Lidhje

Ekstremizmi Islamik në SHBA


A Twitter feed after the Brussels attack by Islamic State logged by the Center for Extremism at George Washington University.
A Twitter feed after the Brussels attack by Islamic State logged by the Center for Extremism at George Washington University.
Ky shkrim është i pari në një seri prej tre pjesësh mbi Ekstremizmin Islamik në SHBA.

Një ditë pas vrasjes masive më të rëndë në historinë amerikane, rreth vrasësit njihen këto fakte: ai mbështeti Shtetin Islamik, por nuk dihet të kishte lidhje të drejtpërdrejta me të; ai shprehu urrejtje ndaj homoseksualëve; ish-gruaja e tij e akuzoi si abuziv; më herët ai kishte deklaruar se mbante lidhje me al-Kaidën, duke bërë që FBI-ja ta merrte në pyetje të paktën dy herë.

Omar Mateen ishte mysliman, baba, bir i emigrantëve të klasës së mesme afgane, roje e sigurisë për gati një dekadë dhe kishte leje për armëmbajtje të lëshuar nga shteti.

Pyetja që shtrojnë disa, është se cili nga faktorët e mësipërm ishte çelësi i arsyes përse Marteen shkoi i vetëm në një klub homoseksual në Orlando, të Floridës, në orët e para të së dielës dhe vrau 49 persona.

Rrjedha e Informacionit pas Sulmeve

Në një zyrë të thjeshtë në qendrën tregtare pranë kampusit të Universitetit "George Washington" në Uashington DC, disa ekspertë regjistrojnë në kompjuter të dhëna nga llogaritë Tweeter të përkrahësve të Shtetit Islamik në mbarë botën. Qendra për Sigurinë Kibernetike dhe Kombëtare është një nga shumë qendra për studimin e ekstremizmit që po shfaqet në mbarë Shtetet e Bashkuara.

"Ka një shtim të informacionit që vjen menjëherë pas sulmeve", thotë studjuesja Audrey Alexander. Ajo dhe kolegët e saj ndjekin më shumë se 1700 llogari të Tweeter-it në anglisht - 300 prej tyre në Shtetet e Bashkuara.

"Media Sociale i jep legjitimitet të madh lëvizjes së ISIS-it. Pra, fakti që ekziston një produkt i tillë në Shtetet e Bashkuara është një tregues i fuqishëm dhe ky është një mesazh i dukshëm."

"Mesazhi", ka patur jehonë në një grup të vogël, por aktiv të mbështetësve të ISIS-it në mediat sociale në mbarë SHBA. Sipas një raporti të publikuar nga kjo qendër me titull "ISIS-i në Amerikë," më shumë se 56 njerëz janë arrestuar sepse kanë ndihmuar në mënyrë aktive Shtetin Islamik në një mënyrë ose tjetër.

Përse ky grup i vogël amerikanësh është joshur nga Shteti Islamik? Kjo nuk është shumë e qartë. Të gjithë ekspertët me të cilët foli Zëri i Amerikës, janë dakord se nuk ka një profil të përbashkët. Nga 56 arrestime vitin e kaluar, 86 për qind e tyre ishin meshkuj, shumica dërrmuese shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm, dhe mosha e tyre shkonte nga 15 deri në 47 vjeç.

"Statistikisht, pjesa më e madhe janë radikalizuar në vend", thotë Lorenzo Vidino bashkautor i raportit.

Të Dështuar në Jetë

Nëse nuk ka një profil të përbashkët, ka disa tipare të përbashkëta, thonë analistët.

"Personi më i prekshëm është ai që po dështon në jetë diku", thotë Anne Spekhard, psikologe hulumtuese që drejton Qendrën Ndërkombëtare për Studimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Uashington DC. Ajo ka intervistuar qindra rekrutë të ISIS-it në mbarë botën. "Nuk ka të bëjë vetëm me dobësitë e tyre; ata janë të ekspozuar ndaj një rrjeti terrorist dhe ideologjisë së tij. "

Në këtë fazë të hershme të hetimit, autoritetet janë ende duke u përpjekur të vlerësojnë shkallën e ekspozimit të Omar Marteen ndaj rrjetit ISIS dhe ideologjisë së tij. Megjithatë, ka fakte të bollshme se ai ishte një person "në udhë të gabuar."

Në intervistat e ndryshme, gruaja e tij e parë - ai ishte i martuar dy herë, - tha se u nda prej tij për shkak se ai ishte bërë i dhunshëm ndaj saj. Ajo e përshkroi atë si njeri që ndoshta vuante nga çrregullimi bipolar. Një koleg i tij tha ai bënte shpesh komente përçmuese ndaj grave dhe grupeve të tjera. Babai i tij tha se i biri ishte zemëruar shumë, kur kishte parë dy burra duke u puthur përpara fëmijës së tij - duke sugjeruar se ky mund të kishte qenë motivi për sulmin në Orlando.

Feja Nuk Është Faktori Kryesor

Spekhard thotë se ndërsa shpesh ka një komponent fetar tek ekstremizmi, ai është rrallë një faktor dominues. Ajo thotë se t’i bashkohesh një grupi islamik ekstremist apo të marrësh pjesë në grupe të medias sociale, shpesh sjell kuptim dhe qëllim për jetën e një personi.

Mbështetësit e ISIS-it jo gjithmonë fillojnë si myslimanë. Nga 3.3 milion myslimanë në Amerikë, rreth 24% janë konvertuar. Por të konvertuarit janë sa dyfishi i kësaj shifre në mesin e të arrestuarve për lidhje me ISIS-in - rreth 40%.

"Ata frymëzohen të gjithë nga ekstremizmi islamik dhe pastaj konvertohen. Dhe e bëjnë këtë për shkak se kjo u përmbush një nevojë. Jo për shkak se janë domosdoshmërisht duke kërkuar për një fe”, thotë ajo.

Psikologia Spekhard tregon historinë e një mësueseje të re në një shkollë të krishterë që bënte një jetë të izoluar në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara. Pasi ISIS-i vrau gazetarin amerikan James Foley, ajo shkroi në Tweeter, "përse një terrorist i pret kokën një gazetari?"

ISIS-i përgjigjet: "Sepse ky është një revolucion. Në revolucion derdhet gjak dhe ne po ndryshojnë botën."

Më pas rekrutuesi i ISIS bën pyetjen "A e dini se Islami është kompletimi i krishtërimit?" Dhe kështu filloi radikalizimi i mësueses.

"Ajo ishte e vetmuar", thotë Spekhard. "Pra, gjithë këta njerëz i afrohen, duke i kushtuar vëmendje, duke i dërguar mesazhe, duke ofruar për të folur në Skype me të. Dhe përfundimisht ajo konvertohet pasi donte të bëhet pjesë e diçkaje. Ajo dëshironte diçka në jetën e saj."

Më në fund, pasi rekrutuesi i sugjeron që ajo dhe vëllai i saj i vogël të bashkohen me ISIS-in në Siri, gjyshja e saj, me të cilin ajo jetonte, ndërhyri.

Mosfunksionimi i Familjes

Ndërkohë që gruaja kishte një të afërm e cila në fund të fundit provoi se ishte e dobishme, një tjetër tipar i zakonshëm i njerëzve që tërhiqen ndaj radikalizimit është një familje jofunksionale.

Mohamed Khweis, lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër emigrantë palestinezë u kap nga forcat kurde në Irak, pasi dyshohet se iu bashkua Shtet Islamik.

Khweis u tha prindërve të tij se po largohej nga shtëpia e tyre në Virxhinia për të shkuar me pushime në Evropë. Në një intervistë për televizionin kurd, ai tha se u nis për në Londër, më pas në Amsterdam, dhe më tej në Stamboll, ku rastësisht u takua me një vajzë, vëllai i të cilës ishte luftëtar i ISIS-it. Ajo i ofroi ta çonte tek ISIS-i për një vizitë.

Kohët e fundit, Khweis u ekstradua në Shtetet e Bashkuara për të dalë në gjyq. Ai është akuzuar për përkrahje materiale të ISIS-it, që mund ta vënë atë prapa hekurave për 20 vjet. Sipas një dëshmie të FBI-së të bërë publike në një seancë, ai pranoi se qëllimi i tij qysh në fillim kishte qënë për t'u bashkuar me ISIS.

Spekhard thotë se itinerari i tij i fluturimit përdoret zakonisht nga rekrutët për të shmangur zbulimin - një i ri arab që fluturon nga Shtetet e Bashkuara drejtpërdrejtë në Stamboll ndoshta do të ngrinte dyshime tek autoritetet. Psikologia dyshon se ai ishte duke u përpjekur t’u shpëtonte problemeve familjare; ISIS ofronte një rrugëdalje, dhe gruaja e re ishte dërguar për t'u takuar dhe ndoshta të martohej me të. Të gjitha përshtaten me modelin e asaj që ajo thotë se kërkon një person i pambrojtur në nevojë.

"Unë kam disa informata që thonë se babai i tij ishte pijanec. Pra, imagjinoni të jesh një mysliman i rritur nga një baba që pi. Kjo është tronditëse. Pra, ai njoftoi prindërit e tij "Unë po largohem. Po shkoj me pushime ", thotë Spekhard.

Këto raste, dhe të dhënat e grumbulluara nga hulumtuesit paraqesin një pamje të ekstremizmit islamik në Amerikë që sfidon një nga pikat dominuese për të cilën flitet sot për terrorin - se Islami është në zemër të problemit. Dhe kjo ngre pyetjen, duke përcaktuar islamizmin e dhunshme vetëm në aspektin fetar: A po përdorin Shtetet e Bashkuara burime për ta luftuar atë në mënyrë sa më efikase dhe të efektshme?

XS
SM
MD
LG