Lidhje

Debati për imunitetin dhe pengu i të kaluarës


Analisti Fatos Lubonja thotë se heqja e imuniteteve nuk ndikon në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve sepse mungon vullneti politik i palëve.

Zoti Lubonja! Si një analist i njohur i politikës dhe shoqërisë shqiptare, cili është mendimi juaj për debatin që ka rinisur në qarqet politike për heqjen e imunitetit të zyrtarëve shqiptarë?

Dua të them se klasa politike gjatë këtyre 20 vjetëve dhe maxhoranca gjatë këtyre 8 vjetëve në pushtet nuk kanë rrëfyer ndonjë vullnet për të luftuar korrupsionin. Përkundrazi, ata janë protagonistët kryesorë të korrupsionit në Shqipëri. Ky debat dhe zhurmë e madhe që bëhet, për mendimin tim, më shumë ka të bëjë me aktorin ndërkombëtar. Çështja për ta është se kush do të fajësojë tjetrin për mosrealizimin e ëndrrës shqiptare për të hyrë në Europë. Edhe kjo tezë është mjaft demogagjike, kur ke parasysh realitetin. Nuk është thjesht të hyjmë në Europë, por të bëhemi një vend me kushte sa më të përafërta me ato të europiane.



Zoti Lubonja! Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës nga ana tjetër se janë dakord të ndryshojnë imunitetet, por si pjesë e një pakete të tërë me ndryshime kushtetuese?

Shqipëria ka nevojë urgjente të vendosë shtetin e të drejtës, ose sundimin e ligjit, siç thuhet. Kërkesa e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën në funksion të një drejtësie sa më të pavarur, pra, për një prokuror me 3/5 dhe KLD me 3/5 mendoj se është pozitive në këtë kuadër. Maxhoranca mund ta bënte këtë lëshim nëse do vërtet, pork am frikë se të dy palët punojnë me skemën se si t’ia hedhin tjetrit pastaj. Maxhoranca fare mirë mund t’i miratojë këto kërkesa me 3/5, të heqim imunitetin dhe të hyjmë në BE. Mendimi im është që opozita e bën këtë kërkesë për ta shtyrë edhe ca kohë këtë temë për të parë si do të bëhet situata, sepse ndjehet e pasigurtë. Nga ana tjetër maxhoranca ka frikë se opozita me 3/5 kërkon të bllokojë dhe do të sjellë bllokime të reja si më parë. Dhe kështu vazhdon Shqipëria në këtë absurditet, në këtë konfliktualitet, që nuk zgjidh probleme, por vetëm i komplikon ato.

Cili është mendimi juaj, nga se buron gjithë kjo situatë konfliktuale në politikën shqiptare?

Ata janë peng të të kaluarës së tyre. Kanë bërë gabime pa fund. Është bërë korrupsion pa fund. Janë bërë padrejtësi pa fund në këto 20 vjet. Vendosja e shtetit të së drejtës në Shqipëri është në thelb shumë problematik për gjithë këtë klasë politike. Normalisht unë nuk jam që t’u hiqet imuniteti, por t’i hiqet e drejta për t’u marrë me politikë kësaj klase politike. Këtu ca është mendësia e vjetër e kontrollimit të gjithçkaje, ca është nevoja për t’u mbrojtur nga gjithë përgjegjësitë që kanë për gjërat që janë bërë gabim. Të dy palët në këtë kuptim synojnë kapjen e pushtetit për të sunduar ata të palës tjetër nëpërmjet ligjit, dhe jo që të sundojë ligji.

Me çfarë ngarkesash po u afrohen kështu këto forca politike zgjedhjeve të përgjithshme?

Po shkojnë gradualisht me tensione të larta dhe të akumuluara. Maxhorancës i intereson që të shfaqë një pamje stabiliteti dhe zhvillimi ekomik dhe demokratik. Ndërkohë që opozitës i intereson e kundërta; ngritja e një situate ku asgjë nuk shkon në Shqipëri, ku asgjë nuk është stabël, ku nuk ka siguri për demokracinë, për lirinë, për ekonominë. I duhet krijimi pra, krijimi i një situate të pakëndshme dhe destabilizimi në një kuptim, siç ka bërë opozita në 20 vjet. I duhet krijimi i një situate delegjitimimi të maxhorancës. Dhe kjo beteja e imuniteteve është në kontekst.

Zoti Lubonja! Po për drejtësinë çfarë mendimi keni? Pse nuk luftohet më mirë korrupsioni?

Sa kohë që njëra palë synon që përmes pushtetit të vet të kontrollojë drejtësinë, atëherë nuk është drejtësia që të jep garancinë që je i barabartë para ligjit, por ndjehesh i kërcënuar. Ja si thotë opozita; nuk e heq imunitetin lehtë sepse nuk e ka pushtetin drejtësia, por e ka qeveria dhe e shpërdoron. Po ashtu edhe dosjet e sigurimit nuk janë hapur asnjëherë sepse gjithmonë ka sunduar mendësia se ai që merr pushtetin hap dosjen e atij që ka rival. Po kështu edhe lufta kundër korrupsionit bëhet selektive, pra akuzohet ai që është kundërshtari dhe jo gjithkush që bën korrupsion. Mungon sundimi i drejtësisë dhe duke ardhur sundimi i atij që fiton zgjedhjet vijmë në këto situata që në fund të fundit çojnë në failed state, pra në shtete të dështuara. Ky është thelbi i problemit që ka Shqipëria; palët këtu nuk kanë arritur dot akoma që të vendosin shtetin e të drejtës, dhe kjo ka krijuar në mënyrë ciklike situata të vështira që vijën duke u rënduar.

Ju falemnderit!
XS
SM
MD
LG