Lidhje

Prokurori i ri, komisioni i ligjeve miraton Llallën


Opozita abstenon. Kandidati Adriatik Llalla i emëruar nga presidenti deklaron se përparësi do të jetë lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda institucionit të akuzës

Në Shqipëri, kandidati për prokuror të përgjithshëm Adriatik Llalla tha sot se ai do t’i kushtojë vëmendje rritjes së besimit të publikut te prokuroria duke luftuar fenomenet antiligjore brenda këtij institucioni. Këto komente zoti Llalla i bëri gjatë seancës dëgjimore në komisionin parlamentar të ligjeve i cili votoi në favor të propozimit të presidentit. Socialistët sic kanë shpjeguar dhe më herët abstenuan, duke mos shprehur kundërshti ndaj kandidatit Llalla por duke vlerësuar se kreu i shtetit ka ndërprerë para kohe mandatin e kryeprokurores Ina Rama

Ishte një seancë gati formale ajo e zhvilluar sot në Komisionin e ligjeve ku ishte thirrur për t’u dëgjuar zoti Adriatik Llalla i emëruar nga presidenti Bujar Nishani për postin e prokurorit të përgjithshëm, një nga institucionet kyce të së drejtës në vend. E gjitha zgjati vetëm pak minuta brenda së cilës u dëgjua fjala e shkurtër e zotit Llalla, më pas vetëm një pyetje dhe pas relacionit u kalua në votim.

Nga ana e tij kandidati Llalla tha se prokuroria sipas tij përballet me disa sfida mes të cilave ai vecoi cështjen e rritjes së besimit të publikut ndaj institucioni të akuzës:“Unë jam i vetdijshëm për vështirësitë në arritjen e këtij objektivi vecanërisht duke ju referuar gjendjes aktuale, por kam besim se është një objektiv tërësisht i realizueshëm. Për të patur sukses prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda institucionit të akuzës”.

Pavarësisht këtyre notave kritike, zoti Llalla saktësi se shumicë dërrmuese e prokuorëve janë njerëz me integritet. Por shqetësimi kryesor i ngritur edhe nga raportet ndërkombëtare është pavarësia e Prokurorisë e cila është gjendur jo rrallë përballë sulmeve dhe presioneve të egra të politikës: “Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, dhe merr vendime vetë dhe të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi dhe politika. Është i lirë të marrë cdo vendim që i dikton ligji dhe bindja e tij e brendshme. Integriteti është arma kryesore në luftë ndaj cdo varësie. Ajo që unë do të ofroj me shumë përulësi këtij institucioni - tha zoti Llalla - është përvoja dhe integriteti im e premtimi për të mos bërë pakt me asnjë fenomen që duhet luftuar”

Zoti Llalla la shpejt sallën e komisionit ku dhe disa minuta të tjera vazhduan procedurat, leximi i relacionit nga deputeti demokrat Dashnor Sula:“Duke qenë se kandidatura e zotit Adriatik Llalla garanton besueshmëri dhe jep garanci për publikun e gjerë për drejtimin e një organi akuze të pavarur, profesionale dhe të pakorruptuar, i propozoj komisionit miratimin e kësaj kandidature”.

Pas tij socialistët shpjeguan pozicionin e tyre të bërë të qartë publikisht që dy ditë më parë. “Ne konsiderojmë dekretin e presidentit të Republikës antikushtetues. Kjo pa patur objeksione lidhur me kandidaturën e zotit Llalla. Për këtë shkak ne do të abstenojmë”, deklaroi deputeti socialist Saimir Tahiri.

Seanca e sotme ishte një prelud i asaj që pritet të ndodhë në parlament, ku sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë asnjë surprizë në votimin e kandidaturës së zotit Llalla, me një eksperiencë pune 10 vjecare si prokuror. Ndërsa që prej vitit 2008 drejton Inspektoriatin e Lartë të deklarimit të pasurive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG