Lidhje

Rekord olimpik, emocione dhe medalje në Soçi


Ole Einar Bjoerndalen

Ole Einar Bjoerndalen

Një skiator veteran tërhoqi dje vëmendjen me fitoren në konkurrimet në ekip në Lojërat Olimpike në Soçi. Norvegjezi Einar Bjoerndalen u bë konkurrenti më i madh në moshë që merr medaljen e artë olimpike në një sport. 40-vjeçari shënoi rezultatin më të mirë në dygarësh, duke thyer rekordin e vendosur nga kanadezi Duff Gibson, i cili ishte 39 vjeç kur mori medaljen e artë në Lojërat e Torinos në 2006.

Bjoerndalen po ashtu arriti rekordin e vendosur nga norvegjezi tjetër Bjoern Daehlie për numrin më të madh të medaljeve të marra në Lojërat Olimpike Dimërore. Të dy ata kanë marrë nga 12 medalje.

Konkurrenti i garave me patina, holandezi Sven Kramer tërhoqi dje vëmendje, pasi mbrojti titullin kampion në garën 5000 metërshe, duke marrë medaljen e artë dhe duke vendosur rekordin olimpik prej 6 minutash e 10.76 sekondash.

Norvegjia fitoi dy nga pesë medaljet e arta për të cilat konkurrohej dje. Përveç Bjoerndalen, Marit Bjoergen fitoi garën 15 kilometërshe të maratonës së skive për femra.

Kanadezja Justine Dufour-Lapointe mori medaljen e artë në skijim të lirë.

Shtetet e Bashkuara siguruan medaljen e parë të artë për këto Lojëra Olimpike. Sage Kotsenburg realizoi me mjeshtri programin e tij në garat e snowbordit për meshkuj.

20-vjeçari Kotsenburg tha se suksesi që kishte arritur i ishte dukur si ëndërr:

"Fakti që mora medalje të artë në ditën e parë, kur konkurrimet me snowboard në pistë të hapur prezantohen për herë të parë në Lojërat Olimpike, është e pabesueshme. Nuk e mendova se do ta arrija pasi ishte ëndërr tepër e madhe. Jam tepër i gëzuar që e arrita. Jam kaq i lumtur që jam këtu, për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara dhe për faktin që jam në ekipin e parë olimpik që konkurron në garën e snowboardit në pistë të hapur. Fakti që mora medaljen e artë e bën këtë eksperiencë edhe më të ëmbël”.

Në patinazhin artistik dje, 15-vjeçarja ruse Yulia Lipnitskaya siguroi adhurimin e shikuesve me një program elegant të ekzekutuar me shumë mjeshtëri në konkurrimin e ekipeve të patinazhit artistik. Ajo siguroi 72.90 pikë, rezultati më i lartë në konkurrimin individual të patinatoreve.

Në ndeshjen e hokejt në akull për femra, Kanadaja po përpiqet për të katërtën herë të sigurojë medaljen e artë olimpike. Dje ekipi kanadez mundi 5-0 Zvicrën.

Amerika, një tjetër favorite e këtij sporti, mundi Finlandën me rezultatin 3-1.
XS
SM
MD
LG