Lidhje

Bagdati 10 vjet pas luftës


Janë bërë dhjetë vjet tashmë që kur forca të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara filluan një ofensivë që përmbysi qeverinë e Presidentit të atëhershëm të Irakut, Sadam Husein. Edhe pse disa irakianë thonë se jeta që atëherë është përmirësuar disi, shumë njerëz janë të zemëruar me pasojat e luftës.

Herët në mëngjes, në lagjen Bataween të Bagdatit qendror, punëtorë të papunë grumbullohen në rrugë me shpresën për të siguruar pagën e një dite.
Abed Khaled është bojaxhi. Ai vjen këtu prej 10 vitesh, dhe thotë se punon disa ditë në muaj. Fitimi i tij është rreth 35 dollarë në ditë.

"Të gjithë po vuajnë. Nuk ka punë. Kur një punëdhënës vjen këtu të gjithë i sulen, duke konkurruar për t’u marrë në punë. Të ardhurat janë të pakta. Situata është e rëndë dhe çdo ditë përkeqësohet."

Rrugët e Bagdadit janë të mbushura me automjete, ndërkohë që të punësuarit shkojnë në punë. Masat e rrepta të sigurisë ngadalësojnë trafikun edhe më shumë. Shumica e banorëve thonë se jeta është e vështirë. Vetëm pak prej tyre duket të kenë përfituar nga konflikti që mori jetën e më shumë se 100 mijë njerëzve, dhe që vazhdon ta bëjë këtë sot, në numra më të vegjël.

Në një treg kryesor, disa kilometra larg, Najila Ali Saba blen ushqime për 9 fëmijët dhe 21 nipërit e mbesat e saj. Ajo thotë se bombat janë një shqetësim i madh.

"Jeta është e vështirë për shkak të situatës së sigurisë, prej terroristëve. Shumica e terroristëve nuk janë irakianë. Ata vijnë nga vende të huaja."

Dhjetë vjet më parë, forca të udhëhequra nga SHBA-ja nisën sulmet ajrore dhe më vonë pushtimin tokësor që i dha fund regjimit të Presidentit Sadam Husein. Por shumica e irakianëve thonë se sistemi që zëvendësoi atë nuk i ka përmbushur shpresat e tyre për liri ose demokraci.

Ata janë veçanërisht të zemëruar me politikanët e tyre. Irakianët i akuzojnë ata për korrupsion të përhapur dhe për shtim të tensioneve etnike dhe sektare për të çuar më tej karrierën e tyre.

Hadi Jallo Mare drejton Qendrën për Analiza Politike të Bagdatit.

"Ka ndasi të thella mes irakianëve. Disa kurdë dhe shiitë refuzojnë Sadam Huseinin. Por disa sunitë do ta preferonin regjimin e tij, pasi ata besojnë se situata aktuale politike i privon nga të drejtat e tyre."

Në lagjen në gjendje të mirë ekonomike Mansour, njerëzit dalin për të blerë artikuj të ndryshëm. Osama Rasheed thotë se biznesi në dyqanin e tij të veshjeve ka ditë që shkon mirë. Por klientët pakësohen pas shpërthimit të ndonjë bombe, sepse njerëzit kanë frikë të dalin prej shtëpive.

"Siguria është më mirë se dy, tre apo katër vjet më parë, por ne shpresojmë që të përmirësohet edhe më shumë."

Disa banorë të këtij qyteti dëshpërohen duke pyetur nëse do të kthehen ndonjëherë në jetë normale. Të tjerë mbeten me shpresë. Shumë prej tyre thonë se vendosin të jetojnë ditët njëra pas tjetrës.
XS
SM
MD
LG