Lidhje

Lorraine Feather nxjerr në treg një tjetër album të veçantë


Lorraine Feather

Lorraine Feather

Kantautorja Lorraine Feather është e njohur për këngët e saj jazz që argëtojnë publikun me gërshetimet dhe format e papritura të tyre. Në albumin e saj të ri "Tales of the Unususal" ka shumë shembuj të këtij lloji muzikor të pazakontë.


Nuk ndodh çdo ditë që të dëgjoni një melodi jazz të frymëzuar nga filmi "Të dyshuarit e zakonshëm". Apo një kënge teksti i të cilës të jetë bazuar mbi një episod të serisë televizive “The Twilight Zone”. Lorraine Feather, gjithashtu, përshtati tekstin me muzikën e filmit të Frederico Fellinit, “Xhulieta e shpirtrave”. Këto janë vetëm disa nga ‘Legjendat e saj të pazakonta’, që është edhe titulli i albumit të ri, i cili u cilësua nga faqja e internetit allaboutjazz.com si "i thellë, i errët dhe i veçantë".


Lorraine ishte e destinuar për një jetë në skenë. Nëna e saj ishte këngëtare e një grupi të suksesshëm, ndërsa babai i saj ishte kompozitori dhe kritiku i njohur i jazz-it Leonard Feather. Pas një kohe të shkurtër në universitet, ajo vendosi të vinte në provë aftësitë e saj si aktore dhe u zhvendos nga Los Angelesi në Nju Jork, për të punuar në teatër muzikor. Ajo mori pjesë në shfaqe brenda dhe jashtë Broadway-it, përpara se të fillonte punën më fitimprurëse si këngëtare në klub nate.

Pas kthimit në Kaliforni, ajo u bë pjesë e treshes Full Swing, duke fituar në të njëjtën kohë reputacion si një autore e re tekstesh për këngë jazz. Interpretimet solo të Lorraine Feather, që nisën në vitin 1997, kanë shkaktuar shpesh komente të forta, dhe albumi i ri i veçantë "Tales of the Unususal" nuk bën përjashtim.

Lorraine shkroi një tekst për pjesën "Jubilee Stomp" të kompozitorit Duke Ellington dhe e titulloi "Indiana Lana", një homazh për një personazh të sajuar, e cila është atlete nga Gary, e Indianës.


Mes bashkëpunëtorëve të albumit të ri të Lorraine Feather bëjnë pjesë emra si kitaristi Grant Geissman, pianistët jazz Russell Ferrante dhe Shelly Berg, violinisti Charles Bisharat dhe bateristi Gregg Field.

Bashkëshorti i artistes, bateristi i jazz-it Tony Morales, bashkëpunoi me të për një nga këngët e albumit, që flet për një vajzë të re, e fiksuar me numrin pesë. Kënga titullohet "Five".

XS
SM
MD
LG