Lidhje

Ambasadori Lu: kriminelët lihen të lirë


Kritika të ashpra institucioneve shqiptare. Donald Lu: Si rezultat i Refomës në Drejtësi, Shqipëria do të jetë një vend më i sigurtë e me më shumë kriminelë në burg

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu, duke folur për Reformën në Drejtësi, ju rikthye kritikave të forta ndaj institucioneve shqiptare të cilat sic tha ai lejojnë që krimineltë të lëvizin lirshëm nëpër rrugë

“Persona si Arben Frroku që vrau një shef policie, por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi ndërsa ishte në pritje të apelimit në Gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, si Emiljano Shullazi, që është akuzuar haptazi nga media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por që nuk është cuar përpara drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, i dënuar për vrasjen e një djali 13 vjecar, por që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe më pas vrau një cift cek në Theth. Këta janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”, u shpreh zoti Lu.

Shembujt e marë nga ambasadori amerikan janë një kritikë e fortë jo vetëm për autoritetet gjyqësore. Për rastin e Arben Frrokut pati akuza drejtuar dhe policisë, se lejoi largimin e tij për shkak të lidhjeve me shumicën në pushtet. Vëllai i tij Mark Frroku ishte deputet në parlament, si aleat i së majtës. Më vonë dhe ai u arrestua pasi akuzohet për vrasje nga autoritetet belge. Po ashtu dhe emri i Emiljano Shullazit, një personazh i njohur i botës së krimit, është lakuar disa herë për lidhje me krahë të ndryshëm të politikës shqiptare. Së fundmi, opozita ka akuzuar në mënyrë të përsëritur ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për kontakte me Shullazin.

Ambasadori amerikan u shpreh se sipas Komisionit europian Shqipëria rezulton të jetë vendi me nivelin më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda. Reforma në Drejtësi tha ai “synon të trajtojë cështjen e korrupsionit dhe ndikimit politik, të parandalojë që gjykatësit dhe prokurorët të mbrojnë kolegët e tyre të korruptuar dhe të paaftë, të shmangë kapjen politike të sistemit dhe që ky sistem të jetë në përputhje me standartet ndërkombëtare. Unë besoj se kjo reformë i përmbush këto katër qëllime”, nënvizoi zoti Lu.

Ambasadori amerikan foli në një nga takimet e radhës për reformën, ku kishte një prani të madhe prokurorësh. “Së fundi, kam kuptuar se disa personave mund t’ju jetë thënë nga shefat e tyre se cfarë duhet të thonë, ose më keq akoma cfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë më kujton më shumë të kaluarën komuniste të Shqipërisë se sa të ardhmen e saj demokratike. Ky është sistemi juaj i drejtësisë. Jini kurajoz të thoni atë që mendoni ju dhe mos përsërisni verbtazi cfarëdo gjëje që ju kanë thënë të thoni. Mos u trembni nga këta të pafytyrë”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se hpresonte që “si rezultat i Refomës në Drejtësi, Shqipëria do të jetë një vend më i sigurtë, me më shumë kriminelë në burg, dhe me më pak njerëz që janë në gjendje të manipulojnë gjykatësit dhe prokurorët”, tha ai.

Javën e shkuar ambasadori Lu mbajti një tjetër fjalë me tone të forta ndaj atyre që sic tha ai i tremben Reformës në Drejtësi. “Ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, kur, kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë. Këta persona duna të vazhdojnë të mbushin xhepat me paratë e popullit shqiptar. Mendoni për ta, sa herë që këta njerëz e kritikojnë reformën në Drejtësi”, ishte shprehur zoti Lu.

XS
SM
MD
LG