Lidhje

Admirali Loklear: Shkurtimet e NATO-s pasqyrojnë shtimin e sigurisë në Kosovë

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Admirali Loklear: Shkurtimet e NATO-s pasqyrojnë shtimin e sigurisë në Kosovë

Admirali Loklear: Shkurtimet e NATO-s pasqyrojnë shtimin e sigurisë në Kosovë

Komandanti i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Samuel J. Locklear, tha sot në Prishtinë se me gjithë shkurtimet, NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë qytetarët e Kosovës duke u bërë thirrje atyre që të vazhdojnë përkushtimin për sundimin e ligjit.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Kosovë, e cila ndodh në një periudhë kur trupat paqeruajtëse të NATO-s e kanë shkurtuar në 5 mijë e 500 numrin e ushtarëve.

Ai nënvizoi përkushtimin e NATO-s për mbështetjen e një mjedisi të sigurt, ndërsa theksoi se vendimi për shkurtimin e numrit të trupave pasqyron ndryshimet që kanë ndodhur në fushën e sigurisë në Kosovë. "Forcat e NATO-s tashmë janë vënë në mbështetje të policisë së Kosovës e cila po drejton çështjet e sigurisë", - tha admirali amerikan.

Autoritetet e NATO-s që nga një marsi kanë përfunduar fazën e fundit të shkurtimeve, duke e cilësuar situatën e sigurisë të qëndrueshme, por ata kanë pranuar se gjendja në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, është ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës, për shkak të kundërshtimit të pavarësisë.

Po sot, përfaqësuesit e të ashtuquajturit Parlamenti i Komunave serbe, ka vendosur që të shpallë kryeministrin rus, Vladimir Putin, qytetar nderi të Kosovës. Ata planifikojnë që këtë titull t’ia dorëzojnë kryeministrit rus më 23 mars gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd. Në arsyetimin e vendimit të kësaj strukture, që cilësohet e paligjshme nga autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë, thuhet se kryeministri rus dhe bashkëpunëtorët e tij janë shqetësuar për tërësinë tokësore ë Serbisë më shumë se vetë Beogradi.

XS
SM
MD
LG