Lidhje

Lloji i dhuratave tregon ndryshimin në familjen mbretërore të Britanisë


Lloji i dhuratave tregon ndryshimin në familjen mbretërore të Britanisë
Lloji i dhuratave tregon ndryshimin në familjen mbretërore të Britanisë

Çfarë mund të tregojnë një kuti biskotash, kubi i Rubikut apo një palë letra bixhozi për familjen mbretërore britanike? Kronika në vazhdim tregon se ndryshimi i tipit të dhuratave mbretërore pasqyron një familje që po ndryshon gjithashtu.

Dhuratat mbretërore për breza të tërë tregojnë historinë e një familjeje plot tradita dhe privilegje.

Është një institucion që përfaqëson Britaninë, e megjithatë ka dallim nga publiku britanik.

Ky filxhan që nga koha e sundimit të Mbretëreshës Viktoria është dhurata më e hershme mbretërore në pronësinë e koleksionistit Robert Opi.

Ai thotë se dhuratat mbretërore kanë një histori po aq të madhe sa edhe vetë monarkia.

“Mendoj se historia e dhuratave të dasmës, dhe padyshim edhe dhuratave mbertërore ka të bëjë me faktin se ata e ruajnë strukturën tradicionale. Ne kemi filxhanë, pjata dhe gota. Kemi kuti, që shpesh janë të mbushura me çokollata apo biskota. Kemi flamuj dhe shumë lloje të tjera dhuratash, që në një farë mënyre tregojnë momentin historik. Pra ka vazhdimësi të një stili që ruhet gjatë historisë.”

Por zoti Opi thotë se kjo histori po ndryshon. Në muzeun e tij prej koleksionisti, ai ka dokumentuar një liberalizim të shpejtë të kulturës britanike dhe një stil të ri dhuratash mbretërore.

Ai thotë se dhuratat e dasmës së Çarlsit dhe Dajanës shënuan një pikë kthese.

“Në vitin 1981, kur u martuan Çarlsi me Dajanën, gjëja më në modë ishte një peshqir çaji, dhe dolën disa lloje të tilla. Një tjetër ishte Kubi i mërzitshëm i Rubikut, të cilin mund ta bëjnë vetëm fëmijët, por ishte e reja më e fundit, kështu që doli një kub mbretëror.”

Por në familjen mbretërore nuk ka ndryshuar vetëm kaq.

Riçard Ficuilliams, publicist dhe kritik filmash që komenton shpesh mbi familjen mbretërore, thotë se edhe institucioni vetë po i përshtatet kohës.

“Mendoj se familja mbretërore ndryshon herë pas here, dhe si rezultat ecën me kohën.”

Dajana ishte vetëm 20 vjeçe kur u martua me princin Çarls. Deri në ditën e martesës ajo i drejtohej princit me fjalën “zotëri”. Madje edhe historia e saj seksuale ishte temë publike.

Zoti Ficuilliams thotë se nusja e re e këtij viti është histori krejt tjetër. Kethrin është 29 vjeçe. Ajo ka diplomë universitare dhe ka jetuar me Uilliamin herë pas here gjatë 10 viteve të fundit.

Kjo pamje e saj me fustan të tejdukshëm është bërë temë bisedash por nuk ka ngjallur debate. Është vështirë ta imagjinosh Dajanën të veshur në të njëjtën mënyrë.

Zoti Ficuilliams thotë se nuset e ndryshme pasqyrojnë ndryshimin e Britanisë.

“Marrëdhënia mes Uilliamit dhe Kethrinës është moderne. Më domethënës është fakti se kjo është hera e parë që një trashëgimtar i fronit të Britanisë mund ta zgjedhë nusen pavarësisht prej shtresës që i përket.”

Familja mbretërore, thotë ai, po e thyen ndarjen që ka ekzistuar mes saj dhe publikut britanik.

“Mendoj se Uilliami dhe Kethrina janë çifti i përkryer për ta udhëhequr monarkinë në shekullin e ri, sepse duket qartë se ata janë të ndjeshëm ndaj opinionit publik. Ata janë shumë të famshëm dhe shihet qartë në takimet dhe detyrat zyrtare që kanë kryer deri tani se janë shumë rehat mes popullit.”

Në muzeun e Robert Opit, koleksionisti thotë se popullariteti i familjes mbretërore mund të shihet tek dhuratat e dasmës mbretërore të këtij viti.

“Për momentin shoh më shumë dhurata që kanë një nuancë monarkie më alternative. Pra ka dallim.”

Dhe nëse këto dhurata janë pasqyrim i vitit 2011, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të dalë më vonë.

Por tani për tani ka dalë një kukull klasike Keit Midëllton. Ajo valëvit flamurin si traditë në raftin e dhuratave, çka tregon në një farë mënyre se disa gjëra, në fund të fundit, nuk ndryshojnë aq shpejt.

XS
SM
MD
LG