Lidhje

Alsasë, përkujtohet 100-vjetori i Luftës së Madhe


Presidentët e Francës dhe Gjermanisë u takuan në Alsace të Francës për të përkujtuar 100-vjetorin e ditës kur Gjermania i shpalli luftë Francës, në atë që më vonë u bë e njohur si Lufta e Parë Botërore, apo Lufta e Madhe.

François Hollande dhe Joachim Gauck vendosën sot gurin e parë të përmendores për ushtarët francezë dhe gjermanë në një vend ku u vranë rreth 30,000 ushtarë.

Në fjalën e tij, zoti Hollande vlerësoi paqen mes Francës dhe Gjermanisë, por vuri në dukje vështirësitë me të cilat përballen vendet e Bashkimit Evropian, si efektet e mbetura të krizës ekonomike globale dhe sfidat për të ngritur standardin e jetesës, në pjesët më pak të zhvilluara të Evropës. Ai bëri gjithashtu thirrje për paqe në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë Ukrainën, Gazën, dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

Presidenti gjerman Gauck vuri në dukje në komentet e tij se Evropa ka vështirësitë e veta, por tha se ushtarët e Luftës së Parë Botërore do t'i kishin shkëmbyer me kënaqësi problemet e tyre me sfidat me të cilat përballen sot Franca dhe Gjermania.

Ceremonitë për Luftën e Parë Botërore do të vazhdojnë nesër, kur zyrtarët do të mblidhen në Belgjikë për të përkujtuar 100 vjetorin e shpalljes së luftës nga Britania kundër Gjermanisë.

XS
SM
MD
LG