Lidhje

Lufta ndaj korrupsionit, OPDAT i bashkohet fushatave publike


Programi OPDAT i departamentit të drejtësisë të SHBA-ve dhe prokuroria shqiptare kanë filluar një fushatë të ndërgjegjësimit publik me emrin “Kundërshtoj korrupsionin”, për të nxitur qytetarët që t'i thonë jo korrupsionit dhe të raportojnë rastet që ndeshin. Njësitë e përbashkëta hetimore në shtatë qytete të Shqipërisë po diskutojnë me nxënës dhe mësues në 20 shkolla, duke kërkuar bashkëpunim, që gjithkush të bëjë diçka në luftën e përgjithshme të Shqipërisë kundër korrupsionit.

“Lufta ndaj korrupsionit merr forma të ndryshme: njëra është zbatimi i ligjit. Së dyti është shkurajimi i korrupsionit me veprime qeveritare, dhe së treti, është transparenca në vendimmarrje dhe në shpenzimin e fondeve ” - tha sot gjatë një takimi me nxënësit e një shkolle David Grise, këshilltar ligjor për antikorrupsionin pranë programit OPDAT në ambasadën e SHBA-së. Ai theksoi se për të luftuar korrupsionin nevojitet edhe një rrugë e katërt: qytetarëve u duhet dhënë informacion se si korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe se si duhet t'i kundërvihen atij.

Zoti Grise iu përgjigj nxënësve mbi çështje të ndryshme që lidhen me korrupsionin. Ai kujtoi se në dekadat e diktaturës njerëzit kishin frikë të denonconin korrupsionin, sepse policia kishte qëllime të tjera. Por aktualisht, në kohët moderne tha ai, modelet e vjetra duhen lënë pas dhe komunitetit duhet të bashkëpunojë në përmirësimin e jetesës së vet.

“Sot është nevoja që njerëzit të bashkëpunojnë me institucionet për zbatimin e ligjit dhe të vlerësohen për këtë. - njerëzit duhet ta dinë se po e toleruan korruspionin ai do të ndikojë në përkeqësimin e jetës së tyre drejtpërdrejt ose jo. Lufta ndaj korrupsionit nuk godet vetëm një person, por ajo ndihmon ekonominë kombëtare në tërësi, sepse rryshfetet mund të frenojnë investimet dhe mirëqenien në çdo fushë” tha zoti Grise.

Korrupsioni është shqetësim kryesor në shoqërinë shqiptare. Kjo dukuri ka frenuar për shumë vite zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në institucionet europiane. Edhe sot lufta ndaj korrupsionit me prova konkrete është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Europian, krahas kritereve të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG