropian. Pra, ky është një shqetësim që mund të ngrihet. A është sistemi ligjor në Shqipëri aq i fortë sa ai në BE? Është e rëndësishme që Shqipëria të sigurojë partnerët e Shah Denizit që sistemi i saj ligjor mund të jetë po aq i fortë e i besueshëm.”

Ekspertët thonë se vendet e përfshira në projektet konkurrente TAP dhe Nabucco West duhet të kryejnë të gjitha lëvizjet e duhura, nëse dëshirojnë që “skuadra” e tyre të mund të fitojë. Por sipas tyre rezultati i përballjes do të përcaktohet nga interesat ekonomike të kompanive që zotërojnë projektin Shah Deniz II në Azerbajxhan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG