Lidhje

Mbillen pemë në kujtim të ushtarëve të luftës civile

  • Deborah Block

Lufta civile amerikane ishte më e përgjakshmja në historinë e Shteteve të Bashkuara. Nga viti 1861 deri në vitin 1865, të paktën 620,000 ushtarë u vranë në luftime. Lufta u zhvillua mes shteteve të veriut, që përbënin unionin dhe shteteve të jugut, që përbënin konfederatën. Ato ishin të përçara lidhur me të drejtat e shteteve, përfshirë edhe skllavërinë. Tani pas 150 vjetësh, ushtarët që humbën jetën po kujtohen nëpërmjet një projekti për mbjellje pemësh, që do të shtrihet në 4 shtete lindore, ku u zhvilluan shumë prej betejave të luftës civile.

Këto janë fytyrat e ushtarëve, që luftuan kundër njeri tjetrit gjatë luftës civile amerikane. Më shumë se gjysma e ushtarëve humbën jetën dhe shumica e tyre as që nuk kujtohen.
Tani grupi ‘Udhëtim nëpër tokën e shenjtë’ po e mban gjallë kujtimin e tyre, duke mbjellë pemë, ose duke dedikuar pemë ekzistuese për secilin nga ushtarët e vrarë. Pemët po mbillen përgjatë një rruge 290 kilometershe nga Getisburg i Pensilvanisë, ku u zhvillua beteja më e famshme e asaj lufte deri në Virxhinia, vendlindja e presidentit të tretë amerikan Thomas Jefferson.

“Çdo pemë personifikon një jetë. Ndërsa i shikon këto pemë njëra pas tjetrës, ato të sjellin në mendje ushtarët e vrarë.”

Pemët e para u mbollën në nëntor në ish plantacionin e quajtur Oatlands në Lisburg të Virxhinias. Sot, kjo shtëpi e shekullit të 19-të është pronë e një shoqatë historike. Andrea McGimsey, drejtoreshë ekzekutive e ish plantacionit Oatlands, thotë se kjo pronë ishte një pike e natyrshme për të filluar projektin e pemëve.

“Në Oatlands ka disa pemë shumë të vjetra, që ndodhen këtu që gjatë luftës civile. Në fakt, shumë prej tyre do të bëhen pjesë e projektit”.

Zonja McGimsey thotë se Oatlands ishte gjithashtu pjesë e historisë së luftës civile.

“Në Oatlands, në vitin 1860, pak para fillimit të luftës civile, kishte 128 skllevër, madje familja që banonte këtu kishte dy djem, që ju bashkuan ushtrisë së konfederatës”.

Richard Williams, stërnipi i familjes së fundit, që banoi në këtë shtëpi, thotë se njëri prej paraardhësve të tij ishte gjeneral i famshëm i ushtrisë së konfederatës. Familja e tij vazhdon të jetë pronare e disa tokave pranë ish plantacionit Oatlands, madje ata janë angazhuar në projektin e mbjelljes së pemëve.

“Si pronarë privatë tokash, ne shpresojmë që një projekt si ky të jetë shumë i sukseshëm dhe i nxisim disa pronarë të tjerë tokash të angazhohen në projekte të ngjashme”.

Projekti prej 65 milionë dollarësh do të financohet nëpërmjet kontributeve private. Individët mund të ndihmojnë edhe duke dhuruar 100 dollarë për pemë. Informacioni rreth këtyre pemëve do të përfshihet në një sistem elektronik për të mësuar rreth ushtarëve.

“Secila nga pemët do të kenë një numër që lidhet me një person. Sisetmi elektronik i navigimit, GPS-i, do të bëjë të mundur gjetjen e informacionit personal rreth çdo ushtari të vrarë, të cilit i dedikohet një prej këtyre pemëve”.

Eleanor Adams ka kontribuar në projektin e pemëve për të nderuar një nga paraardhësit e saj, Joseph McGowan, një ushtar 23 vjeçar në ushtrinë e konferederatës në shtetin jugor të Alabamës, i cili u vra. Ai luftoi bashkë me disa vëllezër të tij dhe vetëm dy prej tyre shpëtuan gjallë. Joseph i shkruante letra familjes rreth vështirësive të luftës.

“Ai shkruan rreth sëmundjeve, të nxehtit të madh dhe ushqimit të keq, rreth vështirësive të mëdha të një ushtari në ato kohë”.

Zonja Adams shpreson që familjarë të tjerë do të marrin pjesë në projektin e mbjelljes së pemëve për të gjithë ushtarët që u vranë gjatë luftës civile amerikane.
XS
SM
MD
LG