Lidhje

SHBA: Kriza e punësimit dhe ndikimi i saj në një komunitet në Los Angelos


Përqindja e papunësisë në Shtetet e Bashkuara mbetet e lartë, rreth 8.2%, dhe në disa pjesë të vendit, papunësia është edhe më e thellë. Në shtetin e Kalifornisë papunësia është 11%, dhe kjo përqindje në disa qytete të këtij shteti është edhe më e lartë. Gazetari i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan, njofton në një prej zonave më të populluara të Los Angelosit, shumë njerëz kërkojnë punë, por vetëm pak mund të gjejnë treg pune.

Qindra njerëz i janë drejtuar një qendre që ndihmon për punësim në Los Anxhelos, e cili u shërben të varfërve dhe të pastrehëve në një pjesë të qytetit që quhet Skid Row.
Disa prej tyre kanë humbur punën së fundmi, mes tyre edhe imigrantja nga Etiopia Becky Woude.

“Jam duke kërkuar punë. Mund të bëj çdo lloj pune, sepse duhet të paguaj faturat dhe kam nevojë për të ardhura”.

Por që t’ia dalësh nuk është e lehtë, nëse nuk ke një punë me kohë të plotë, thotë Anthony Aleksandër.

“Kam gjetur punë me ditë - apo një javë këtu, një javë atje... por nuk kam siguruar dot një punë të qëndrueshme.“

Papunësia është mbërthyer në shifra të larta. Vetëm 69 mijë vende punë u hapën gjatë muajit maj, shifra më e ulët në një vit. Por ende ka kompani që punësojnë njerëz, thotë presidenti i qendrës Herb Smith.

“Këtë vit kemi më shumë kërkesa se sa vende pune, ndaj kërkojmë rezymetë e kandidatëve për punësim, kjo ndikon që disa prej tyre i kthejmë”.

Një prej punëdhënësve, Jon Murga i Komunitetit tregtar Fresco, ka gjetur një të tretën e personelit të tij mes të papunpve e të pastrehëve që janë regjistruar në Qendrën e Los Anxhelosit. Ai thotë se megjithë klimën e dobët ekonomike, biznesi i tij është mirë dhe ai dëshiron që t’a zgjeroj atë.

“Mendoj se duhet kurajo, forcë dhe këmbëngulje që të veprosh kështu në tregun e sotëm, por unë mendoj se ne e krijojmë vetë të ardhmen tonë”.

Një prej atyre që është punësuar në tregun e komunitetit, Ivan Perez, thotë se shumë njerëz në Skid Row duan thjesht vetëm një shans:

“Ka shumë njerëz atje që kanë aftësi dhe talent, por nuk u është dhënë asnjëherë mundësia për të shkëlqyer”.

Por tregu i punës ende është i ashpër. Punëdhënësi Jon Murga do të shqyrtojë qindra aplikime vetëm për pak vetë që duhet të punësojë. Ndërsa njerëzit që janë pa punë, përballen me konkurrencën e fortë në një treg pune që sa vjen e ngushtohet më tepër.
XS
SM
MD
LG