Lidhje

Kremtimi i Krishtlindjes në Betlehem

  • Robert Berger

Pelegrinë nga e gjithë bota janë mbledhur në qytetin e Bethlehemit në Bregun Perëndimor për festimet me rastin e Krishtlindjes.

Një djalë dhe një vajzë palestineze hapën ceremonitë festive me një marshim përmes Sheshit të Grazhdës në Betlehem. Sheshi ishte zbukuar me një pemë të madhe, me drita dhe flamuj palestinezë.

Atmosfera ishte më solemne në Kishën e Lindjes, ku mijëra pelegrinë u mblodhën të vizitojnë vendin ku thuhet se lindi Jezu Krishti. Shmuel Oluwa nga Lagosi i Nigerisë tha se pjesëmarrja në këtë veprimtari është një përjetim i veçantë shpirtëror:

"Eshtë diçka fantastike, një ndjenjë e mrekullueshme. Një përvojë që çdo i krishterë do të donte ta kalonte. Nëse mendon për domethënien e këtij vendi, të krijohet një ndjenjë e mrekullueshme”.

Pjesëmarrja këtë vit ka qenë e mirë, falë qetësimit të dhunës izraelito-palestineze.

"Këtë vit presim 300 mijë turistë”, tha Kryetarja e Bashkisë së Betlehemit, palestinezja Vera Baboun e cila shtoi se kërkesat turistike kanë qenë shumë të mëdha:

"Kemi afro 4 mijë dhoma hoteli në Betlehem, të gjitha janë të rezervuara. Kjo nënkupton se qyteti ka tërhequr kapacitetin e plotë turistik”.

Megjithatë, palestinezët ankohen për murin e madh që Izraeli ka ngritur përreth Betlehemit, pas një vale sulmesh të përgjakshme. Banorët thonë se qyteti i ngjan një burgu të madh, por zonja Baboun thotë se muri nuk do ta shuajë mesazhin e Betlehemit për shpresë, dashuri dhe paqe.

"Do të jetë një Krishtlindje e gëzuar, pasi Krishtlindja sjell gëzim, megjithë vështirësitë që përjetojmë nga rrethimi i qytetit”.

Izraeli dhe Autoriteti Palestinez po punojnë së bashku për të lehtësuar futjen e pelegrinëve nga Jeruzalemi në Betlehem, në shpirtin e vullnetit të mirë me rastin e festës.
XS
SM
MD
LG