Lidhje

OSBE kërkon të ndalet puna e fëmijëve në Shqipëri


OSBE shprehu sot shqetësim për punësimin e fëmijëve shqiptarë në industri dhe punë të rënda dhe u kërkoi qarqeve të biznesit të ndalin këto praktika që rrezikojnë jetën dhe shkelin të drejtat e tyre.

Përfaqësues të OSBE-së, të bizneseve dhe të qeverisë, nënshkruan sot një kod etike mbi punësimin e personave nën 18 vjeç. Bizneset e angazhuan që të mos punësojnë fëmijë në 13 vjeç, dhe se do t'i përfshijnë ata deri në 15 vjeç në punë të lehta, që nuk i pengojnë nga shëndeti dhe nga shkolla.

Zëvendës ambasadori i OSBE-së Robert Uilton tha se fëmijët shqiptarë punojnë në bujqësi, industrinë tekstil, të veshmbathjes, firmat e prodhimit të këpucëve dhe në miniera. Një pjesë e tyre është punësuar në fabrika me makineri tërënda dhe lëndë të rrezikshme kimike.

“Puna e detyruar të fëmijëve është një shkelje serioze e të drejtave të njeriut. Sipas INSTAT-it, 57 mijë fëmijë në Shqipëri, ose 8 përqind e tyre të moshës pesëmbëdhjetë deri shtatëmbëdhjetë vjeç, janë ekonomikisht aktivë. Sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në Shqipëri kjo është forma më e keqe e punës së fëmijëve, pasi vë në rrezik mirëqenien fizike, mendore dhe morale të tyre” - tha ai.

OSBE bashkëpunoi me organizatën “Biznes Albania” dhe zyrtarë të qeverisë për të shmangur këtë rrezik për fëmijët. Ata miratuan një kod etike, i cili angazhon palët të mos shfrytëzojnë fëmijët për punë nën moshën minimale që kërkon ligji. Kodi i Etikës, i hartuar nga OSBE, përfshiu mendimet e gjithë organizatave të biznesit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qeverisë.

Nisma e OSBE-së nxiti bizneset të angazhohen për të drejtat e fëmijëve dhe mirëqenien e tyre në raport me punësimin. Ndërsa qeveria është e vetëdijshme se shumë fëmijë janë të punësuar jo vetëm në industri të rregullta, por edhe në tregtinë e rrugës.

Ligjet shqiptare dhe Kodi i Punës ndalon punësimin e rregullt dhe të parregullt të fëmijëve. Ashtu si lige të tjera edhe ky nuk zbatohet. Ky i sotmi është hapi i parë, ku vetë bizneset angazohen që të mbrojnë fëmijët sipas standardeve ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat e fëmijëve në punësim dhe komunitetin qytetar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG