Lidhje

Londër, ekspozitë e re me veprat e Da Vinçit


Londër, ekspozitë e re me veprat e Da Vinçit
Londër, ekspozitë e re me veprat e Da Vinçit

Koleksioni më i madh i pikturave dhe skicave të Da Vinçit u prezantua këtë javë në një ekspozitë të re në Londër. Koleksioni, me vepra të grumbulluara nga e gjithë bota, ofron një rast unik për të parë disa nga punimet më të mira të artistit më të famshëm të të gjitha kohërave:

Fama e tij është e padiskutueshme, por për shumë njerëz që e kanë studiuar, Da Vinçi është gjithashtu edhe gjeniu me krijimtarinë më të madhe të të gjitha kohërave.

Leonardo da Vinçi vdiq më shumë se 500 vjet më parë, por trashëgimia që la pas është e pavdekshme. Ekspozita e titulluar “Leonardo da Vinçi: Piktor i Oborrit të Milanos” u hap në Londër, duke ofruar për vizitorët numrin më të madh të disa prej pikturave të tij më të rralla.

Ekspozita përfshin vepra të periudhës kur ai ishte piktor i oborrit të Dukës Ludoviko Sforza në Milano në fund të shekullit të 15. Mbështetja e Dukës ishte kritike për zhvillimin e tij artistik, thotë Luke Syson i Galerisë Kombëtare të Artit:

“Kemi arritur të grumbullojmë numrin më të madh të pikturave që janë prezantuar në një ekspozitë të vetme. Do të tregojmë historinë e periudhës së Leonardos në oborrin e Ludovico Il Moros, i cili i lidhi rrogë dhe i dha hapësirën dhe kohën e nevojshme për të medituar për artin e tij, si kurrë më parë”.

Duke qenë se këto vepra janë shumë delikate, kjo mund të jetë hera e fundit për t’i parë shumë nga këto piktura së bashku. Ky fakt garanton një interesim të madh për tre muajt që do të qëndrojë e hapur ekspozita. Veprat e përzgjedhura janë dëshmi e ambicjes dhe arritjeve mbinjerëzore të Da Vinçit, thotë Luke Syson:

“Këtu shohim udhëtimin e jashtëzakonshëm të Leonardos nga një artist që besonte se e kishte për detyrë të regjistronte në telajo natyrën, në mënyrë sa më preçize, tek një artist i cili besonte se aftësitë e tij krijuese ishin të krahasueshme me ato të Zotit”.

Ekspozita përfshin të shtatë veprat që ekzistojnë ende nga periudha e tij si piktor i oborrit të Milanos. Po ashtu, Koleksioni Mbretëror ka ofruar 33 vizatime që dëshmojnë diapazonin e jashtëzakonshëm të interesave të Da Vinçi, që nga anatomia, tek armatimet e natyra.

“Ka një gamë të mrekullueshme skicash, shumë prej tyre nga koleksioni i Mbretëreshës, por ndoshta ajo që është më me interes janë tre portrete milaneze, që tregojnë se si Da Vinçi e revolucionarizoi këtë zhanër, duke u dhënë modelëve një jetë të brendshme që nuk ishte parë kurrë më parë”.

Da Vinçi ishte famëkeq për mungesën e durimit. Ai kishte një energji të pashtershme, gjë që shpesh rezultonte në piktura të papërfunduara. Por restaurimi i punimeve të tij ka nxjerrë në dritë shumë detaje për metodën e tij, thotë Larry Keith, Drejtor për Mbrojtjen e Veprave të Artit në galeri:

“Një ndër faktet interesante të karrierës së Leonardos ishte se shumë nga pikturat e tij janë të papërfunduara dhe kjo përbën në fakt një ndihmë të madhe për të kuptuar metodën e tij të punës. Në këtë ekspozitë sheh plot vepra në faza të ndryshme të punimit”.

Studiuesit dhe historianët e artit janë vazhdimisht në kërkim të mistereve të mjeshtrit të madh dhe zbulojnë vazhdimisht të fshehta të reja që dëshmojnë përse ai mbetet artisti më i njohur dhe më i vlerësuar i të gjitha kohërave. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 shkurt, 2012.

XS
SM
MD
LG