Lidhje

Konferenca ekonomike dhe sfidat e qeverisjes


Luan Bregasi
Luan Bregasi

Bregasi: "Ekonomia vazhdon të vuajë nga disa sëmundje si korrupsioni, të cilat duhen trajtuar me realizëm".

Konferenca e Partisë Socialiste vijoi sot konferencën “Shqipëria e gjeneratës tjetër” me shqyrtimin e gjendjes ekonomike të vendit në prag të ndërrimit të qeverive, problemet dhe sfidat që janë përpara. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pritet të zgjidhet kryeministër pas disa ditësh nga shumica e re parlamentare, tha në hapje të konferencës se modeli i zhvillimit të gjithë këtyre viteve ka shterruar, dhe nuk sjell më punësim dhe mirëqenie, ndaj vendi gjendet përballë nevojës për të ndërtuar një model të ri zhvillimi. Zoti Rama tha se modeli i ri i zhvillimit bazohet në investimet moderne të fshatit për prodhim më të madh, dhe rritjen e turizmit si një industri me mundësi të mëdha punësimi.



Ekspertët e pavarur të ekonomisë po e ndjekin konferencën me shumë interesim. Profesori Ardian Civici, drejtues i Universitetit Europian të Tiranës thotë se “Shqipëria ka nevojë për reforma strukturore dhe modele të reja zhvillimi, sa kohë që kërkon burime të reja pë rritje ekonomike. Fjalimet e socialistëve, sipas tij, duken ngjyrë gri, sepse gjendja e ekonomisë është e vështirë dhe nuk është aq rozë sa duan ta shohin një pjesë”.


Nga ana tjetër zoti Luan Bregasi, i cili organizon organizatën “Biznes Albania”, një nga shoqatat më të mëdha të biznesit në Shqipëri, thotë se qeveria e re nuk duhet vetëm të riparojë difektet e të kaluarës, por edhe të nisë mirë disa punë të reja. Zoti Bregasi thotë se projektet e para të socialistëve mbi ekonominë janë shumë shpresëdhënse, por sipas tij, ekonomia vazhdon të vuajë nga disa sëmundje si korrupsioni, të cilat duhen trajtuar me realizëm.

Në ditën e parë të konferencës ishin mbi 50 arkitektë dhe ubanistë, që diskutuan për miradmistrimin e territorit dhe ndërtimeve në Shqipëri, ndërsa u diskuta gjatë mbi ekonominë, vështirësitë dhe sfidat e saj. Konferenca po i paraprin mbledhjes së parlamentit të ri që doli nga zgjedhjet e qershorit, dhe u ndoq me vëmendje, sepse aty u shfaqën për herë të parë komentet e qeverisë së re për këto dy fusha me ndikim të madh në jetën e vendit.

XS
SM
MD
LG