Lidhje

Figura e Lou Reed


Këngëtari Lou Reed, figura kryesore e grupit të viteve 1960 “The Velvet Underground” vdiq këtë javë në moshën 71 vjeçare. Korrespondenti Richard Paul i hedh një vështrim ndikimit të këngëtarit reed tek muzikantët e tjerë.

Ka një ndryshim në biznesin e argëtimit mes të qënurit i famshëm dhe me ndikim. Lou Reed kishte njërën, por jo të dyja. Mark Jenkins është kritik i muzikës për gazetën The Washington Post. Ai thekson se ndërsa Reed regjistroi shumë albume në majën e karrierës….

“Asnjë prej tyre nuk u shit mirë, dhe nuk u luajtën shumë në radio. Por ato përmbanin këngë që tani janë shumë të njohura”.

Me lirikat e tij komplekse dhe stilin intim të të kënduarit, Reed dhe grupi Velvet Underground patën një ndikim më të madh nga grupet e tjera të asaj periudhe që ishin shumë më të suksesshëm financiarisht.

“Ata që i dëgjonin ishin njerëz si David Bowie, Brian Eno, Patty Smith, Talking Heads e kështu me rradhë”.

Lou Reed lindi në Long Island të Nju Jorkut. Ai filloi t’i bjerë kitarës në moshën 10 vjeçare. Në universitetin e Sirakuzës ai studio me poetin Delmore Schwartz, një njeri që novelisti Saul Bellow e quajti, “Mozartin e letrave”. Në një dokumetar të vitit 1998, Reed foli për ndikimin që pati Schwartz në këngët e tij.

“Ai më solli shembullin sesi me gjuhën më të thjeshtë të mundur – shumë shkurt – mund të arrish majat më të larta të artit”.

Pas kolegjit, kur Reed u vendos në Nju Jork , ai dhe një instrumentist i quajtur John Cale filluan të këndonin në rrugët e Harlemit. Në vitin 1965 ata u bashkuan me Sterling Morrison dhe bateristin Maureen Tucker për të formuar grupin "The Velvet Underground." Në të njëjtën kohë, Andy Warhol po kërkonte një grup që të interpretonte në një kompleks multimedia që ai kishte krijuar. Kur dëgjoi për Velvet Underground, e dinte se kishte gjetur atë që kërkonte.

Bashkëpunimi i tyre me Warhol e bëri Velvets grupin më të dashur në botën e artit të Nju Jorkut, por ishte vetëm kur u shkëputën prej tij, periudha kur ata patën ndikimin më të madh. Bota e muzikës po ndryshonte në mesin e viteve 1970 dhe muzika e tyre e zhurmshme, e zemëruar, cinike do të ndikonte një gjeneratë muzikantësh të rinj.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Lou Reed kultivoi një sjellje dhe shumë karaktere. Ai mendohej të ishte homoseksual nga shumë njerëz, megjithëse u martua me tre gra gjatë jetës së tij. Ai mendohej gjithashtu të ishte përdorues i drogave. Por Mark Jenkins thotë se reputacioni i tij nuk pasqyronte të vërtetën.

“E di që i ka kënduar heroinës, apo amfetaminave, por kam përshtypjen se ai përdorte më shumë alkoolin sesa drogën. Dhe kjo mund të shpjegojë problemet e mëlçisë”.

Dhe ishin këto probleme që më në fund, më 27 tetor, i dhanë fund jetës së Lou Reed dhe karrierës së tij të gjatë.
XS
SM
MD
LG