Lidhje

Yjet e tenisit marrin pjesë në lojërat e Londrës


Të gjitha yjet e tenisit po marrin pjesë në turneun olimpik të tenisit në Londër përveç njërit. Ndeshjet do të luhen në fushat e famshme me barë të tenisit në Uimbëldon, por lojtarët nuk do të veshin të bardhat tradicionale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Parke Brewer njofton nga Londra.

Do të ketë uniforma me shumë ngjyra në turneun olimpik të tenisit. Përveç uniformave me ngjyrat e vendit të tyre që do të vishen nga lojtarët, do të ketë edhe parulla me ngjyra të ndezura në Parkun Olimpik dhe objektet e tjera olimpike përreth stadiumeve të Londrës ku do të zhvillohen lojërat olimpike.

Pasi kampionati dy javësh i tenisit Uimblëdon përfundoi muajin e kaluar, fushat e tenisit janë riparuar.

Kampionët e rinj të Uimbëldonit, Roger Federer nga Zvicra dhe Serena Williams e Shteteve të Bashkuara synojnë medaljet e para të arta olimpike në garat individuale. Ata kanë fituar medaljen e artë në dyshe në lojërat olimpike të vitit 2008. Serena doli fituese së bashku me motrën e saj Venus edhe në lojërat olimpike të vitit 2004. Federer thotë se kjo është një ngjarje shumë e veçantë.

“Natyrisht për ne, lojtarët e tenisit, mundësia për të luajtur në Lojërat Olimpike në Uimbëldon është fantastike. E kam thënë shumë herë që kur Londra fitoi mundësinë për të organizuar lojërat olimpike, dhe tani do të kem kënaqësinë të luaj këtu”.

Federer tha se mos veshja e uniformave të bardha në Wimbledon është pak “e çuditshme” dhe shtoi:

“Është e çuditshme të luaj me një këmishë të kuqe në Uimblëdon ku normalisht duhet të vishesh në të bardha. Por ky nuk është problem për mua. Mendoj se është një mundësi e mirë për të përfaqësuar ngjyrat e vendit dhe të përqafosh këtë frymë”.

Federer tha se i vinte keq që kampioni i tanishëm olimpik spanjolli Rafael Nadal u tërhoq nga gara.

Në një konferencë për shtyp para fillimit të lojërave olimpike, Serena Williams u pyet se sa e rëndësishme është kjo Olimpiadë për të, sepse nëse e fiton medaljen e artë, ajo do të bëhej lojtarja e vetme e tenisit që ka fituar katër turne Grand Slam si dhe dyshe dhe individuale olimpike.

“Në fakt, unë nuk e dija këtë, prandaj nuk kam shumë presion (qesh). Por unë mendoj se kjo është një mundësi e madhe për mua dhe për të përfaqësuar ekipin e Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht nëse fitoj apo jo, për mua është e rëndësishme pjesëmarrja në olimpike dhe do të jap maksimumin në lojë”.

Serena është kampione e dyfishtë e tenisit në lojërat olimpike në dyshe duke fituar medaljen e artë me motrën e saj më të madhe Venus. Ndërsa Venus ka fituar medaljen e artë në garat individuale në tenis në Lojrat Olimpike të Sidneit në vitin 2000. Venus thotë se është shumë mirë të fitosh turnet Grand Slam, por të fitosh në Olimpiadë është gjithashtu një ndjenjë mjaft e veçantë.

“Kur të përmendin emrin pasi fiton një turne ose një medalje të artë olimpike, është një emocion i veçantë që nuk është e lehtë ta përmbash”.

Pasi përcaktimi i ndeshjeve në lojërat olimpike bazohet në renditjen botërore më të fundit, anëtaret e ekipit të Williams, Liezel Huber dhe Lisa Raymond, janë të parat në dyshet e grave. Ndërkaq amerikanët Bob dhe Mike Bryan, fituesit e medaljes së bronztë në vitin 2008, do të jenë të parët në dyshet për meshkuj për herë të tretë radhazi në Lojra Olimpike.
XS
SM
MD
LG