Lidhje

Londra druhet se po humbet betejën në zgjerimin e rrugëve ajrore


Ndërkohë që Evropa ende përpiqet të ndërtojë një rritje të qendrueshme ekonomike, shumë qeveri po hedhin vështrimin drejt ekonomive në rritje në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut për shtuar tregtinë me to. Një rivalitet po shfaqet mes aeroporteve kryesore të kontinentit për të ofruar qasjet më të shpejta drejt këtyre bazave. Aeroporti Heathrow i Londrës, një prej aeroporteve më të ngarkuar të botës, druhet se po mbetet prapa.

Është një video ikonë që ende rezonon pas më shumë se katër vitesh - protestuesit ambjentalist të organizatës Greenpeace mbi një aeroplan pasagjerësh në aeroportin londinez Heathrow. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e medias ndërkohë që beteja për industrinë britanike të aviacionit ende vazhdon. Joss Garman është këshilltar i organizatës Greenpeace.

“Britania ka kapacitet të mjaftueshëm aeroportesh por problemi është se një pjesë e madhe e këtij kapaciteti po shfrytëzohet për fluturimet e shkurtëra prej më pak se 500 kilometrash. Në qytete si Parisi dhe Manchesteri mund të shkohet lehtë me tren, që është 10 herë më pak ndotës.”

Qeveria britanike ka përjashtuar ndërtimin e një piste të tretë në Heathrow dhe nuk ka plane zgjerimi. Por grupet e biznesit thonë se Briania po mbetet prapa.

Nicola Walker drejton infrastukturën në sindikatën e industrisë britanike. Zyra e saj mbikëqyr projektin e ndërtimit Crossrail, një prej investimeve infrastukturore më të mëdha të kryeqytetit. Ajo thotë se Britania duhet të jetë më ambicioze.

“Aeroporti ndërkombëtar Heathrow vepron me një kapacitet prej 99.2 përqind dhe nuk besojmë se ka mundësi për të vënë lidhje të me tregjet e reja në zhvillim të cilat u interesojnë bizneseve.”

Kjo nënkupton tregje si ky, Chongqing në Kinë. Ai është kthyer nga një qytet i vogël rajonal në një qendër prodhimi me 7 milionë banorë.

Po kështu është San Paolo në Brazil, i cili po përjeton një influks të madh të biznesesh evropiane të etura për të provuar lidhjet e vjetëra koloniale.

Këshilltarët e dhomës britanike të tregtisë thonë se dy të tretat e drejtuesve të biznesve në Brazil, Kinë, Indi, Korenë e Jugut dhe Meksikë kanë më shumë gjasa të bëjnë tregti me Gjermaninë ose Holandën sesa me Britaninë, sepse ata ofrojnë më shumë fluturime direkte.

Konsulenti i pavarur i aviacionit Peter Forbes thotë se mungesa e fluturimeve direkte për Londrën do të thotë humbje përballë rivalëve.

“Frankfurti ka ndoshta 7 rrugë ajrore drejt Kinës krahasuar me 4 që ka Heathrow. Por Gjermania ka më shumë tregti me Kinën dhe nga këndvështrimi i tyre është gjë e mirë për të patur këto lidhje.”

Kryetari i bashkisë së Londrës Boris Johnson kërkon ngritjen e një aeroporti të ri në grykëderdhjen e lumit Tamiz. Firma e arkitektëve Foster and Partners, që ka projektuar aerportin e Pekinit, ka dorëzuar planet.

Por me Britaninë në recesion, analistët thonë se do të jetë e vështirë të justifikohet çmimi i përllogaritur në 80 miliard dollarë. Qeveria thotë se do të marrë vendimin nga fundi i vitit.

XS
SM
MD
LG