Lidhje

Londra shqyrton forcimin e masave të sigurisë në sistemin e metrosë

  • Zëri Amerikës

Pas sulmeve me bombë në metronë e Moskës, sistemet e transportit publik duken të pambrojtura. Sistemi i transportit publik në Londër është një nga sistemet më të mëdha dhe më të ndërlikuara në botë. Materiali në vazhdim na jep më shumë hollësi mbi punën që po bëhet për të përmirësuar sigurinë në sistemin e transportit publik në kryeqytetin britanik.

Në korrik të vitit 2005, sulme vetëvrasëse me bombë u kryen në tre trena nëntokësorë dhe një autobus në londër duke vrarë 52 vetë dhe autorët e shpërthimit. Dy javë më vonë, katër persona të tjerë tentuan pa sukses të kryenin sulme në metronë e londrës, por bombat e tyre nuk shpërthyen.

Analisti Jonathan Wood që punon për firmën Control Risk apo në Londër, thotë se sistemi i transportit publik është objekt me interes për terroristët.

“Një sulm në një vend publik, e në veçanti kundër një objekti që njerëzit e shfrytëzojnë çdo ditë ka ndikim të fuqishëm psikologjik dhe zakonisht mbulohet me intensitet nga mediat. Për këtë arsye kjo tërheq vëmendjen e grupeve terroriste dhe qëllimeve të tyre.”

Sipas kësaj videoje, zëdhënësi i Al Kaidës, amerikani Adam Gadahn e ka bërë të qartë se sistemi i transportit publik është fokusi i këtij rrjeti.

“Ne e kemi parasysh se edhe sulmet e pasuksesshme kundër sistemit të transportit publik në përëndim mund të ndalin aktivitetin në qytetet e mëdha, dhe i kushton armikut tonë miljarda dollarë duke e çuar atë drejt falimentimit.”

Londra njihet për autobusët e saj të kuq dykatësh, por sistemi i saj nëntokësor, disa pjesë të të cilit të ndërtuara më shumë se 100 vjet më parë, janë të pambrojtura.

Në qytet, përfshirë në sistemin e transportit publik, janë të instaluara më shumë se dhjetë mijë kamera sigurie. Sistemi mund të pajiset me programe kompiuterike për të identifikuar gjëra të pazakonta, si për shembull çanta që mund të jenë lënë në stol.

Por analistët thonë se sigurimi i transportit publik është detyrë e vështirë për policinë. Përmes video kamerave ose madje edhe me sy të lirë është e vështirë të bësh dallim mes një udhëtari të rregullt dhe një terroristi.

Nigel Inkster, ekspert në Institutin Ndërkombëtar për Studime mbi Sigurinë thotë se sulmet me bombë të vitit 2005 në Londër vërtetuan se rrjeti i transportit publik në këtë qytet është i pambrojtur.

“Së paku njeri prej sulmuesve arriti të shpërthente bombën në thellësi të transportit nëntokësor duke i vështirësuar operacionet e kërkim shpëtimit dhe ekzaminmin e vendngjarjes.”

Autoritetet këtu mbështeten te publiku për të idenitifikuar pako apo pasagjerë të pazakontë. Autoritetet e transportit publik në Londër kanë promovuar përdorimin e kartelave Oyster, një sistem magnetik i pagesave që mundëson identifikimin e itinerarit që ka ndjekur çdo pasagjer. Por kjo është e vlefshme vetëm gjatë survejimit apo për hetimet pasi kanë ndodhur incidentet.

“Nuk mendoj se mund të shikosh sistemin publik të transportit si një objekt i izoluar. Trasporti publik duhet të analizohet në kuadër të një pakete gjithëpërfshirëse të masave kundër terrorizmit.”

Tani që Londra do të jetë organizatore e Lojërave Olimpike të vitit 2012, siguria është shqetësim i madh. Linja të reja tranporti janë duke u ndërtuar për të lidhur qytetin me rajonin ku do të zhvillohen lojërat olimpike. Ndërkohë që ndërtimi i stacioneve të reja që minimizojnë dëmtimet nga sulmet me bombë është i realizueshëm, zyrtarët thonë se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është identifikimi i terroristëve para se të veprojnë.

XS
SM
MD
LG