Lidhje

Më pak krime në Los Anxheles


Ndërtimi i marrëdhënieve të mira po ul nivelin e krimit në lagjet e qytetit

Pavarësisht ngjarjeve të dhunshme si tragjedia e kohëve të fundit në një shkollë në Connecticut, niveli i krimit në Shtetet e Bashkuara ka qenë përgjithësisht në rënie, dhe krimet e rënda si vrasjet dhe përdhunimi kanë ardhur duke u pakësuar.

Një pasdite e qetë ndërpritet nga zhurma e helikopterëve ndërsa dhjetra oficerë nga departamenti i policisë së Los Anxheles-it dhe Patrulla e Autostradës së Kalifornisë kapin një të dyshuar për vrasje dhe plaçkitje. Arrestimi erdhi pas ndjekjes së tij për 100 kilometra me makinë.

Kjo ndodhi pranë një qendre komuniteti shtëpish me të ardhura të ulta të quajtur Imperial Courts, ku Departamenti i Policisë së Los Anxheles-it po shpërndante lodra. Shefi i policisë Charlie Beck ndihmoi në dhënien e dhuratave.

Kjo ishte pjesë e nismës për t’u lidhur me komunitetin në jug të Los Anxhelosit që ka cuar në një rënie të krimit në këto zona dhe në qytet. Gjërat ishin ndryshe pak vjet më pare thotë shefi i policisë Phillip Tingirides

“Komuniteti ishte i dëshpëruar. Kishte një fare urrejtje ndaj nesh, për mënyrën sesi policia e kishte trajtuar këtë komunitet për një numër vitesh.”

Marrëdhëniet ishin në një pikë të ulët në vitin 1992 kur trazirat civile tronditën Los Anxheles-in. Ato filluan nga rrëzimi i akuzave kundër katër oficerëve të policisë të akuzuar për rrahjen e afrikano-amerikanit, Rodney King. Më shumë se 50 njerëz gjetën vdekjen në trazira, dhe farmacia e Gil Mathieus ishite një nga shumë bizneset që u shkatërruan. Ajo është përsëri e hapur sot dhe marrëdhëniet me policinë janë përmirësuar, thotë klienti Jerome Bynum.

“Ata të rrihnin dhe pastaj të fusnin në burg, por mendoj se janë përmirësuar përsa i takon trajtimit të njerëzve në rrugë.”

Policia ka filluar programe të komunitetit si trajnimi i ekipeve të futbollit për të rinjtë thotë komandanti Tingirides.

“Shumë nga aktivitetet kanë të bëjnë me ndërtimin e marrëdhënieve në mënyrë që kur të dalë një problem, të dish se ku të shkosh e me kë të flasësh. Ke një farë lidhje dhe kjo strategji ka sjell ndryshim.”

Një kritik i policisë Najee Ali që punon për projektin Islamic Hope, pohon se marrëdhëniet po përmirësohen.

“Tani shohim një partneritet të mirëfilltë që është autentik. Dhe më e rëndësishmja është se niveli i krimit është ulur pasi tani shohim se komuniteti ndihmon në sigurinë e lagjeve tona në mbarë jugun e Los Anxheles-it. Jam shumë optimist se gjërat do të vazhdojnë të përmirësohen në të ardhmen. ”

Vitin e kaluar pati një rritje në shkallë kombëtare të sulmeve dhe krimeve ndaj bizneseve, por niveli i vrasjeve dhe krimet e tjera serioze po bien në mbarë vendin ashtu si edhe niveli i përgjithshëm i krimeve ka rënë për disa dekada. Policia në Los Anxheles thotë se me ndihmën e komunitetit, ata po e mbajnë nivelin e krimit të ulët duke ndërtuar marrëdhënie të ngushta në këto lagje.
XS
SM
MD
LG