Lidhje

Meta: PD përqëndroi shumë pushtete


Kryetari i LSI-së theksoi sot në mbledhjen e Komitetit drejtues se vendi ka nevojë për një ekulibrim të ri. Sipas zotit Meta, bashkimi me socialistët është i natyrshëm dhe s’mund të pengohet nga e kaluara

Në Shqipëri Lëvizja socialiste për integrim tha sot se bashkimi i saj me socialistët për garën e 23 qershorit është një rikthim i natyrshëm në famijen e së majtës. Duke folur në Komitetin drejtues të kësaj force, kryetari Ilir Meta tha se dalja të vetëm në zgjedhje mund të conte në humbjen e padrejtë të disa mandateve jo vetëm për LSI-në por edhe forcat e tjera të së majtës, në një kohë kur sipas tij vendi ka nevojë për një ekuilibrim të pushteteve

Pasi dy ditë më parë vendosi që pas katër vitesh në krah të së djathtës, të futet në zgjedhjet e 23 qershorit si një forcë e majtë në koalicion me partitë e kësaj familjeje, LSI mblodhi sot Komitetin e vet Drejtues, kryetari Ilir Meta edhe një herë u ndal në arsyet e kësaj lëvizjeje të cilën ai e cilësoi si të natyrshme. Ai tha se edhe ndarja e së kaluarës me Partinë socialiste kishte qenë një zgjedhje e kësaj të fundit, ndërsa u shpreh se marrëveshja me demokratët kishte qenë një lëvizje e detyruar për hir të stabilitetit të vendit.



Tani, sipas tij rrethanat kanë ndryshuar, duke theksuar se e djathta ka grumbulluar më shumë pushtet sec duhet e se për këtë është i nevojshëm një riekulibrim sipas tij. "Përqëndrimi i pushteteve në dorën e një partie të vetme, natyrisht që nuk është e shëndetshme për demokracinë, por është një shqetësim dhe një problem për të", tha zoti Meta.

Sipas tij, LSI mund të dilte dhe e vetme në zgjedhje si dhe në të kaluarën “dhe, pa asnjë diskutim, që përsëri rezultati i LSI-së do të ishte një rezultat shumë më i mirë dhe do të ishte një rezultat përcaktues për qeverisjen e ardhshme të vendit. Por, për arsyet politike që unë përmenda dhe njëkohësisht edhe për arsyet që kanë të bëjnë me Kodin tonë Zgjedhor, të cilin ne e kemi kundërshtuar për thelbin e tij jo demokratik. Përsëri ekzistonte mundësia e humbjes së disa mandateve në mënyrë të padrejtë, jo thjesht për LSI-në por edhe për Partinë Socialiste apo forcat e tjera të opozitës”.

LSI dhe partia socialiste ndajnë një të shkuar të afërt mjaft të hidhur e gati dramatike, të shenjuar nga një lumë akuzash vecanërisht për korrupsion. Por për zotin Meta bëhet fjalë për thashetheme që s’mund të të bëhen pengesë, tha ai duke ju përgjigjur valës së kritikave që provokoi ribashkimi me zotin Rama: “LSI është një parti e pjekur dhe nuk mundet kurrsesi të mbetet peng e së kaluarës dhe absolutisht nuk mundet kurrsesi të ngacmohet nga “mistrecllëqe”, të cilat u takojnë njerëzve të vegjël, të cilët jo vetëm që nuk kanë bërë ndonjëherë politikë por që as mund ta kuptojnë politikën”.

Por në të vërtetë, pakënaqësitë goditën më shumë socialistët. Lsi ka bashkëndarë me të djathtët dhe kryeministrin Berisha përgjegjësitë e një qeverisje mbi të cilat socialistët kishin ndërtuar fushatën e tyre, e për të cilat tani, ndoshta në mjaft raste duket se do të jenë të detyruar të kafshojnë gjuhën.
XS
SM
MD
LG