Lidhje

Llalla: Përparësia ime, rivitalizimi i institucionit të Prokurorisë


Intervistë me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara për një vizitë pune, gjatë së cilës është takuar me zyrtarë të lartë të amerikanë të rendit e të ligjit. Zoti Llalla ishte i ftuar për një bisedë në studion e "Ditarit".

Zëri i Amerikës: Zori Llalla, kjo është vizita juaj e parë në Shtetet e Bashkuara që pas marrjes së postit të Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë pranë prokurorisë shqiptare, e kanë ndihmuar atë sa herë ajo ka pasur nevojë. Cili ishte synimi i kësaj vizite?

Adriatik Llalla: Gjatë kësaj vizite unë kam gjetur mbështetjen e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prokurorinë shqiptare dhe për Shqipërinë, në përgjithësi për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe nga ana tjetër ofrova mbështetjen e plotë që qeveria shqiptare ofron në punën e saj kundër këtyre fenomeneve jo-ligjore.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla, një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri ka qenë problemi i korrupsionit, një problem i vjetër. Në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit flitet për një korrupsion të shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes. A mendoni se përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri kanë dështuar ose janë në prag të dështimit? Pra, përse nuk po luftohet dot korrupsioni? Pse është kaq e vështirë lufta kundër tij?

Adriatik Llalla: Korrupsioni është një problem i vjetër i shoqërisë shqiptare. Nisur nga pozita që kam patur në pozicionin e më përparshëm, por edhe prokuroria shqiptare edhe në drejtim të prokurorisë shqiptare tashmë konstatojë ky është një fenomen që duhet luftuar me të gjitha mekanizmat ligjor që shteti ka në dispozicion. Prandaj, unë kam synuar që prokuroria shqiptare të forcojë luftën e saj kundër këtij fenomeni. Së pari, duhe rivilitazuar këtë institucion si dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: A mendoni se prokoruroria sot është në lartësinë e detyrës së saj në luftën kundër korrupsionit? Pak dëgjohet prokuroria në mjedisin e Shqipërisë që të jetë në krye të kësaj lufte.

Adriatik Llalla: Prokuroria shqiptare vijon që të jetë në krye të këtij organizimi të gjithë institucioneve tjera të pavarura në luftën kundër korrupsionit. Fakti që dihet apo jo në shtyp dhe media, kjo nuk do të thotë që prokuroria do të dali, do të proklamojë veprimtarinë e saj pa fakte dhe pa prova. Ne do të dalim në të gjitha ato raste ku konstatojmë veprime jo ligjore, ku konstatojmë rastet e kundra-ligjshme që dërgohen në gjykim vetëm në bazë të provave dhe të fakteve. Raste të tilla kemi dërguar mjaftë gjatë kësaj periudhe. Mjaftë raste tjera janë ende në proces hetimi që besoj rezultatet e tyre do të bëhen prezente edhe në ditët në vijim.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi në një rast konkret. Këto ditë të fundit në shtypin shqiptar është përfolur rasti i anëtari të gjykatës së lartë i cili u dekretua tashmë për në gjykatën kushtetuese. Për zotin Fatos Lula e kam fjalën, i cili sipas agjencisë që ju e keni drejtuar më përpara, inspektoriati i kontrollit të pasurive, ka deklaruar shuma të mëdha fondesh që i janë dhënë atij në formë dhurate nga familjarët e tij. A ka sot një kërkesë nga inspektoriati ose nga prokuroria? A kanë filluar hetime për këtë rast?

Adriatik Llalla: Rasti i zotit Lulo, siç u bë prezent edhe gjatë kohës që unë drejtoja inspektoriatin e lartë, ishte një ndër rastet që kishte nevoj për hetime lidhur me personat e lidhur me zyrtarët. Ky ishte një ndër rastet që u bë shkak që inspektorati i lartë të kërkonte mendimin e ligjit për inspektioratin e lartë për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, inciaitivë ligjore e cila gjeti mbështetjen e plotë të gjithë faktorit politik shqiptar dhe tashmë inspektoriati i lartë i ka të gjitha mundësitë të hetojë këtë rast. Besoj se nëse ky inspektoriat do të referojë rastin në prokurori, prokuroria menjëherë do t’i filloj hetimet.

Zëri i Amerikës: Pra nëse ju kuptova drejtë, rasti nuk është referuar në prokurori.

Adriatik Llalla: Nuk është referuar në prokurori.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë në kohën që ju ishit drejtor i inspektoriatit, ju atëherë keni fajësuar prokurorinë që nuk ka vepruar mbi disa dosje që ju i keni dërguar në prokurori. Cili është fati i këtyre dosjeve sot? A janë ato të mbyllura tashmë apo ju mund t’i rihapni përsëri apo i keni hapur ndoshta?

Adriatik Llalla: Një pjesë e këtyre dosjeve janë rihapur dhe janë në proces hetimi. Një pjesë tjetër, shumë prej të dyshuarve si autor të veprave penale kanë ankuar rastin në gjykatë dhe rastet janë mbyllur me vendime gjyqësore përkatëse. Pra në varësi të rasteve, disa raste janë në proces hetimi, disa të tjera vijojnë të jenë të mbyllura.

Zëri i Amerikës: A mund të jepni emra të atyre që janë në proces?

Adriatik Llalla: Ende nuk mund të jepen emra për raste konkrete për arsye se hetime vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Një rast tjetër që ka të bëjë po me këtë, kohët e fundit në Shqipëri, Bashkia e Tiranës ka kërkuar fillimin e hetimeve për një ndërtesë në pronësi të familjarëve të zonjës Linda Rama, bashkëshortja e kryetarit të Partisë Socialiste. A ka vendosur prokuroria t’i filloj hetimet për këtë rast ose në çfarë faze ndodhet ky proces?

Adriatik Llalla: Prej disa muajsh nga Bashkia e Tiranës është referuar, është kallëzuar ky rast në prokurorinë e Tiranës. Janë bërë verifikimet paraprake dhe ky rast vijon të jetë në proces të hetimit.

Zëri i Amerikës: Pra kanë filluar hetimet?

Adriatik Llalla: Kanë filluar hetimet.

Zëri i Amerikës: Pra rasti është marrë në ngarkim dhe po bëhen hetimet, është hapur dosja hetimore?

Adriatik Llalla: Është hapur hetimi ludhur me këtë rast.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla, dy nga rastet më të mëdha që janë përmendur në Shqipëri vitet e fundit qp kanë të bëjnë me prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri janë çështjet e 21 janarit dhe të Gërdecit. Në qoftë se do të ndalemi të dyja ato, por fillimisht te çështja e 21 janarit. Ju e apeluat vendimin e gjykatës së shkallës së parë për 21 janarit dhe e keni çuar atë në apel. Por në apel akuza që ju keni paraqitur është pak a shumë e njejtë me akuzën që ka qenë në shkallën e parë ku ju i cilësoni vrasjet me dashje, një akuzë që u rrëzua nga kjo gjykatë. Përse është shkuar me të njejtën akuzë?

Adriatik Llalla: Institucioni ynë mendon se akuzat në ngarkim të të pandehurve janë ato për të cilat ata janë të akuzuar dhe vijon t’i qëndrojë këtij mendimi. Për këtë arsye është bërë ankimi përkatës në gjykatën e apelit. Jemi në pritje të vendimit gjyqësor lidhur me këtë rast. Ne kemi bindjen se akuzat në ngarkim të të pandehurve qëndrojnë ato që janë ngritur.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se do të ndalemi për një moment përsëri tek 21 Janari, në dosjen tuaj të ankimimit përmendej rasti i një eksperti ligjor për të cilin ju thoni se kishte manipuluar provat. Përse nuk ishte hapur çështje hetimore ndaj këtij personi që në fillim?

Adriatik Llalla: Unë kam urdhëruar hapjen e hetimeve për rastin të cilit ju i referoheni si dhe për mjaft raste të mjekëve të tjerë ligjorë për të cilët ka dyshime se abuzojnë me detyrën e tyre. Pra edhe rasti konkret përfshihet në këto hetime. Unë kam vetëm disa muaj në drejtim të prokurorisë shqiptare dhe vijojnë të jenë në proces hetimi raste të filluara rishtazi, që kanë nevojë për kohën e tyre të përfundimit të hetimeve.

Zëri i Amerikës: Po për çështjen e Gërdecit a ka prokuroria në duar hetime të reja ose rihapje dosjesh?

Adriatik Llalla: Për çështjen e Gërdecit nuk ka hetime të reja. Ne i qëndrojmë ankimimit tonë të cilin e kemi paraqitur dhe që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Mirëpritet vendimi gjyqësor, për të gjykuar më pas se si do të veprojmë.

Zëri i Amerikës: Në një intervistë që unë pata këtu në studio para disa javësh me zotin Fatmir Mediu, kur e pyeta nëse ai e konsideronte të mbyllur çështjen e Gërdecit, ai më tha “Bëjani pyetjen prokurorisë”. Pra tani jua bëj ju këtë pyetje. Çështja e tij u mbyll për arsye të imunitetit që kishte. Ligji tashmë ka ndryshuar. Zoti Mediu tani nuk ka imunitet. Familjarët kanë kërkuar rihapjen e kësaj çështjeje. A ka ndonjë qëndrim prokuroria?

Adriatik Llalla: Nëse do të ketë rrethana të reja, prokuroria pa diskutim që do të fillojë hetimet. Familjarët e viktimave nuk kanë paraqitur të dhëna të reja apo të ndryshme nga ato që janë paraqitur në momentin e parë dhe që janë hetuar nga prokuroria. Nëse do të ketë dyshime për vepra të tjera penale ose prova të tjera, pa diskutim që prokuroria do të fillojë hetimet, jo vetëm për këtë rast, por për çdo rast dhe ndaj çdo personi të dyshuar.

Zëri i Amerikës: Në tërësinë e rasteve që trajton prokuroria, shumica e rasteve madhore kanë të bëjnë me korrupsion apo me krim të organizuar?

Adriatik Llalla: Më së shumti është i përhapur fenomeni i korrupsionit. Jo se problemi i krimit të organizuar nuk është shqetësues për shoqërinë shqiptare, por fenomeni i korrupsionit është një ndër problemet më shqetësuese që ne hasim përditë. Kjo ishte një ndër problemet më shqetësuese që u diskutuan edhe në takimin që pata këtu në Departamentin e Drejtësisë, për të cilën gjetëm mbështetjen e tyre të plotë për të ofruar asistencën e tyre për strukturat përkatëse në prokurorinë shqiptare dhe në institucione të tjera të zbatimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Nëse flasim përsëri për korrupsionin si çështje kryesore, brenda këtij problemi cilat fenomene spikasin? Cila është forma e korrupsionit që dominon në çështjet që ju trajtoni?

Adriatik Llalla: Korrupsioni në administratën publike është i përhapur pothuasje në të gjithë atë sektor ku zyrtarë të ndryshëm kanë mundësinë e vendimmarrjes, si në gjyqësor ashtu dhe në prokurori, tatime, dogana etj. Kjo sjell domosdoshmërinë që institucionet shqiptare të bashkëpunojnë mes tyre në drejtimin e organizimit të prokurorisë për të forcuar luftën ndaj këtij fenomeni. Së pari, unë mendoj se duhet filluar me amendimin e ligjeve përkatëse, duke filluar nga ligji i prokurorisë i cili duhet të sanksionojë detyrimet përkatëse për prokurorët apo dhe për gjyqtarët, për të qëndruar në një periudhë të caktuar të mandatit të tyre në një territor të caktuar. Kjo për shkak të faktit se ata familjarizohen me ambjentin dhe bëhen pjesë e veprimeve korruptive të atij rrethi të caktuar ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Në mjaft takime që patëm me anëtarë të Departamentit [amerikan të Drejtësisë] ata u shprehën qartë që këtu, pra në një shtet të madh, një punonjës i sistemit të drejtësisë nuk mund të qëndrojë në një zonë të caktuar për një periudhë më të gjatë se tre vjet duke ushtruar mandatin. Në vendin tonë, të rrish në një zonë të caktuar për një periudhë tre vjeçare do të thotë që të familjarizohesh me të gjithë lokalitetin ku ushtron veprimtarinë. Unë, në emër të prokurorisë shqiptare, gjykoj se do t’i sugjeroj institucioneve ligjvënëse që të fillojnë procedurat për amendimet e ligjeve përkatëse, me qëllim që zyrtarë të këtyre niveleve, që kanë mundësi të marrin vendime gjatë ushtrimit të detyrës, të kenë mundësi të qarkullojnë nga një distrikt në tjetrin, duke mos patur mundësi të qëndrojnë gjatë gjithë kohës që ushtrojnë funksionin në të njëjtin vend.

Zëri i Amerikës: A vërehen raste të korrupsionit midis vetë prokurorëve? Sa i përhapur është ky fenomen në organin tuaj?

Adriatik Llalla: Ky është një problem tjetër shqetësues, të cilin unë e kam përmendur që në momentet e para të marrjes së detyrës time si Prokuror i Përgjithshëm, duke shprehur si prioritet pune, që duhet të fillojmë pastrimin e organit të prokurorisë së pari e më pas të fillojmë të luftojmë fenomenin e korrupsionit në institucionet e tjera. Nuk them se ky është një fenomen tërësisht i përhapur, por edhe brenda institucionit të prokurorisë ka nevojë për rifreskim dhe për largim nga radhët e institucionit të elementëve të inkriminuar. Duke iu referuar sërish mbështetjes që gjeta gjatë aktivitetit tim të këtyre ditëve këtu në SHBA, një ndër të rejat që synohet të sillet në drejtim të prokurorisë shqiptare është edhe ngritja e zyrave përkatëse me qëllim hetimin e vetë trupës së prokurorëve. Pra, bëhet fjalë për ngritjen, pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, të një njësie që do të merret me hetimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit brenda vetë institucionit të prokurorisë.
XS
SM
MD
LG